Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLII) – Fushë – Arrëzi – qyteza e varfër me pasuri të mëdha

Qyteza e Fushë-Arrëzit, e gjendur në rrugën e vjetër Kukës – Pukë, është qendër e Bashkisë në Rrethin e Pukës dhe në Qarkun e Shkodrës. Është vend me terren të thyer në brigjet e lumit Fani i Madh, i rrethuar me male të larta të veshura me pyje pishash. Ndodhet 82 km nga Shkodra, 68 km nga Kukësi dhe 23 km nga qyteti më i afërm, Puka. Rruga e vjetër, tashmë e rehabilituar, që degëzohet afër Fushë-Arrëzit dhe lidhet me Rrugën e Kombit në Reps, ka gjatësi prej 46 km. Deri u ndërtua Rruga e Kombit, në vitin 2010, rruga nëpër Fushë-Arrëz ishte lidhja e vetme me verilindjen dhe me Kosovën. Pastaj kjo zonë mbeti e izoluar, e strukur dhe e heshtur mes maleve.
Duke qenë një zonë malore, në Fushë-Arrëz ishte zhvilluar industria e përpunimit të drurit. Ishin ndërtuar sharra të drurit, fabrikë për tharjen e drurit, zdrukthtari, stabiliment për përpunim dhe ndërtim të dyerve e dritareve, fabrikë të mobilieve etj. Këtu grumbullohej rrëshira e pishës, e cila përpunohej në nënprodukte, që ishin të kërkuara në tregun e jashtëm. Kishin filluar të shfrytëzoheshin edhe mineralet e nëntokës. Qyteza kishte Fabrikën për Pasurimin e Bakrit, e cila sot i është dhënë me koncesion një kompanie turke. Janë edhe dy miniera të xehes së bakrit me kapacitet të madh të nxjerrjes dhe të transportimit të mineralit.
Fushë-Arrëzi ishte një qytezë e vogël industriale, qytezë e industrisë së drurit dhe e nxjerrjes e pasurimit të mineralit të bakrit. Kishte fuqi të madhe punëtore, rrjedhimisht edhe rritje të popullsisë në 10 deri 15 mijë banorë. Pas vitit 1990 çdo gjë ka ndryshuar, ekonomia është rrënuar në masë të madhe. Një pjesë e kapaciteteve ekonomike është dhënë me qera apo është privatizuar, por dalëngadalë është paralizuar pothuaj e tërë ekonomia. Janë mbyllur fabrika e fibrës, e kollofonit, stabilimenti i përpunimit të drurit, mobilieria… As sharrat nuk punojnë. Për mungesë të kushteve për jetë, shumica nga banorët e Bashkisë së Fushë-Arrëzit janë detyruar të shpërngulen drejt qyteteve të mëdha dhe në botën e jashme. Nga një qytezë e bashki me pasuri të mëdha, Fushë-Arrëzi u shndërrua në një qytezë e bashki me papunësi e varfëri të skajshme. Nga një qytet i gjallë e i zhurmshëm, Fushë-Arrëzi u shndërrua në një vend të heshtur në mesin e maleve të larta.
Përkundër pasurive të mëdha natyrore, sot Fushë-Arrëzi, me 35 fshatrat e tij, është nga qytetet dhe bashkitë më të vogla e më të varfëra të vendit. Qyteti ka rreth 2500 e bashkia rreth 7500 banorë. Territori i bashkisë është i pasur me burime ujore dhe me pyje pishash, si dhe me pasuri të mëdha nëntokësore. Për fat të keq, ka munguar mbrojtja e duhur e pyjeve, të cilat janë dëmtuar nga prerjet ilegale e zjarret, kurse minierat u janë dhënë kompanive të huaja për shfrytëzim. Gjithashtu, mungon rrjeti rrugor që lidhë fshatrat e largëta malore. Gjatë muajve të dimrit pjesa më e madhe e fshatrave të bashkisë izolohen nga bora.
Kur jemi në Fushë-Arrëz nuk mund të mos e vizitojmë përkujtimoren për nxënësit e Malishevës, të aksidentuar me autobus më 14 tetor 2004, gjatë kthimit nga ekskursioni nëpër Shqipëri, me ç’rast kanë pësuar me jetë 15 të rinj. Një përmendore tjetër në Qafë Mali, jo larg Fushë-Arrëzit, përkujton dy të rinj nga Peja të rënë në pritë në gusht të vitit 1999; Ibrahim Nikçi dhe Rexhep Nikçi. Në sheshin e qytezës është ngritur përkujtimorja e Qeverisë së Përkohshme të Kimzës (Mirditë), e formuar më 27 prill 1911.
Fushë-Arrëzi është i njohur për vallet dhe këngët karakteristike popullore, këngët epike që përcillen me qifteli e lahutë. Që nga viti 2004 qyteza ka një ngjarje vjetore kulturore të veçantë, festivalin tradicional kombëtar të instrumentalistëve të vegjël, me emrin “Instrumentalistët e vegjël popullorë”. Veprimtari përcjellëse e festivalit janë edhe ekspozita e piktorëve të vegjël, ekspozita e drugdhendjes e organizime tjera.
Shuarja e industrisë pas vitit 1990, anashkalimi nga Rruga e Kombit, izolimi gjeografik dhe ekonomik ka bërë që qyteza e Fushë-Arrëzit të shpopullohet në masë të madhe. Megjithatë, sot qytezën e karakterizojnë traditat e larta malësore të mikpritjes. Banorët dallohen për mjeshtrinë e përpunimit të drurit dhe merren me mbledhjen e frutave të malit. Pyjet e zonës, mjaft të dëmtuara, pos me drurë, janë të pasura edhe me fruta mali, duke mundësuar që shumë familje t’i grumbullojnë dhe përpunojnë ato dhe kështu ta sigurojnë mbijetesën. Nëpër këtë zonë ka kushte e mundësi për ecje shtigjeve të bukura malore. Rreth 5 km nga qyteza, në fshatin turistik, Kryezi, ndodhet një lumë e një ujëvarë e mrekullueshme. Ky fshat me natyrë mbreslënëse, me mbi 35 kulla të vjetra tradicionale, bën pjesë në projektin kombëtar të “100 fshatrave të Shqipërisë”. Vet qendra e qytezës së Fushë-Arrëzit ka pësuar një transformim të ri urban, ka marrë një pamje të re e të bukur, duke u kthyer edhe ajo në atraksion të vërtetë turistik. Rrugët që lidhin sot Fushë-Arrëzin me Pukën, me Kukësin, me Repsin (Rrugën e Kombit) dhe me Iballën janë rrugë panoramike, të cilat kalojnë përmes grykave të maleve dhe nëpër një natyrë të paprekur dhe të mrekullueshme.