Botë

A do të mund ta përballonte dhe frenonte Ukraina ushtrinë ruse

Sipas analizave do të ishte një pushtim ushtarak rus në shkallë të gjerë i Ukrainës, që do përfshinte rreth 130,000 ushtarë…
Përderisa pothuajse askush nuk pret që ushtria ukrainase t’i bëjë ballë një pushtimi rus, zyrtarët ukrainas kanë sugjeruar se mund të krijohet një rezistencë varësisht nga vendi dhe mënyra e sulmit të Rusisë.
“Atëherë, e gjithë kjo situatë do të shndërrohej në një luftë të gjatë guerile, që do të ishte shumë më e dhimbshme për të dyja palët”, tha Bukkvoll për Radion Evropa e Lirë.

Supozohet që parashutistët nga divizionet 76 dhe 96 të forcave ajrore do ta kalonin kufirin ukrainas nga veriu dhe do të niseshin drejt Kharkivit. Nga juglindja, divizionet e sulmeve ajrore, përfshirë atë shtatë dhe 106-të, do të lëviznin për të marrë nën kontroll rajonet, që tashmë janë pjesërisht të pushtuara, në Donetsk dhe Luhansk, dhe më pas do të zhvendoseshin ga perëndimi deri në periferi të Dnipros, një qytet tjetër i madh. Njësi më të vogla, të operacioneve speciale, të njohura si spetsnaz, po ashtu do të dislokoheshin.

Të gjitha pikat e kontrollit të hekurudhës që çojnë në kufijtë e Ukrainës do të mbusheshin me personel ushtarak, por megjithatë, njësitë e avancimit do të ecnin përpara së bashku me regjimente me mijëra trupa gjatë dhjetë ditëve të ardhshme.

Qëllimi i sulmit do të ishte marrja nën kontroll e pjesëve të Ukrainës, për t’i përfshirë ato në shtetin rus.

Ky skenar, i publikuar më shumë se 18 muaj më parë, ishte pjesë e një stërvitjeje ushtarake të kryer nga Rand Corporation, një institut amerikan. Megjithëse nuk është një analizë gjithëpërfshirëse, jep një fotografi të aftësive ushtarake të Rusisë në lindje të Ukrainës, ku në realitet, përtej kufirit, deri në 175,000 trupa ruse mund të grumbullohen gjatë javëve në vijim.

Përderisa raporti i Rand Corporation dhe analizat e fundit ushtarake kanë analizuar të gjitha taktikat operacionale ruse, shumë pak e kanë shikuar edhe anën tjetër të medaljes: Sa kohë mund të qëndronin forcat e armatosura të Ukrainës kundër një force të madhe ushtarake dhe të fuqishme si ajo që ka Rusia?

“Në rast sulmi Rusia do të përballej me një ushtri të vendosur, të fuqishme dhe të qëndrueshme për çfarëdo që Putini zgjedh të bëjë”, tha Glen Grant, një ushtarak i pensionuar britanik, që ka shërbyer edhe si këshilltar i ushtrisë ukrainase.

“Kërcënimi ka qenë prezentë këto tetë vjet. Ne nuk e kemi përjashtuar si mundësi (pushtimin e Ukrainës) që prej vitit 2014. Kjo është luftë, kjo është Rusia. Nga Rusia duhet të presim që të shfrytëzojë çdo mundësi, në çdo moment”, tha për shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, gjenerali Oleksandr Pavlyuk, komandant i Forcave të Përbashkëta Operacionale që lufton me separatistët.

Në lindje të Ukrainës, në rajonin Donbas lufta shpërtheu në prill të vitit 2014, vetëm disa muaj pas protestave masive në Kiev. Protestat çuan në rrëzimin nga pushteti të presidenti ukrainas, të afërt me Moskën, i cili u largua në Rusi.

Në muajt pasues, “Operacioni anti-terrorizëm” i Kievit – një përzierje e trupave qeveritare dhe milicive vullnetare, shpesh të financuar privatisht – korrën sukseset e para kundër forcave separatiste, të mbështetura nga Rusia.

Por, më vonë gjatë verës së vitit 2014, Rusia rriti dislokimin e inteligjencës ushtarake dhe madje të trupave të rregullta, që çoi në disa disfata të mëdha për forcat ukrainase, përfshirë edhe humbjen e kontrollit të qytetit Ilovaisk në muajin gusht.

Këto humbje vunë në pah dobësinë e ushtrisë së Ukrainës, që për vite me radhë nuk ishte financuar sa duhet dhe ishte përshkruar me korrupsion. Problemet përfshinin edhe pajisjet e vjetruara, pajisjet e reja ushtarake që ishin shitur për ryshfet, pagat e ulëta të oficerëve të cilët për shkak të kushteve ekonomike bënin edhe biznese të tjera, automjete dhe helikopterë pa karburant apo pa pajisje të duhura. Madje, fëmijët ukrainas kishin shitur gjësende për të mbledhur para për ushtarët.

