TELEFONATA E NJË NËNE
Dëgjoni, o bij dhe bija,
ju flet nëna, nga shtëpia,
nga muret, ku keni lënë,
dy pleqtë, baba e nënë!
Ju flet zëri i përmalluar,
goja, nga keni dëgjuar,
fjalë nëne, me gaz e lot;
kur hapët sytë në këtë botë;
Ju flasin muret e parë,
ku keni qeshur, keni qarë,
ku ju mëkova te pëqiri,
si qingja, me qumësht gjiri.
Dëgjoni, o bij dhe bija,
ju flet dera dhe çatia,
ku u kanë mbirë dhëmbët,
ku mësuat të hidhni këmbët;
Ju flet oxhaku i përvëluar,
që u ngrohu këmbë e duar,
ju flet sofra shtruar brenda,
ku ndante kulaçin nëna;
Derën e parë, mos harroni,
ku zgjatët krahë të fluturoni,
si zogj shtegtar nëpër dete,
për para dhe për kësmete.
Ju flet guri, te sofati pragut,
ku del e pret, syri plakut.
Kthehuni, sa jemi gjallë,
pa na tretur larg, ky mall!
Këtu keni freski flladi,
ujin që buron nga mali,
keni diellin, për çdo ditë,
qiellin, që u ndrit tek sytë;
Keni aromën e luleve tona,
këngët, dasmat me jehona.
Keni gjuhën që pikon mjaltë,
ku fjala, nuk u ngec në baltë.
Atje fitoni pak më shumë,
këtu e qeshura u shton gjumë.
S’është për ju tok e huaj,
kur keni këtu truallin tuaj…
Ju lëshoni deg’ e gjethe,
nipër, mbesa nëpër shtete,
po rrënjët këtu i keni,
thellë dheut të këtij vendi.
Dëgjoj turistët, djem e vajza,
thonë: Këtu është parajsa,
këtu mund të bësh miliona,
me ullinj, rrush, e limona!
Boll me kaq, ktheni rrotën,
nuk u kam lindur për botën!
Po për shpirtin e muret tanë,
ku qaj për ju, bashk’ me babanë!
Keni lënë trojet për të huaj,
t’i blejnë pronarët tuaj,
që vijnë, për të zotëruar,
“Tokën nga Zoti bekuar”
Ejani të më hapni derën,
t’u shoh sytë, t’u ndjej erën,
t’u shtrëngoj me mall mbi zëmër,
t’u puth prapë, faqen e ëmbël…
Kthehuni, o bij dhe bija,
ju pret nënë Shqipëria,
se në këta brigje të vjetër,
jetuan mbretëresha e mbretër!
add a comment