Kulturë\Letërsi

Abdyl Kadolli: Barbarët (Poezi)

BARBARËT
1.
Herën e parë kur u dyndën barbarët
Na gjetën në fustanellë te deti.
Ishin Babëzin e bythëjashtë
Të mërdhirë e të pështirë,
Thanë se janë udhëtarë përtej deti.
Katragjyshi ilir ua hapi portën
U shtroi bukëvale e verë.
Kur u ngrohën e ngopën mirë
Ranë në gjumë të thellë.
Kur u doli gjumi i parë
Hakërruan si bisha të çartura,
Kujtuan borën e barbarinë.
Në gjumë na ranë pabesisht
Përmbysën kështjella e djepe
Në det na hodhën si dhentë
Shkumë pellazge të tretnim.
Mynxyra ra mbi Iliri
Iliria u ngrys Dardani.
2.
Herën e dytë kur na ranë barbarët
Na shtypën e shtynë tutje-tëhu
Barbarë na shpallën barbarët
Batisën e batërdisën barbarisht
Dogjën tuma e tempuj ilirë
Ky është djepi ynë, thanë
Veten e shpallën shenjtorë
Mbi balada ngulën kryqe e cirilikë
Stërgjyshit dardan i ra koka te pragu
Ne iu qepëm brinjave e bokërimave
Dardania u step në Arbëri.
3.
Herën e tretë ishte vit ters
Barbarët na ranë nga tri anët
Si lukuni ujqërish na shqyen.
Na prenë e vranë si herën e parë
Na dogjën e poqën si herën e dytë
Na ndoqën e degdisën gjithandej
Arbëria u pre përgjysmë
Gjysmë Shqipëri, gjysmë robëri.
4.
Herën e katërt tundën degën e ullirit
Kryqin kishin ndërruar me yll
Barbar, bara-zi, brohoritën barbarët!
Pasi na ngujuan e shtruan përtokë
Na vranë e prenë si qengjat
Plaçkitën e dogjën prag e plëng
Na ndanë e përçanë pikë e pesë.
Ishin po ata qen barabarogjenë
Po ata vandalë e piromanë të vjetër.
5.
Herën e fundit kur mësynë të na zhbijnë
Babait i kërceu gjaku në kokë
Vërdallë iu sollën malet, fushat e varret.
Mbi tumë dardane kullë nisi
Në themel hodhi strall, dashin me këmborë
Muret gurë-gurë, plisin vuri kulm.
Kur ndërroi moti, stralli vetëtiu,
Brirët kumbuan, kulla u mbush frymë.
Burrat lidhën besën, bijtë shtrënguan brezin
Hodhën hapin, gjoksin hapën arbërisht.
S’jemi sllavë e skllevër s’jemi
Jemi arbër, rrënjë e lashtë!
Ua shkërdhyen minjtë e kuq
Minjtë e larmë ua lodruan fushave.
Barbarët tundën bishtin, ikën si qen
Shqipëria agulloi Arbëri,
Iliria frymoi liri.