Të dashur vëllezër e motra
Këtë vit po mbushen 40 vite që kur rrugët e qyteteve e të fshatrave të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare u lanë me gjakun e bijve e bijave më të mira të popullit tonë për të drejta kombëtare të mohuara padrejtësisht, për liri e barazi, ashtu siç i gëzonin edhe popujt e tjerë në ish-Jugosllavi.
Këtë përvjetor të këtyre ngjarjeve kaq të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ngjarje që bënë kthesën e madhe dhe vendimtare të rrugëtimit tonë kombëtar në hapësirat e pushtuara nga ish-Jugosllavia titiste, po e shënojmë edhe në Gostivarin shqiptar, në Gostivarin e përpjekjeve të vazhdueshme për të mbajtur gjallë frymën kombëtare për çlirim e bashkim kombëtar, në Gostivarin e Naser Veliut. Në Gostivarin e vlerave tona kombëtare, aty ku këto vlera ruhen e kultivohen ndër breza. Ky aktivitet po koincidon pra edhe me përvjetorin e organizuar për Naser Veliun dhe Nurije Zekën, manifestim që i shton madhështinë këtij 40 vjetori të ngjarjeve nga më të rëndësishmet në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore në mbarë hapësirën shqiptare. Ngjarje të kthesës së madhe kur pushtuesit i thamë troç: Jemi shqiptarë, e jo jugosllavë! Pikërisht më 27 mars 1981, në prag të regjistrimit të popullsisë, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës shkroi dhe shpërndau një trakt në Gostivar, Tetovë, Shkup e Kumanovë dhe nëpër fshatra, për të ndërgjegjësuar masat popullore që të regjistrohen si shqiptarë e jo si jugosllavë apo maqedonas.
Kanë kaluar 40 vite nga shpërthimi i protestave dhe demonstratave gjithëpopullore, të cilat regjimi fashistoid, i mbuluar me petkun e “sistemit vetëqeverisës”, “socialist”, të “vëllazërim-bashkimit”, dhe jo vetëm ai regjim gjakatar, por as inteligjencia jonë e deri pas luftës, nuk u ndalën së paku t’ua bëjnë një analizë sadopak serioze shkaqeve dhe arsyerave që shkaktuan këtë shpërthim vullkanik të revoltës së një populli të tërë.
S’u ndal njëherë të pyes: a thua pse demonstroi ky popull pas gati katër dekadash “lirie” nën ish-Jugosllavi, derisa i “gezokan” të gjitha të drejtat?
Por, mosanalizimi dhe mosshtruarja e çështjes së shqiptarëve për zgjidhje i ka rrënjët gjetkë. Regjimi fashistoid serbo-sllav, i cili në atë kohë ishte i koncentruar në duart e shovinistëve serbomëdhenj, të këtyre armiqve të përbetuar të popullit tonë, i ballafaquar me një krizë të gjithanshme politike, ekonomike, sociale e kulturore u mundua që të gjitha këto të këqija t’ua mveshë shqiptarëve dhe t’i fajësojë ata si “turbullues”, “luftënxitës”, “paqeprishës”, “plangprishës” etj. etj. Gjithë këtë e bënin që t’u hedhin hi syve popujve jugosllavë e sidomos opinionit ndërkombëtar dhe për t’i justifikuar të gjitha masat represive të dhunës, terrorit e gjenocidit të egër shovinist e fashist që ndërmerrnin ndaj shqiptarëve pas demonstratave të përgjakshme të Pranverës së Kuqe të ’81-shit.
Por, a mund të asgjësohej një popull i tërë prej dy milionë e gjysmë? Këtë llogari ata e kishin bërë pa hanxhiun. Sepse nuk ka forcë politike, ushtarake e policore në botë që mund të asgjësojë një popull të tërë, sado i vogël qoftë ai. Nuk ka forcë që mund të shuaj vullnetin e një populli i cili është bërë i vetëdijshëm për të drejtat e veta të mohuara padrejtësisht. Aq më tepër, ky popull jetonte në fund të shekullit 20 dhe kur populli ynë nuk ishte më ai i dikurshmi që nuk dinte të shkruante e të lexonte, kur nuk e kishte as alfabetin e vet, as historinë e tij të lavdishme të shkruar në ndonjë libër pos në lahutë e qifteli, nuk ishte populli ynë ai i djeshmi që nuk ishte i arsimuar e të mashtrohej aq lehtë nga fjalët e bukura e me kërbaç mbi kokë, e mbi të gjitha nuk ishte një popull pa nënë, sepse e ngrohte tanimë Shqipëria nënë, që i ndenji afër në të gjitha katrahurat e kohës, duke u bërë mbështetësja kryesore e aspiratave të kësaj pjese të pushtuar e të robëruar të kombit tonë.
Mbi këto kërkesa të rinisë dhe popullit shqiptar regjimi jugosllav shkelli me zinxhirë të tankseve e me bajoneta. Vrau, plagosi e gjymtoi me qindra bij e bija nga më të mirët e popullit në lule të rinisë dhe burgosi me mijëra të tjerë duke ushtruar mbi ta torturat më shtazarake të tipit fashist.
Kërkesën e parashtruar hapur të shqiptarëve në Pranverën e Kuqe të vitit 1981 për statusin e Republikës për Kosovën, regjimi jugosllav dhe lakejt e tyre të pushtetit kuisling në Kosovë asnjëherë nuk e trajtoi e nuk e paraqiti drejt, duke u munduar që ta paraqes si kërkesë “armiqësore”, “nacionaliste”, “irredentiste”, “reaksionare”, “kundërrevolucionare”, etj. Por asnjëherë nuk e argumentoi pse na qenka pikërisht e tillë. Me asnjë fakt sado të vogël nuk i vërtetuan bile një nga shpifjet, trillimet e akuzat e tyre. Jo se nuk deshën ta bënin këtë , por nuk kishin ku t’i gjenin, nuk kishin ku t’i mbështesnin dhe si t’i “arsyetojnë” argumentet e tyre.
Kërkesa e parashtruar në demonstratat e Pranverës së Kuqe të vitit 1981 ishte një kërkesë minimaliste, paqësore e demokratike, e drejtë që ridhte nga vetë Kushtetuta e ish-Jugosllavisë. Them minimaliste, sepse, deri në shpërthimin e demonstratave të Pranverës së Kuqe të vitit 1981, në programet politike të të gjitha grupeve dhe organizatave politike klandestine në Kosovë dhe në të gjitha viset e pushtuara shqiptare në ish-Jugosllavi, qofshin ato vetëm nacionaliste apo edhe revolucionare e marksiste-leniniste, kishin të njëjtën aspiratë programore – çlirimin e të gjitha trojeve të pushtuara shqiptare dhe bashkimin e tyre me vendin tonë amë, Shqipërinë!
Edhe pse si kërkesë politike më se minimaliste, kërkesa për Republikë u përkrah pa përjashtim nga të gjitha organizatat klandestine, të cilat në realizimin e kësaj kërkese shihnin një hap më tej drejt realizimit të aspiratave shumëshekullore të popullit tonë – bashkimin kombëtar në një shtet të vetëm dhe me një territor të unisuar.
Në kohën e shpërthimit të demonstratave gjithpopullore të Pranverës së Kuqe 1981, edhe unë, si shumë të tjerë gjendesha prapa grilave i dënuar për veprimtari patriotike e revolucionare, si anëtar i Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës.
Edhe pse gjendeshim të mbyllur prapa grilave, ne përpiqeshim që përmes shkrimeve të letrave e protestave të ndryshme të japim kontributin tonë në ndriçimin, sqarimin dhe arsyetimin e shkaqeve dhe arsyerave të shpalosjes së kësaj kërkese më se të ligjshme. Por, shumë letra e protesta të tilla me shkrim nuk e panë dritën kurrë, sepse organet e sigurimit shtetëror serbo-sllav i mbyllnin ato nëpër sirtarët e tyre të arkivave, pa lejuar që ato të publikohen. Në një nga letrat e tilla të shkruara që kemi pasur sukses ta nxjerrim jashtë mureve të burgut të Mostarit, në korrik të viti 1982, letër të cilën e kemi nëshkruar katër të burgosur politikë, Rexhep Malaj, ky vigan i Revolucionit të Kosovës, Skender Kastrati, Behxhet Shala dhe unë (Agim Sylejmani), jemi përpjekur të parashtrojmë përkrahjen tonë me kërkesat e popullit tonë e njëkohësisht duke kërkuar që të burgosurit politikë të trajtohen si të burgosur politikë për çfarë edhe janë dënuar. Kemi parashtruar edhe torturat që u bëhen të burgosurve politikë nëpër burgje dhe sidomos gjatë zhvillimit të procedurës së hetimeve. Një pjesë të kësaj letre e ka botuar Xhafer Shatri në librin “Pse dergjet në burg Adem Demaçi”. Por, më të sukseshmit në shkrimin dhe analizimin e ngjarjeve të Pranverës së Kuqe të vitit 1981 e kanë bërë shokët e burgosur politikë, njëkohësisht disa nga organizatorët kryesorë të këtyre ngjarjeve më së të lavdishme dhe vendimtare në historinë tonë kombëtare, në burgun qendror të Beogradit, të njohur si “CZ” famëkeqe e Beogradit, ku janë masakruar me qindra atdhetarë e revolucionarë shqiptarë. Letrën shokët tanë e titulluan “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucionare”. Nënshkruesit e kërsaj letre protestë, Hydajet Hyseni, Zijah Shemsiu, Gani Koci, Bajram Kosumi dhe Ali Lajçi, e panë të arsyeshme domosdoshmërinë që me rastin e katërvjetorit të demonstratave të vitit 1981, të bënin sqarimin publik të shkaqeve, arsyerave dhe karakterin e vërtetë të demonstratave të Pranverës së Kuqe të vitit 1981. Duke e lexuar këtë letër shihet qartë se shokët tanë të burgosur në burgun famëkeq “CZ” të Beogradit patën kurajon dhe guximin të shtjellojnë në mënyrë shkencore këto ngjarje kaq të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ngjarje që bënë kthesën vendimtare në luftën e mëtutjeshme të kombit tonë për liri e pavarësi. Këtë letër shokët tanë e shkruajtën për një kohë të gjatë, me durim e guxim të pashoq, për t’ia dërguar më 8 mars 1985 Kryesisë së RSFJ-së. Pas dërgimit të kësaj letre, organet e burgut bëjnë shpërndarjen e të burgosurve, nënshkrues të kësaj letre nëpër burgje të ndryshme të Serbisë, ndërsa në “CZ” ndalën në qeli patriotin e paepur Zijah Shemsiun. Policia serbe i torturoi pa mëshirë më shumë se një muaj nënshkruesit e kësaj letre drejtuar Kryesisë së RSFJ-së, por torturat më shtazarake përjetoi Zijah Shemsiu, tani Dëshmor i Kombit, i cili këtë letër e vulosi edhe me gjakun dhe jetën e tij. Por, Zijahu e kishte përshkruar këtë letër dhe e kishte fshehur për bukuri në rrobat e tij. Kështuqë, bashkë me trupin e tij pa jetë, nga burgu famëkeq “CZ” i Beogradit erdhi në Kosovë edhe një kopje e kësaj letre-analizë të shokëve tanë të burgut.
Kjo letër, pra, paraqet të vetmen analizë serioze dhe shkencore, letër e cila, sipas mendimit tim, duhet të botohet me rastin e 40 vjetorit të demonstrave të Pranverës së Kuqe të vitit 1981, dhe kështu t’i bëhet e njohur rinisë sonë dhe brezave që do të vijnë.
Regjimi fashistoid i Beogradit nuk ngurroi të përdorë edhe mjetet dhe metodat e terrorizmit shtetëror për të likuiduar edhe fizikisht militantët e patriotët shqiptarë edhe nëpër metropolet evropiane. Kështu më 17 janar 1982, regjimi i Beogradit kreu njërën nga krimet më të paskurpullta duke ushtruar terrorizmin shtetëror dhe në Gjermani vrau në pritë tre nga bijtë më besnikë të popullit tonë në mërgim, komunistin e paepur militant, Kadri Zekën, patriotin e flaktë Jusuf Gërvallën dhe vëllaun e tij, punëtorin e palodhshëm Bardhosh Gërvallën.
Po në janar të vitit 1984 regjimi jugosllav rrethoi me një ushtri të tërë dy revolucionarë të vendosur e patriotë të shquar të cilët kërkonin dhe mbronin kërkesat që vet populli i kishte parashtruar me kohë, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha. Pas një lufte të rreptë e të pabarabartë policia jugosllave i vrau këta luftëtarë të pathyeshëm të luftës për liri e pavarësi, për bashkimin kombëtar, por nuk shuajti dot zjarrin luftarak të rinisë sonë të vendosur për sakrifica drejt realizimit të aspiratave shumëshekullore. Kështu gjaku i derdhur i Rexhepit e Nuhiut u bë sinonim se si duhet luftuar për çështjen e madhe të atdheut dhe për bashkim kombëtar.
Më 8 shkurt 1984 regjimi vrau militantin Bajram Bahtiri. Ndërsa në ditëfestat e majit 1985 vrau në mënyrën më mizore në qelinë e burgut famëkeq të Beogradit, patriotin Zijah Shemsiu.
Më 2 nëntor 1989, në Prishtinë u përsërit epopeja e Kodrës së Trimave, kur pas një lufte të pabarabart bien dëshmorët e rinj të Kosovës, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.
Të gjitha këto lidhen me gjarjen e madhe të Pranverës së Kuqe të viti 1981, sepse për Revolucionin e shkelur me tankse më 1981, rinia jonë, dhe ne të burgosurit politikë bashkë me ta, thërrisnim me zë “Rroftë Revolucioni i viti 1981!”
Pikërisht kjo është ajo që Pranverën e Kuqe të vitit 1981 e bën akoma më madhështore, sepse dëshirën për të luftuar për çështje kombëtare e rrënjosi në zemrat e rinisë sonë, për ta vazhduar dhe avancuar edhe më tej çështjen tonë kombëtare, pa marrë parasyshë burgosjet e shumta, torturat çnjerëzore dhe vrasjet mizore të regjimit serbo-sllav.
Kërkesat e parashtruara në Pranverën e Kuqe të vitit 1981, kulmonin me kërkesën e bashkimit të të gjitha territoreve shqiptare të pushtuara nën ish-Jugosllavinë në një Republikë të vetme. Pra, bashkimi i territoreve tona në një njësi të vetme, duke i siguruar kështu rrugën drejt shkëputjes përfundimtare nga robëria shekullore serbo-sllave dhe bashkimi me vendin tonë amë – Shqipërinë Socialiste.
Idetë e Pranverës së Kuqe të vitit 1981 do të vazhdonin për gati 20 vite rresht të mbesin aktuale dhe çështje për zgjidhje. Këto ide ishin një frymëzim i pakrahasueshëm dhe i pashterrshëm edhe për luftëtarët e lirisë, të cilët nën flamurin tonë kombëtar të rreshtuar në radhët e Ushtrisë sonë të lavdishme Çlirimtare të Kosovës e bënin vdekjen sikur me le.
Por, nga presioni i huaj, këto kërkesa, edhe pse minimaliste, pas përfundimit të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ngushtuan në kohë dhe hapësirë, duke i lënë jashtë viset tjera shqiptare të pushtuara nga serbo-maqedonasit, një territor sa Kosova e sotme zyrtare, duke lejuar institucionet e Kosovës që të shpallnin një pavarësi të kushtëzuar për Kosovën shtet, i cili hiqte dorë nga bashkimi i trojeve të pushtuara dhe duke ia mohuar vetvetes të drejtën e bashkimit me vendin amë Shqipërinë, si dhe të drejtën e vëllezërve tanë të gjakut të bashkohen me ne.
Por, lufta jonë është e drejtë dhe patjetër do të triumfojë me realizimin e aspiratave shekullore të kombit. Ky edhe është amaneti i gjithë të rënëve në altarin e lirisë. Prandaj, kauza për të cilën u flijuan ndër shekuj, nuk është shuar, ajo flakëron edhe sot në zemrat e zhuritura të patriotëve e revolucionarëve shqiptarë për jetësimin e aspiratave shekullore – bashkimin e kombit në një shtet të vetëm – Shqipërinë e bashkuar!
Prandaj nga thellësia e zemrës thërras:
RROFTË IDEALI I BASHKIMIT KOMBËTAR!
LAVDI NË VITE E NË SHEKUJ TË GJITHË TË RËNËVE PËR LIRI E BASHKIM KOMBËTAR!