Lëvizja\UÇK

Ramadan Avdiu: 32 vjet nga Epopeja e Kodrës së Diellit

32 Vjet nga Epopeja e Kodrës së Diellit
Më 2 Nëntor po bëhen 32 vjet nga dita kur eskadronët e vdekjes të UDB-së, policisë e ushtrisë jugosllave, si dhe kuislingëve shqiptarë, bashkëpunëtorëve besnik të tyre me Jusuf Karakushin në krye, në lagjen e Kodrës së Diellit në Prishtinë shkëputën nga jeta dy veprimtarët më aktiv të Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës dhe të Lëvizjes Kombëtare në përgjithësi të periudhës 1988 ‘89, Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun.
Të flitet për jetën veprimtarinë, moralin përgatitjen teorike, aftësitë organizative, shëmbëlltyrën, vendosmërinë, përkushtimin dhe guximin e dëshmorëve të Kodrës së Diellit do të duhej shumë kohë dhe shumë hapsirë. Mbase edhe shumëkush do të pyeste: Si arritën këta të rinj për kohë kaq të shkurtër të jetës së tyre t’i grumbullojnë në vete të gjitha këto vyrtyte…?
Si Afrimi ashtu edhe Fahriu si nxënës të shkollës së mesme e kishin filluar aktivitetin e tyre revolucionar kundër pushtuesve serbo-jugosllav dhe për asnjë çast nuk e pushuan angazhimin e tyre çlirimtar. Në shkurtin e vitit 1984, në moshën 19 vjeçare, Afrimi arrestohet në kazermën ushtarake të UJ, në Banja Llukë dhe dërgohet në burgun e Prishtinës. Gjykata antishqiptare e qarkut në Prishtinë, në Qershor të vitit 1984, në procesin gjyqësor kundër Organizatës Fronti Nacional Çlirimtar i Kosovës, Afrimin e dënon me 8 vite burg, nga të cilat 4 i mbajti në burgjet e Prishtinës, Mitrovicës në Kosovë dhe në kazamatin e Pozharevcit në Serbi.
Përderisa Afrimi kalonte nëpër rrathët e burgut famëkeq të Pozharevcit, ku përkundër të gjitha vështirësive që i kishte, për katër vite sa qëndroi në burg studionte me zellë. Fahriu me përkushtimin më të madh punonte drejt zgjerimit dhe afirmimit të luftës së drejtë të popullit tonë kudo në Kosovë dhe vise të saja, bile edhe më larg si në Bukuresht të Rumanisë, ku për një kohë të shkurtër sa qëndroi në këtë qytet kishte krijuar kontakte me krijues e intelektualë rumun, të cilët i kishte njoftuar me gjendjen e rëndë të popullit shqiptar nën ish Jugosllavi…
Daljes së Afrimit nga burgu në shkurt të vitit 1988 iu gëzuan të gjithë shokët. Iu gëzua edhe Fahriu ndonëse nuk e njihte që më parë, por pas pak kohe do të njihen në zjarrin e luftës, zjarrë në të cilin u kalitën pastaj. Vetëm pak kohë iu desht Afrimit që bashkë me shokun e burgt dhe të luftës, tashmë po ashtu Dëshmor Fadil Vatën, të gjenden në ballë të Lëvizjes studentore në fund të vitit 1988, dhe në fillim të vitit 1989, si dhe në ballë të Lëvizjes së organizuar të rezistencës në antipushtuese në Kosovë.
Në të gjitha demonstratat dhe manifestimit e protestës kundër pushtuesve në këtë kohë Afrimi dhe Fahriu do të jenë në ballë të tyre. Të gjitha traktet që ishin shumë të shpeshta në këtë kohë, dilnin nga dora e Afrimit dhe Fadil Vatës.
Përkohësisht nga aktiviteti i drejtëpërdrejtë në Kosovë Afrimi u shkëput në maj të vitit 1989, kur shkoi në ushtrinë jugosllave për herë të dytë, ngase para burgut si ushtar në Ushtrinë jugosllave i kishte bërë pesë muaj. Edhe aty nuk mundi të qëndroj, sepse mendjen e kishte në Kosovë tek lufta dhe shokët. Në shtator të vitit 1989 pas arrestimit të disa veprimtarëve të LPK-së, ai braktisi kazermën dhe u kthye në Kosovë, ku iu nënshtrua jetës në fshehtësi të thellë.
