Nxjerrja e naftës nga toka është proces i ndërlikuar, por edhe një shkencë më vete. A e dini se sa i kushton “Saudi Aramco”, kompania kombëtare e naftës në Arabinë Saudite dhe prodhuesit më të madh të botës një fuçi naftë? Sipas “Forbes”, “Aramco” fiton gati 200 miliardë dollarë në vit neto, nga 350 miliardë bruto. Vitin e kaluar, ministri Ali Al-Naimi u tha reporterëve se një fuçi kushton 2 dollarë dhe shitet 130 dollarë.
Kjo krizë energjetike është një krizë nafte. Shfletoni historinë e krizave lokale dhe globale, këto të kohëve tona moderne, mbani mend luftën në Irak, shikoni cisternat e frikshme mbi ujë dhe nën ujë.
Tiranët tanë të naftës, mos i kërkoni larg, ne i kemi pranë, na i kanë hipur mirë, sepse ne i kemi zgjedhur për të na udhëhequr.
Nafta është mbretëresha që ngroh dhe lëviz botën. Pavarësisht se sa energji e përtërirë grumbullohet, vendoset në sirtarë, në shtretër, ruhet, ajo kurrë nuk do të zëvendësojë naftën. A mund t’i imagjinoni rrugët, pa asfalt? Asgjë në këtë botë nuk funksionon pa fraksione të naftës ose pa derivatet e saja. Nafta grasaton botën, makinat elektrike, mullinjtë e erës…
Rama në vitin 2018, kur shkoi në kompaninë SHELL, tha: “Shqipëria ka shumë burime… se është një vend që ka ende shumë për të eksploruar, veçanërisht në fushën e naftës… Me këto investime ne po ndërtojmë Shqipërinë e brezat e tjerë me fillimin e shpimit të puseve Shpirag-3”.
Dhe, pinjolli i tij, Gjiknuri shtoi: “Ne do të plotësojmë nevojat e vendit dhe eksportet, do ta rrisim shumë në këtë drejtim… ”
Po, çfarë po bëhet tani në pusin Shirag-3? Rama është i ndjeshëm ndaj të huajve, BE -së, artistëve, afganëve, bangladeshit, sirianëve, veçanërisht ndaj udhëheqësve botërorë, por ai bëhet shurdh-memec kur bëhet fjalë për industrinë shqiptare të naftës, heronjtë tanë të naftës.
Udhëheqësi ynë thotë se kjo është një krizë e jashtëzakonshme energjetike, e cila sapo ka filluar të shfaqë shenjat e saj jashtëzakonisht shqetësuese. Ne të gjithë e dimë këtë, por shikoni përreth. Ai që nuk sheh atë që është përreth, nuk sheh mirë askund,- thotë Gëte.
Zoti Rama e njeh mirë farsën 30-vjeçare që është luajtur dhe po luhet me naftën tonë nga Nano tek Berisha, nga Berisha tek ai vetë. Duhet ta keni parasysh mirë, se kjo krizë energjetike është shumë më e keqe se tërmeti i fundit, se Covid-19, se kjo krizë është prolog i një lufte të re botërore, për jetë a vdekje.
Kriza ka shkaqet e saj, por nafta është çelësi, sepse rezervat pakësohen çdo orë. Sot marifeti qëndron në atë se kush di ta ruajë atë sa më mirë që të jetë e mundur, të mos bëjë mëkat, ta japë falas për miqësi, për zgjedhje, për pushtet, për kurvëri… Disa njerëz të zgjuar e mbajnë këtë parfum thellë në tokë.
Radiografia e naftës sonë mund të bëhet shumë shpejt dhe me lehtësi, mjafton të hapni të gjitha dosjet e marrëveshjeve të koncesionit me të huajt, të gjeni emrat dhe nënshkrimet…
Nafta është energji dhe moral kombëtar. A ka Akademia e Shkencave moral? Çfarë mendon ajo: A ka naftë Shqipëria dhe ku shkon? Kjo është detyra e parë e këtij institucioni së bashku me elitën shqiptare. Kuajt e Trojës, punojnë gjoja me humbje. Kur janë me humbje, pse nuk ikin? Dhe meqë jemi këtu, ku është fshehur Leonidha Çobo?
Rama, nëse i ka mbetur një fije seriozitet, duhet të ndryshojë shkatërrimin e naftës, të planifikojë, të bëjë një takim sa më parë me specialistët e naftës, me ata që i kanë çregjistruar, t’i mbledhë nga janë.për të dëgjuar zërin e tyre. Vetëm me ta ne do të jemi në gjendje të lehtësojmë këtë krizë të gjatë.
Specialistët shqiptarë që punojnë në kompani të huaja së bashku me punonjës të thjeshtë, e dinë mirë që nafta e marrë nga të huajt është pasuri kombëtare shqiptare, pasuria e këtij vendi.
Grevat e Zharrës dhe Ballshit u shuan shpejt. Anëtarët e këtyre grevave u mashtruan nga disa mafiozë të udhëhequr nga shkopi magjik i pushtetit. Ka kaluar një kohë, por ende asnjë grevist nuk është prononcuar, të thotë se si u kopsitën këto greva, dhe nëse ai është i kënaqur me zgjidhjen që bëri pushteti.
Kjo krizë është e gjatë. Le ta dijë mirë kjo qeveri se ka shumë prognoza për kërkimin e hidrokarbureve në fondet e institucioneve të naftës. E vetmja gjë që mungon është parku i sondës, të cilin paraardhësit e shkatërruan.
Franca nuk kishte aq shumë sonda. Specialistët tanë të naftës kanë në dorë projekte efikase për zbulimin e naftës, ata e njohin mirë gjeologjinë e Shqipërisë, kanë përvojë. Ata thjesht duan atë bazë teknike që thamë më lart, se ata kanë përvojë të madhe perëndimore. Vetëm specialistët shqiptarë e ringjallin industrinë e naftës, sepse me njohuritë e tyre do mund ta lehtësojmë këtë krizë të madhe.
Dsa specialistë kanë pikëpamje personale për perspektivën e naftës krejt të ndryshme nga Shell.
Zotërinj, mbani mend, veprimet tuaja nuk do të harrohen kurrë pavarësisht se pozoni, me princa dhe presidentë. Populli është gjykatësi juaj suprem dhe populli nuk mbaron kurrë!
Ahmet Ҫollaku
Ish-naftëtar, botuar në DITA, në rubrikën Letër Kryeredaktorit