“Ushtria jonë në mënyrë sistematike është shkatërruar dhe çarmatosur dhe personeli më i mirë është larguar nga puna”, kishte deklaruar për mediat në prill të vitit 2014, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Mehed.

Që nga ajo kohë, ushtria ukrainase është përmirësuar edhe pse ekspertët nuk pajtohen se sa të thella janë reformat në ushtri dhe a ka mundur që të reformohet si duhet ushtria pasi që Ukraina, teknikisht është ende në luftë.

E pajisur me armë të vjetra sovjetike dhe pajisje të tjera ushtarake të vjetruara, Ukraina ka kërkuar që të përmirësojë armatimet e saj dhe gjatë shtatë vjetëve të fundit, SHBA-ja është bërë furnizuesja e vetme e madhe e armëve vdekjeprurëse dhe jovdekjeprurëse.

Ndihma, që në total kap shifrën e mbi 2.5 miliardë dollarëve, përfshin radarët kundër artilerive, dronë, pancirë, syze për shikim natën dhe anije për patrullim. Po ashtu, SHBA-ja ka dërguar edhe raketat e sofistikuara anti-tank të tipit Javelin, që mund t’i japin ushtrisë ukrainase një avantazh të vogël në fushëbetejë kundrejt tankeve ruse.

Në nëntor, SHBA-ja dërgoi rreth 88 tonë municion, përfshirë edhe dhjetëra raketahedhës Javelin si dhe 180 raketa. Buxheti i ri për mbrojtje, që Kongresi amerikan e miratoi gjatë kësaj jave, përfshiu edhe shumën prej 300 milionë dollarësh për Iniciativën e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës.

Së bashku me oficerët e tjerë të NATO-s, SHBA-ja po ashtu ka tentuar që të përmirësojë trajtimin e forcave ukrainase; mbi 150 trupa nga Garda Kombëtare e Floridës veçse janë në Ukrainë duke i trajnuar trupat ukrainase.

“Sfida më e madhe, sipas meje, nuk është ajo ushtarake, por politike”, tha Grant për Radion Evropa e Lirë.

“Ka pak besim në vend se presidenti, si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe administrata e tij, janë po aq të përgatitur dhe të fortë sikurse është ushtria dhe popullsia në përgjithësi. Por, shumë do të varet se çfarë lloji të sulmit (presidenti rus, Vladimir) Putini do të vendosë që të ndjekë. Në Ukrainë nuk ka disponim për dorëzim politik”, shtoi ai.

Ushtria e Ukrainës tani llogaritet se ka 145,000 – 150,000 trupa. Forcat e Përbashkëta Operacionale, që kryejnë operacione përgjatë “vijës së kontrollit” prej mbi 400 kilometrash në rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut, vlerësohet se kanë midis 30,000 dhe 35,000 trupa.

Shumica e armatimit dhe pajisjeve ushtarake, megjithatë vazhdojnë të jenë të vjetra. Forcat ajrore të Ukrainës përbëhen nga një flotë e vogël helikopterësh sovjetikë dhe avionë të vjetër luftarakë, efektiviteti i të cilëve është i dyshimtë dhe ka të ngjarë që ato të shkatërrohen shumë shpejt në rast të një pushtimi të madh rus, vlerësojnë ekspertët.

“Rusët kanë mësuar shumë. Rusët kanë mësuar shumë prej operacioneve të tyre në Siri, ata kanë vazhduar ta reformojnë ushtrinë e tyre”, tha Alexander Vindman, ish-zyrtar i ushtrisë amerikane i cili shërben si drejtor për çështjet evropiane dhe ruse në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

“Ukrainasit po ashtu kanë mësuar shumë, por sërish Rusia ka më shumë avantazh në këtë drejtim”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

“Pra, ju flisni për një skenar ku mund të ketë shumë humbje, por që realisht, rezultati nuk ndryshon”, shtoi ai.

Ukraina ka blerë nga Turqia dronë të tipit Bayraktar TB2, që kishin luajtur rol kyç në konfliktin e vitit të kaluar ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit mbi rajonin e Nagorno-Karabakut. Blerja e këtyre dronëve ka rritur shqetësimet te forcat ruse, edhe pse këta dronë ka pas gjasa që të kenë ndonjë rol vendimtar, në rast të një sulmi të Rusisë ndaj Ukrainës. Deri më tani, Ukraina ka blerë 12 dronë të tillë dhe raportohet se ka porositur edhe dhjetëra të tjerë.

“Varet se çfarë nënkuptoni me fjalën ‘rezistencë’”, tha Tor Bukkvoll, hulumtues në Institutin Kërkimor për Mbrojtje në Norvegji, teksa u pyet se sa kohë mund t’i bëjnë ballë forcat ukrainase një pushtimi rus.

