Shqipëria/Aktualitet

Agim Sylejmani: Prishtinës shqiptare i mungon shtatorja e Kryekomandantit dhe Kryeheroit të Luftës Çlirimtare, Adem Jasharit

ËSHTË KOHA E FUNDIT QË TË NGRITET NJË STATUJË E KOMANDANTIT LEGJENDAR ADEM JASHARI NË PRISHTINË
Sot është një datë nga më të rëndësishmet në historinë tonë kombëtare, e në veçanti për historinë e Kosovës, është përvjetori i EPOPESË SË FAMILJES JASHARI dhe rënies së tyre heroike, duke ujitur me gjakun e tyre themelet e pavarësisë së Kosovës nga thundrra e çetnikëve serbë.
Si edhe në 22 vjetorët e kaluar pas luftës, edhe këtë vit, u shënua përvjetori i kësaj Epopeje të lavdishme të luftës për çlirim e bashkim kombëtar. U fol shumë e u tha shumë për familjen Jashari, e sidomos për komandantin legjendar ADEM JASHARI, ndërsa asnjëri nuk e përmendi se në kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë, nuk e kemi akoma statujën e kësaj figure sinonim të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Edhe sa duhet pritur që në Prishtinë të ngritet statuja e komandantit legjendar Adem Jashari? Derisa pushteti i disa “komandantëve” dhe i LDK-istave në 22 vjetët e kaluara nuk ndërmorën, nuk deshtën e bile edhe e penguan ardhjen e ADEM JASHARIT në bronx në Prishtinë, aty ku edhe e ka vendin, a duhet të kalohet nga fjalët në vepër nga pushteti i tanishëm, apo duhet “pritur” pambarim?
Kërkoj që iniciativa e ndërmarrë për një statujë të Adem Jasharit në Prishtinë, pa vonesë, të jetësohet nga pushteti i sotëm.
Adem Jasharit dhe familjes Jashari nder e lavdi ndër vite e shekuj!