Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Njeriu i mashtruar i MIGJENIT

NJERIU I MASHTRUAR I MIGJENIT
(Fletëza migjeniane), 4
Migjeni e dëshmon një të vërtetë të madhe të artit: të shkruash për një kohë të shkurtët, të vdesësh i ri, të jesh shkrimtari që ka shkruar më së paku, dhe të shquhesh në plejadën e shkrimtarëve të shquar, ku as mosha e as sasia nuk janë kritere për art të mirëfilltë.
1.
Ai i drejtohet Njeriut të Vogël, të papërfillshëm, që poshtërohet, e përulet, madje, që frikësohet nga shteti, nga ligji, nga të mëdhenjtë. Personazhi i tij, më saktësisht, Njeriu i Tij, është qenia më e virgjër dhe më e pafat. Njëkohësisht është edhe tragjik, revoltues, herë-herë. Por gjithnjë i dhënë për bukën e gojës, gjithnjë i uritur, si lypësi i tregimit të shkurtër ekspresionist “Në kishë” (ekspresionizmi është rrymë letrare që e parapëlqen Migjeni). “E si do të jetoj unë”, thotë ai lypës në kishë, kur e dëgjon klerikun që dënuaka vjedhjen e të vobektëve. Ai e shtron pyetjen e tij” E si do të jetoj”, por përgjigje nuk i jep as prifti, as kisha, as shteti, as të tjerët. Largohet i dëshpëruar. S’ka revoltë të hapur, të brendshme. Tulatet në dëshpërimin e tij edhe ky lypës. Mu ashtu si punëtori i uritur tregimit tjetër “Moll’ e ndalueme”, që pështyn përballë fotove të artistëve.
“Phe! kta çojnë jetë – thotë, dhe afrohet për studim ma preciz. Asht filmi i përditshëm: një vajzë e bukur e pranë saj nji djalë i pashëm. Një zili në sy të punëtorit. Një mnijë ndjen për protagonistin. E shikon me sy të keq. Pshtyjnë. Shikon mathen e vet. Nuk din as ai vetë se ç’asht. Inkarnacion i këpucëve; shkarpa.”
Për një çast ai revoltohet, ai ngre grushtet lart, pezmatohet. E ç ‘ndodh tutje? Ai bëhet menjëherë i urtë, i tulatur, i frikësuar. “Ligji, polici” janë aty!
“Ndalet puntori përpara dyqanevet dhe nëpër xhama shikon. Shikon dhe shijon romantizmin e kohës. Përpara xhamit të një kartolerije: prap artistat! Shtrëngoi dhambët. Nga inati u ngritën grushtat përpjetë me një qëllim… por ligji! Polici! Ja përshkuen trutë. Me përbuzje i len artistat. Pështyn. Vazhdon. Prap pështynë. Shikon djathtas e majtas. Dhe pështyn. I undshëm e xhele-mel hec ngadalë përbri të dyqanevet plotë me ,’molla të ndalueme’ “.
A e mbron ky ligj punëtorin, njeriun e thjeshtë? “E duert i tij janë të ta të fuqishme. Edhe dreqin e kish kapë për fytit dhe e kish mbytë. Por edhe dreqin e mpron ligji.”
Edhe dreqin, por jo njeriun!
2.
S’ka rrugëdalje, përveç klithmës së brendshme: deri kur kështu!?
Ata enden rrugëve të fshatit e të qytetit dhe të duket sikur shtegtojnë rrugës për në Golgotën sociale e tragjike të kohës. Si kundërvënie një situate të tillë, një mendësie të pëtruljes, frikës, ikjes, poeti therrëet e të bijtë e shekullit të ri:
Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në «shejtnin» e tij,
e quem grushtin për me fitue
ndër fufta të reja
dhe me fitue…
Poeti tashmë nuk pyet as për ligjet shoqërore, as për ato të artit “të rregullt”: vargu i tij shprishet ritmikisht, bëhet “varg i lirë”, madje edhe te tematika ai prish shijen e “të lartëve”, temat “e larta” ua lë të tjerëve.
Ka alegori e sarkazëm, ka ironi dhe revoltë, ka shkallëzim të figurës letrare, ka edhe aluzione… dhe të gjitha këto janë një veshje figurative që e mbulon komunikimin e hapur. Herën tjetër, përkundër realitetit të rëndë social dhe këngës së dëshpërimit, shkruan poezi si “Shkëndija”, “Ekstaza pranverore” apo “Kanga e rinis”. Ai thërret dritën te “Kanga e pagjumë”, diku në terratisjet e shpirtit, i mbyllur në vetminë e tij.
3.
Edhe aso kohe, si sot, janë korrupsioni, përvetësimi a mashtrimi që i karakterizojnë njerëzit e lidhur me pushtetin. Sikur kot do at ketë thënë Frederick William Robertson: “Ka tre gjëra në botë që nuk meritojnë mëshirë, hipokrizi, mashtrim dhe tirani.” E pikërisht kjo mëshirë shndërrohet në “bijë bastardhe”, thotë Migjeni, kur sheh tiraninë sociale dhe shtypjen që e ushtrojnë hipokritët. A nuk ishte hipokrizi ajo e protagonistëve të mësipërm, kur mashtrimi, kënaqësia, lumturia, iu lejohen “të mëdhenjve”, por është e dënueshme nga Zoti, nga Ligji dhe Polici, për njerëzit e vegjël, të papunë, të uritur?! S’ka ditë që “keqbërësit” e shumtë, “të paemër”, goditen anekënd rruzullit tokësor. E “të mëdhenjtë”!?
Ndryshe, s’ka si forca ta mbrojë dhunën dhe mashtrimin.
E, të vegjlit, të vetmen pasuri e kanë karakterin e tyre dhe jetën e tyre lakuriq.
Ironia e jetës është e pafund. I vogli e ndershmi e pëson. Por nuk ka fundas diskreditimi që ndërmarrin të tjerët kundër këtij njeriu të vogël, për ta shpallur mashtrues e gënjeshtar.
E vërteta është në anën e artit. Poeti e mbron vendin e tij nga hipokrizia e tillë e të mëdhenjve, mbron Njeriun e Vogël të Atdheut.
Arti e ekzaminon këtë realitet të kamufluar me ligje e forcë.
(16 tetor 2021)