“Nëse do të thotë të zmbrapsesh, atëherë ndoshta shumë pak ose aspak. Nëse nënkuptoni me vazhdimin e luftimeve si një forcë e organizuar, me gjasë është çështje ditësh apo javësh”, shtoi ai.

Forcat ukrainase “janë përmirësuar ndjeshëm, jo vetëm për faktin se gjendja e tyre më 2014 ishte aq e keqe sa nuk duhet shumë për t’u përmirësuar krahasuar me atë periudhë”, tha Bukkvoll.

“Mendoj se ana e tyre e fortë është eksperienca në fushëbetejë, morali dhe disa armë moderne, përfshirë edhe armët e ardhura nga jashtë. Ana e tyre e dobët duket se është organizimi, humbja e oficerëve kyçë dhe kanë dobësi të mëdha në disa armë kyçe, siç është për shembull mbrojtja ajrore, lufta elektronike dhe avionët luftarakë”, shtoi Bukkvoll.

Imazhet satelitore tregojnë se Rusia ka vendosur pranë kufirit pajisje dhe armatim që do t’i lejonte të kryente një sulm të furishëm, nëse jepet urdhri për një gjë të tillë. Për shembull, disa raportime të pakonfirmuara kanë dokumentuar se disa kamionë, që përdoren për hapjen e llogoreve, janë nisur drejt kufirit ukrainas. Po ashtu, është parë se Rusia ka dislokuar edhe sistemet anti-raketore të tipit Buk M-1.

Përderisa raporti i Rand në mënyrë hipotetike paraqiti avancimin e mundshëm rus në bregun lindor të lumit Dniepr në afërsi të Dnipros, duke thënë se kjo mund të arrihej brenda ditësh, raporte të tjera kanë sugjeruar se një pushtim rus do të ishte aq i shpejt, saqë nëse Rusia do ta vendoste si cak marrjen në kontroll të kryeqytetit ukrainas, Kiev, këtë do të mund ta arrinte brenda orësh.

“Nëse e shikoni nga këndvështrimi ukrainas, varet se sa trupa do të grumbullojë Rusia dhe cilat zona do t’i zgjedhë për të kryer operacionet e saja”, tha për Radion Evropa e Lirë, Konrad Muzyka, analist i mbrojtjes nga Polonia.

“Sistemet për mbrojtje ajrore me rreze të shkurtër veprimi, raketat anti-tank, gjithçka që mund ta ngadalësojë ofensivën ruse; armë të tilla do të ishin shumë të nevojshme. A ka Ukraina kapacitete ushtarake për ta ndalur një pushtim të plotë? Nuk mendoj se ka”, tha Muzyka.

“Janë pak shtete në botë që do të mund të ndalonin një ofensivë nga ushtria ruse. Në rast të pushtimit, Ukraina do të duhet që të mobilizojë sa më shumë rezervistë që mundet që Rusia mos ta ketë aq të lehtë. Në atë rast, do të ishte një konflikt i gjatë dhe i përgjakshëm”, shtoi ai.

“Grumbullimi i madh i forcave (nga Rusia) është dizajnuar për të shtypë viktimat. Është dizajnuar që ta shtypë ushtrinë ukrainase”, tha Vindman.

Rusia ndoshta mund të mos kryejë pushtim në shkallë të plotë, por të arrijë të bëjë disa përparime të caktuara, vlerësojnë ekspertët. Ata mendojnë se Rusia mund të synojë të rregullojë problemin e ujit në Krime, pasi furnizimi me ujë të pijshëm u ndërpre nga Ukraina disa muaj pasi Rusia aneksoi këtë gadishull ukrainas më 2014. Pavarësisht se Rusia ka bërë plane që të ndërtojë një urë në vlerë prej 3.7 miliardë dollarësh, që do të lidhte këtë gadishull me territorin rus, furnizimi me ujë të pijshëm në Krime vazhdon të jetë një problem i madh.

Trupat ruse po ashtu mund të pushtojnë territorin ukrainas përgjatë Detit Azov, përfshirë edhe qytetin e madh Mariupol, duke krijuar një “urë tokësore” për në Krime dhe duke mundësuar që gadishulli i Krimesë të ketë furnizime me ujë.

Një ofensivë edhe më e kufizuar mund të ketë për synim që ta detyrojë Kievin që të zbatojë marrëveshjen e paqes të vitit 2015 për çështjen e Donbasit, duke i plotësuar kërkesat e Rusisë.

Përderisa pothuajse askush nuk pret që ushtria ukrainase t’i bëjë ballë një pushtimi rus, zyrtarët ukrainas kanë sugjeruar se mund të krijohet një rezistencë varësisht nga vendi dhe mënyra e sulmit të Rusisë.

“Atëherë, e gjithë kjo situatë do të shndërrohej në një luftë të gjatë guerile, që do të ishte shumë më e dhimbshme për të dyja palët”, tha Bukkvoll për Radion Evropa e Lirë.