Xhemajl Pllana: Shtatorja e Dervish Shaqës do t’i bënte nder Shqipërisë këndej dhe andej Drinit
NJË SHTATORE PËR DERVISH SHAQËN DO T’I BËNTE NDERË SHQIPËRISË KËTEJ E ANDEJ DRINIT
Dhe, them se, sa do t’i shkonte shtatorja e këtij burri të kombit, Deçanit ose rrëzës së Alpeve Shqiptare!
Sepse, shtati i Dervish Shaqës më ngjan me shtatin e Shqipërisë Etnike…
Dhe, sikur të isha skulptor, piktor a poet, do të përshkruaja gjithë tiparet e tij fizike e njerëzore, prej atdhetari e artisti të paepur, që digjej e shkrihej për Shqipërinë Etnike.
Do të thurrja vargje për shpirtin e tij që e digjte malli për familjen, për shokët, për miqtë, për popullin, për Deçanin dhe për Shqipërinë e bukur të këtej Drinit.
Do t’i përshkruaja sytë e tij prej shqiponje, shikimin e tij të hekurt, vigjilent e largpamës.
Do të përshkruaja edhe çiftelinë dhe këngët e tij burrërore, plot mall, plot dhembje e plot histori.
Do të përshkruaja fytyrën, vetullat, mustaqet e rrudhat e tij burrërore, që pasqyronin fushat, pyjet, lugirat, shpatijet, lëndinat, malet, liqenet dhe burimet tona të bukura e të pashterrshme.
Do të përshkruaja gjoksin e tij si shkëmb graniti, dhe plisin e tij të bardhë si bora e majave të maleve tona të larta e kreshnike.
Do të përshkruaja gjymtyrët e fizikut të tij, që më ngjajnë me ato të trungut tonë etnik, të cilat duan të jenë të bashkuara e jo të ndara, të cilat duan frymëmarrje e qarkullim të lirë të gjakut, të cilat duan një trup e një organizëm të shëndetshëm, të fortë e të pamposhtur.
Sepse, Baca e meriton, prandaj ia kemi borgj…
add a comment