Kulturë\Letërsi

Shyqri Galica: Instituti Albanologjik përuroi studimin monografik të Prof. Dr. Kudusi Lamës për Akad. Rexhep Qosja

Instituti Albanologjik i Prishtinës
PËRUROI STUDIMIN MONOGRAFIK TË PROF. DR. KUDUSI LAMËS PËR AKAD. REXHEP QOSJA
Për veprën:
Prof. dr. Hysen Matoshi
Prof. dr. Shyqri Galica
Prof. dr. Fadil Grajçevci
Prof. dr. Shyqri Galica
VEPRA FILOZOFIKE, IDEOLOGJIKE E POLITIKE KOMBËTARE E QOSJES
Prof. dr. Kudusi Lama: “Rexhep Qosja – filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2021.
Studimi i prof. dr. Kudusi Lama, “Vepra filozofike, ideologjike e politike kombëtare e Qosjes” është një qasje e veçantë krijimtarisë së njërit nga veprimtarët më të shquar të kulturës shqiptare, i cili në kërkimet e tij studimore, letrare, eseistike e publicistike ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme. Fjala është për akad. prof. dr. Rexhep Qosja, ku autori do ta cilësojë filozof të madh të kombit shqiptar, që bashkë me të tjerë do të ndërtojë filozofinë e qëndresës kombëtare, ideologjinë e qenies shqiptare dhe politikën e mbijetesës përballë mohimit, por dhe të ndërtimit të shpresës mbi fuqinë e njerëzve të kombit nëpër histori.
Vepra e Qosjes cilësohet vepër me dimensione globale, vepër monumentale me thellësi filozofike, duke zbërthyer ideologjinë kombëtare, që sipas autorit është shqiptarizmi, është në të vërtetë vepër me identitet të veçantë.
Prof. dr. Kudusi Lama ka depërtuar në thellësinë e mendimit që e artikulon Qosja në veprat e tij, duke zbërthyer një nga një idetë, pikëpamjet, strategjinë kërkimore politike e filozofike, që me gjerësinë e saj depërton në thellësinë historike ku mbështetet duke krijuar formën e tyre. Duke veçuar si një nivel të një gjeniu epror, që mbi të gjitha ka idealet filozofike, ideologjike e politike kombëtare dhe shoqërore, autori thekson se Qosja është njeri i dashuruar në paqe e drejtësi me një dhunti të lartë intelektuale e shkencore, personalitet shumëdimensional. Ai ka arritur të artikulojë identitetin njerëzor në një spektër cilësish profesionale, politike, ideologjike, kulturore e gjithsesi shkencore, duke karakterizuar identitetin kombëtar si vlerë të veçantë vetjake, kombëtare, por dhe shoqërore. Në këtë rrjedhë autori ka arritur të analizojë strukturën jetësore duke u thelluar natyrshëm në biografinë që del prej ndërtimit të tij intelektual dhe në këtë kuadër të shpërfaqë posaçërisht përmbajtjen e krijimtarisë së Qosjes, madje në kontekst kombëtar e më gjerë si nevojë imediate e njeriut për t’u njohur me rrugët e synimet e lirisë.
Analiza e veprës së Qosjes është bërë mbase në aspektet më të ndërlikuara, që kërkojnë studim të thellë e durim të jashtëzakonshëm, së pari, duke pasur parasysh vëllimin e veprës dhe, së dyti, aftësinë për të komunikuar me të e më pas për ta interpretuar për receptuesin eventual. Pikërisht këto anë të qasjes ka arritur t’i përvetësojë autori i veprës dhe ta ndërtojë atë me një koncept që të kapet lehtë dhe të interpretohet me një fjalor të pasur e të kuptueshëm në dimensione që arrin ta vlerësojë këtë vepër si nevojë jo vetëm për lexuesin tonë, por edhe për atë të botës.
Në vepër janë dhe disa ndërhyrje, që autori i shfrytëzon për analogji dhe për ta zbërthyer më mirë anën psikologjike dhe për ta bërë më të afërt realitetin dhe filozofinë e jetës sonë në dimensione që i shtron Qosja në veprën e tij.
Duke lexuar këtë vepër të prof. dr. Kudusi Lama të duket se po dialogon me veprën e Qosjes dhe me realitetin e djeshëm dhe të sotëm të botës sonë, si dhe me synimet shekullore të popullit tonë për çlirim dhe bashkim. Edhe kur trajton aspektet historike, edhe këto aktuale, autori i sheshon në këtë vepër me një qasje brilante, një mendim i qartë, një gjykim i drejtë dhe gjithsesi një fjali funksionale që nuk të krijon asnjëherë ekuivoke. Edhe si formë ky libër të provokon, sepse autori ka ditur me aq mjeshtëri të konceptojë temat që shtrohen në veprën e Qosjes dhe t’i sintetizojë natyrshëm që duke lexuar këtë vepër të thellohesh edhe më shumë në filozofinë e ideologjinë kombëtare, që shtrohet në gjithë krijimtarinë e prof. Qosja.
Mendojmë se botimi i kësaj vepre është me shumë interes kombëtar e shoqëror, që do të kënaqte lexuesin e studiuesin për qasje të tjera të veprës së Qosjes, kurse si botim i vetëm kësisoj do të jetë vepër tejet e veçantë në bibliotekën e secilit intelektual dhe lexues, që do ta provokonte thellë për t’iu kthyer sërish krijimtarisë së korifeut të letërsisë e të kulturës kombëtare, akad. prof. dr. Rexhep Qosja.