Kulturë\Letërsi

Adem Gashi: Hedhësja e thikave (Poezi)

HEDHËSJA E THIKAVE
të dy e dimë
s’është koha për lirika të këtilla
po ti përse e zgjodhe lakminë
e ia more mjeshtërinë
hedhësit të thikave
e ma more në shënjestër ballin
atë livadh urtie ku kullotnin qengjat
e kurmit tënd
e m’i more sytë
verbimi këtu nuk është lojë cirku
e ma more zemrën në shënjestër
e ç’i mbeti asaj tjetër
veçse vajit e gjëmës e dhembjes
statueta m’u bë kufomë qitjeje
tani s’ndiej asgjë prej gjëje
pos se ti u bëre mbretëreshë
me kurorën e hedhëses së thikave