Lëvizja\UÇK

Agim Sylejmani: NË PËRVJETORIN E EPOPESË NË KODRËN E TRIMAVE

Shkruan: Agim Sylejmani, Zvicër

Pikërisht në këto orë, më 12 janar 1984, përleshja e armatosur në Kodrën e Trimave, në rrugën e “Keramikës” nr. 2, në Prishtinë, në shtëpinë e Elhame Hasanit, kishte arritur kulmin e saj. Rrreth e rrotull ushtonte, pos krismave të lirisë, edhe kënga patriotike e revolucionare e dy prijatarëve të luftës së armatosur për çlirim e bashkim kombëtar, viganit të revolucionit të Kosovës, Rexhep Mala, dhe militantit të palodhur, Nuhi Berisha, të cilët, si sot 37 vite më parë, po shënonin njërën nga epopetë më të lavdishme të luftës për liri nga thundrra e pushtuesve serbë. Ata po përsëritnin epopenë e Kodrës së Kuqe në Tiranë.

Sipas një dokumenti të UDB-së, në njërin nga xhepat e xhaketës së Nuhi Berishës, policia gjeti edhe një flamur të vogël kombëtar (kuq e zi), të cilin Nuhiu e mbante në gji.

Për të përkujtuar këtë ditë, kaq të rëndësishme të historisë sonë dhe të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, po e ripostoj traktin e shpërndarë në Kosovë me rastin e njëvjetorit të rënies së këtyre dy kolosëve të luftës së armatosur për çlirim e bashkim kombëtar, e njëkohësisht edhe përvjetorin e dëshmorëve tjerë të janarit të dhimbjes e krenarisë, janarit të krenarisë sonë kombëtar.

Këtë trakt të OMLK-së, që u shpërnda me mijëra copë nëpër Kosovë, më 9 deri më 15 janar 1986 në Prishtinë, Ferizaj, Lipjan, Podujevë, Dobërdol, Bajçinë, Kamenicë, Gjilan, Përlepnicë, Hogosht, Gjakovë, Pejë, Prizren, Dragash e Korishë, me rastin e përvjetorëve të rënies së shokëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha e Bajram Bahtiri, e shkruajta me një përkushtim të veçantë në Zvicër dhe është pjesë e librit tim në dorëshkrim. Njëkohësisht u ngjitën në formë afishesh afo 250 copë të formatit A3. Gjatë të njëjtit aksion u shkruajtën me dhjetra parulla dhe u grisën 24 flamuj shtetërorë të Jugosllavisë, Serbisë dhe të LKJ-së.

Prandaj, me rastin e përvjetorëve të rënies së viganit të Revolucionit të Kosovës, Rexhep Malaj, me militantin e palodhshëm Nuhi Berisha, vrasjes së udhëheqësve të palodhshëm të mërgimtarëve e të Lëvizjes sonë, Kadri Zeka me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe rënies së dëshmorit Bajram Bahtiri, po e ripostoj që t’ua bëj të njohur edhe juve shokë e miq, e sidomos brezit të sotëm dhe atyre që do të vijnë.

TRAKT: POPULL TRIM SHQIPTAR NË JUGOSLLAVI Po bëhen katër gjegjësisht dy vite, që kur policia fashiste jugosllave, ky simbol robërues i popujve. vrau bijtë e Tu më të mirë, Jusufin, Kadriun e Bardhoshin, Rexhepin, Nuhiun e Bajramin. Janë këta bijtë Tu, popull trim të dalë nga gjiri yt dhe të rritur e brumosur në tokën Mëmë të Kosovës martire. Janar, muaj i terrorit e masakrit. Muaj i sakrificës, flijimit e heroizmit, muaj kur bora skuqet me gjak, muaj që do të mbahet mend për jetë e mote, duke shkruar faqe të lavdishme në historinë e popullit shqiptar.
Janar i vitit 1982. Është kjo kohë kur mbi tërë popullin shqiptar nën JugosIlavi ushtrohej një terror i egër fashist i paparë në botën bashkëkohore, kur dora kriminale e UDB-së fashiste jugosllave, vrau tre nga bijtë e Tu më të mirë në mërgim; ku kishin dalur për të ndihmuar luftën Tënde të drejtë për liri. Popull shqiptar! Ishin këta bijtë Tu besnikë gjerë në vdekje të cilët dolën nëpër metropolet e Perëndimit me mallin e pashuar për Ty dhe Kosovën Mëmë. Për ty popull trim e bujar, u rrahu zemra deri në fund të jetës. Për Ty u shkrumohej zemra e zhuritur nga malli dhe dhembja. Për Ty o popull dhanë edhe jetën duke vaditur tokën e huaj me gjak për lirinë tënde dhe të atdheut.
Janar i vitit 1984. Dhe prapë janari, ky muaj i terrorit, masakrit e heroizmit. Bijtë e Tu o popull i Kosovës kreshnike, edhe në dimrin e egër të vitit 1984, nuk qëndruan pranë oxhakut e bukës valë në çerep, por punonin pa u lodhur për një ditë më të bardhë. Punën e tyre, Ata, e kurorëzuan me qëndresën heroike në luftë me fashistët jugosIlavë duke na lënë shembullin më të mirë të sakrificës, flijimit dhe trimërisë në luftë për liri se si duhet luftuar dhe vdekur për atdhe. Ishin ata: Rexhepi, Nuhiu dhe Bajrami, që dridhën themelet e regjimit fashist—titist të Beogradit me krismat e tyre të lirisë. Ishin Ata që Ty të ngjallin shpresat e kushtrimit gjithëpopullor për liri. Ata i dolën zot atdheut si bijtë më të denj, duke përsëritur heroizmat e Perlat Rexhepit, Vojo Kushit e shumë e shumë të tjerëve të rënë në fushën e nderit për lirinë e shenjtë të atdheut. Popull shqiptar nën Jugosllavi!
Robëria shekullore është bërë një barrë e rëndë mbi kurrizin tonë, barrë e padurueshme. Kjo robëri mund të hiqet qafesh vetëm duke thyer njëherë e përgjithmonë prangat e serbomëdhenjve. Për t’i thyer këto pranga duhet të bashkohemi të gjithë tok, pa dallim moshe e gjinie dhe si një grusht të marshojmë drejt fitores me flamurin e marksizëm-leninizmit në ballë.
Përpara drejt fitores përfundimtare! Më të dashurit tanë! vellezër, shokë e bashkëluftëtarë të idealit të shenjtë për lirinë e atdheut: Jusuf, Kadri e Bardhosh; Rexhep, Nuhi e Bajram — prehuni të qetë se ideali i juaj është fanari më i ndritur, udhërrëfyesi më i mirë i luftës sonë për liri. Rinia dhe populli po betohen para Jush dhe këtë e keni garancën më të sigurt për realizimin e aspiratave më të larta, për lirinë e popullit dhe atdheut!
Rroftë populli shqiptar trim e i pamposhtur! Rroftë vepra e pavdekshme e të rënëve për liri! Poshtë dhuna dhe terrori fashist jugosllav! Vdekje titistëve dhe tradhtarëve të kombit! Kosova republikë! Lavdi marksizëm—leninizmit fitimtar! Përpara drejt fitores përfundimtare! Organizata Marksiste – Leniniste e Kosovës