Në të gjitha aktivitetet kundër pushtuesve në radhët e para gjithmonë janë gjetur diku Afrimi e diku Fahriu deri në frymën e fundit të tyre. Ata ku e bënin një natë nuk i zinte tjetra. Gjithmonë ishin në kontakt me shokët, i udhëzonin, i sqaronin, i këshillonin për punët që duhej kryer si dhe për të gjitha problemet dhe vështirësit organizative që paraqiteshin.
Përkundër aktivitetit të parreshtur në rrafshin organizativ Afrimi gjente kohë edhe për të trajtuar probleme të ndryshme shkencore, për të bërë analiza politike të cilat botoheshin dhe shpërndaheshin dorë më dorë. Në fakultetin Filozofik të Prishtinës edhe profesorët çuditeshin me aftësit teorike dhe mënyren e trjtimit të problemeve nga Afrimi.
Afrimi dhe Fahriu ishin të vetëdijshëm për rrezikun që u kanosej nga kthetrat e UDB-së. Ata ishin betuar se në dorë të armikut nuk do të binin të gjallë.
Në fund të tetori t të vitit 1989, ndonëse ishin të rrezikuar ata nuk mund të rrinin pa iu bashkuar demonstratave që u organizuan në këtë kohë. Me një nëntor sapo filloi demonstrata në qendër të Prishtinës ata do të jenë në rreshtat e pare. Fahriu me shkathtësinë që kishte hapi dyert e shkollës së mesme, atëherë 19 Nëntori, në Prishtinë dhe u mundësoi nxënësve t’i bashkoheshin demonstrates, kurse me vonë para një mase prej afërsisht 12 mijë vetave Afrimi mbanë fjalim ku ndër të tjera do të thotë:
Vëllëzër dhe motra! Jemi tubuar këtu që me forcë ta ngrejmë zërin kundër pushtuesve shovinistë serbo-maqedono-malazezë, të cilët po ushtrojnë dhunë e terror mbi popullin tonë, të cilët vazhdojnë ta mbajnë Kosovën tonë të shtrenjtë të okupuar e në pozitë koloniale…
Ka ardhur koha kur këtë duhet ta themi me zë edhe më të fuqishëm dhe më të organizuar. Andaj, të bashkohemi rreth Lëvizjes dhe kushtrimin e lirisë ta qojmë në çdo shtëpi shqiptare…
Të nesërmen me 2 nëntor Afrimi dhe Fahri do të gjenden të rrethur nga forca të shumta të policisë pushtuese dhe të lakejve të tyre në lagjen e Kodrës së Diellit në Prishtinë.
Me dy armë që kishin Afrimi dhe Fahriu fillojnë një luftë të pabarabartë me njesitë speciale të policisë pushtuese dhe për dhjetë orë rresht luftuan e nuk u dhanë derisa trupin e njomë të Afrimit njëzet e katër vjeçar e qëlluan shtatë plumba, ndërsa për të shuar jetën e Fahriut njëzet e gjashtë vjeçar nuk mjaftuan vetëm plumbat, por u përdorën edhe helmet kimike të luftës.
Rënia heroike me armë në dorë dhe luftë të drejtpërdrejtë me forcat pushtuese policoro ushtarake serbe, motivoi shumë të rinj e të reja të ndjekin rrugën e lirisë të trasuar nga heronjtë Afrim Zhitija e Fahri Fazliu. Ata ishin pararendësit e një brezi të ri luftëtarësh, të cilët vazhduan luftën të rreshtuar në LPK, thelleuan rezistencën për të shkuar drejt themelimit dhe forcimit të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila, e ndihmuar nga aleanca veriaatlantike, arriti ta çlironte Kosovën shqiptare, duke e vënë atë në rrugën e shkëputjes dhe Pavarësimit të plotë nga Serbia, me çka realizohet ëndrra e heronjve që për liri dhe bashkim dhanë gjithaçka patën…
Ndonëse ishin shumë të rinj në moshë, Afrimi dhe Fahriu, me punën e tyre të palodhshme drejt çlirimit të kësaj pjese të Atdheut, si dhe me aktin e tyre të rënies heroike morën pavdekësinë. Ata populli ynë i kujton gjithmonë me krenari dhe pietet.
I përjetshëm do të jetë kujtimi dhe nderimi për Ta!
Lavdi për jetë e mot jetës dhe veprës së heronjve Afrim Zhita, Fahri Fazliu dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë, të cilët janë më meritorët që sot populli ynë jeton e punonë lirshëm në Kosovën tonë të pavarur e sovrane!