Portreti/intervista

Agim Vinca: Adem Gashi është poet me “P” të madhe!

Nuk më besohet se ke ikur përgjithmonë dhe se nuk do të të takoj ndonjë ditë papritmas te “Amaro”. Ti do të na mungosh fizikisht, por jo edhe vargjet e tua të pavdekshme. Dikur të mësoja si shkruhet poezia, kurse tani të lexoj me ëndje si rrallë ndonjë poet tjetër. U prehsh në paqe në Drenicën tënde!

Më poshtë po sjell arsyetimin e Jurisë me rastin e dhënies së Çmimit Azem Shkreli për Vepër Jetësore (2022), të shkruar nga unë në cilësinë e Krytearit të Jurisë dhe një fotografi të bërë ato ditë në Prishtinë.

“Adem Gashi (1953) është pa dyshim njëri nga poetët më të shquar të Kosovës, mjeshtër i rrallë i vargut, njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës, me një opus të gjerë krijues si poet, por edhe prozator, publicist dhe veprimtar kulturor. Njeri që më se dyzet vjet merret aktivisht me krijimtari letrare, Gashi është autor i rreth njëzet përmbledhjeve me poezi, i tre vëllimeve me tregime, i dy romaneve (dokumentare) dhe i dy librave me shkrime eseistike, pa harruar as tekstet e shumta për këngë që ka shkruar ndër vite. Në fillimet e tij krijuese Gashi u përball me censurën dhe ndalimin e botimit, por falë talentit dhe punës këmbëngulëse, si dhe përkrahjes së disa krijuesve me ndikim, arriti t’i kapërcente pengesat dhe t’i hapte rrugë vetes.

Adem Gashi e ka pasuruar poezinë shqipe me tema, ide, ndjenja, motive, mjete dhe forma shprehëse. Poet që e zotëron fjalën, mendimin, figurën, Gashi është poet tek i cili emocioni gjen mendimin dhe mendimi shprehjen. Tematika e gjerë, fjalori i pasur, njohja e gjuhës me themel, në të gjitha rrafshet, regjistri i gjerë i mjeteve shprehëse, janë veçori të krijimtarisë së tij.

Edhe kur shkruan me varg të lirë, gjë që ndodh më shpesh, e edhe kur shkruan me varg të matur, gjë që ndodh më rrallë; edhe kur krijon në standardin gjuhësor kombëtar, e edhe kur këndon në “stilin e amël gegë”, përkatësisht në idiomë, ai krijon poezi me vlerë. Gashi është poet i sintezave të fuqishme figurative, ku figura nuk është stoli e jashtme, por imanencë e mendimit poetik përherë në lëvizje. Liria dhe dashuria janë kryetemë e frymëzimit poetik të Adem Gashit.

Edhe kur këndon për luftën dhe heronjtë, ai e gjen këndin nga i cili i qaset temës, duke shmangur patosin e poetëve mediokër, por edhe meskinitetin e snobëve provincialë. Si te gjithë poetët e vërtetë, dashuria për atdheun është e pandarë nga dashuria për gruan, e cila te ky poet përfytyrohet si një Lady shqiptare.

Pos me krijimtarinë e tij të gjerë letrare, Adem Gashi është i pranishëm në jetën tonë kulturore edhe si organizator manifestimesh letrare, si drejtues asociacionesh të shkrimtarëve dhe si redaktor veprash të shumë autorëve nga Kosova dhe mbarë hapësira shqiptare. Por, Poezia, me “P” të madhe, është kurora e punës dhe individualitetit të tij krijues”.

ObserverKult