Kulturë\Letërsi

Akademik Rexhep Qosja: Njerëzit e rëndësishëm ose që mendojnë se janë të rëndësishëm edhe ëndërrat i shohin të rëndësishme

Gjithnjë e më shpesh po e ndiej veten të pikëlluar. Nuk më rrihet me asnjë! Nuk më dilet prej shtëpie. Nuk më hahet buka! Nuk më zë gjumi! Mbrëmë kisha një natë shumë të keqe. Deri vonë nuk më zinte gjumi. Kur m’u rënduan kapakët e syve filluan ëndrrat… Sa mbaronte njëra më vinte tjetra. Sulm ëndrrash e sulm djersësh… Më falni! Tri herë e kam ndërruar këmishën e fjetjes. Më falni! Nuk mund t’u kallëzoj ç’kam parë në ëndërr. Nuk u interesojnë ju ëndrrat e mia. Nuk jam unë person aq i rëndësishëm që t’i kem edhe ëndrrat të rëndësishme. Unë nuk mund të shoh ëndrra të rëndësishme! Ëndrra të rëndësishme shohin njerëzit e rëndësishëm ose që mendojnë se janë të rëndësishëm. Dhe, ëndrrave të tyre u besohet si të ishin të vërteta! Si të mos u besohet? Mund të mos u besoni ju, por u besojnë partizanët e tyre. Ëndrrat e tyre janë më të shtrenjta, shumëfish më të shtrenjta se kukullat e mia ose, madje, edhe se romanet tuaja. Ka ndonjë prej jush që shkruan romane? Ka, sigurisht. Edhe romanet janë ëndrra të kallëzuara si të vërteta! Kukulla ime më e mirë kushton 45 marka gjermane, kurse ëndrra e një personi të rëndësishëm kushton 450 mijë marka gjermane! Arbëria ime kushton 9 dollarë amerikanë dhe nuk e blen kush, kurse ëndrra që ka parë Mumin Fejza, e njihni, jo, duhet ta njihni se ai është shumë i njohur, ka kushtuar 90 mijë dollarë.
(Heshtje e gjatë)