VIKTOR NASKA MIKU I VYER
Të nderuar miq të organizatës sonë, urojmë të jeni mirë kudo ndodheni, kudo punoni dhe jetoni!
Do të donim shumë që publikimi i radhës në faqen tonë të ishte në përkujtim të Dëshmorëve dhe veprimtarive tona në nder të tyre, por për fat të keq, po ndajmë bashkë një lajm të hidhur.
Sot u nda nga jeta nënkryetari i OFDA Dega Elbasan, Viktor Naska.
Familja ku ai u lind, u rrit dhe u edukua, është një nga familjet me brumë atdhetar, të trashëguar me dinjitet në çdo brez.
Viktori u lind në Elbasan në vitin 1939, nga prindërit Todi dhe Aspasia, vit që shënon dhe pushtimin fashist të vendit.
Ky pushtim, sikurse është fakt historik, zemëroi popullatën e gjerë, të ndershme dhe atdhedashëse, duke u ngritur me të gjitha mjetet, kundër këtij pushtimi.
Në këtë luftë të re, edhe Todi Naska, protagonist në shumë lëvizje politike në periudha të ndryshme historike, pjesëmarrës në Revolucionin Demokratiko – Borgjez të qershorit 1924, nuk mund ta pranonte kanosjen e re, ndaj lirisë së vendit. Por, kjo luftë e re, për familjen Naska, ishte me përfshirjen e të gjithë anëtarëve të kësaj familje.
Nga familja e nderuar Naska, Shqipëria ka në altarin e krenarisë kombëtare, komisarin e batalionit të Brigadës së II Sulmuese, Heroin e Popullit Kozma Naska, vëllai i madh i Viktorit, ndërsa vëllai tjetër, Simoni ka qenë partizan i këtij batalioni. Mihali, vëllai tjetër, ka qenë debatikas, dhe pas luftës, ka qenë një nga kuadrot me kulturë dhe dinjitet, që do t’i mungojë gjatë Elbasanit. Vetë Todi Naska ka qenë partizan i Batalionit të Dumresë, duke mos u ndarë nga asnjë aksion i këtij batalioni. Në periudha të ndryshme gjatë LANÇ, e tërë familja ka përjetuar burgimet në burgjet nazifashiste, pa përjashtuar këtu edhe gruan e familjes Naska, Aspasinë, bashkë me më të voglin e familjes, Viktorin 3 vjeçar…
Pas luftës, Simoni ishte një kuadër ushtarak, duke shërbyer në fronte të ndryshme, aty ku përvoja dhe aftësitë e tij, dinin të përballoheshin me sukses. Edhe vajzat e familjes Naska, Pavlina, Gjinovefa dhe Anastasia, motrat e Viktorit, kanë nderuar familjen dhe veten, të denja për gjithçka janë ngarkuar me punë dhe detyra.
Arsimin 7-vjeçar, Viktori i mori në qytetin e lindjes Elbasan. Më pas vazhdon gjimnazin në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Studimet në shkollën e lartë i kreu në Bashkimin Sovjetik, në Akademinë Bujqësore “Timirjazev”, të Moskës, në degën Gjenetikë Bujqësore. Sapo u kthye nga Bashkimi Sovjetik u emërua pedagog në Institutin Bujqësor të Kamzës sot Universitet. Drejtoi për disa vite Inspektoriatin Shtetëror të Farërave. Punoi në organet e pushtetit në Elbasan ku drejtoi institucionet bujqësore. Për 5 vjet punoi në kooperativën bujqësore të Pajovës së Peqinit. Për punë të mirë emërohet në Komitetin e Partisë Elbasan, në fillim si instruktor dhe më pas si sekretar për ekonominë i këtij Komiteti. Është zgjedhur anëtar i Këshillit Popullor të rrethit dhe si kryetar i këtij këshilli për mbi 8 vjet deri me 1991. Është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me urdhër e medalje pune. Me ndërrimin e sistemit del i papunë në moshën 50 vjeç, ndonëse ishte i vetmi kuadër i lartë e specialist në rreth, me këtë diplomë.
Edhe pse pesha psikologjike e papunësisë, dhe degradimit të politikës së asaj kohe ndaj Dëshmorëve të Atdheut, Viktori nuk u tërhoq të nderojë të rënët e lirisë, pavarësisht kushteve të vështira që u krijuan deri në vitin 1997.
Viktori, prej shumë vitesh, deri sa u nda nga ne, ka qenë nënkryetar i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, Dega Elbasan, i përgjegjshëm dhe mbështetës i qëllimit dhe veprimtarive të kësaj organizate.
Gjithashtu përgjegjshmëria e tij, ka qenë shembull edhe si familjar dhe kryefamiljar. