Shqipëria/Aktualitet

Agim Sylejmani: Ç’nuk dëgjon njeriu ynë?! Kryetarja e Republikës fajson Zvicrën për gjendjen e rëndë pandemike në Kosovë!?

Zonja presidente, turp është t’i hedhet faji tjetrit, pa marrë përgjegjësinë vetjake.
Mos harroni se në Zvicër sot jetojnë e punojnë mbi 350’000 shqiptarë, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia. Ata, jo vetëm se mbajnë veten dhe familjet e tyre, por janë edhe infuzion i fuqishëm financiar për ekonominë tonë të varfër.
Nuk është fajtor shteti zviceran nëse shteti yt liberalizon skajshmërisht masat antikovid!
Nuk ka kërkuar Zvicra të lejohen dasmat dhe diskotekat e klubet e natës pa kurrfarë kontrolli!
Në Zvicër nuk mund të bësh teste të falsifikuara për Covid-19 siç bëhen në laboratore të Kosovës!
Kur erdhën kurbetçarët, sidomos ata me aeroplanë, ishin të detyruar të kenë dëshmi testin për Covid-19. Po të rezultonin pozitiv, nuk do lejoheshin nga organet zvicerane të udhëtonin. Prandaj edhe nuk qëndron fajësimi që i bëni shtetit Zviceran.
Në Kosovë njerëzit nuk bëjnë gati fare testime, vetëm në rastet e detyruara. Teste këtë fundvere bënë kryesisht kurbetçarët tanë, të cilëve u kërkohej si dëshmi për të udhëtuar me aeroplan.
Zonja presidente, kurbetçarët nuk e sollën virusin në Kosovë, ata virusin e gjetën në mesin tuaj! Prandaj mos fajësoni të tjerët, aq më tepër, mos fajësoni Zvicrën.
Zonja presidente, në kanalet televizive në Kosovë u është dhënë hapësirë klerit fetar, sidomos klerit mysliman, të cilët bëjnë thirrje të mos vaksinohen. Të gjithë janë në dijeni se si kleri fetar propagandon në objekte të kultit fetar kundër vaksinimit. Shteti Zviceran nuk lejon një gjë të tillë në mjete të informimit masiv.
Prandaj, zonja presidente, këtu ia keni huq skajshmërisht. Para se të deklaroni ndonjë gjë, sidomos në arenën ndërkombëtare, këshillohuni paraprakisht me këshilltarët tuaj, dhe nuk duhet lëshuar ashtu… kuturu konstatimet të pabazuara.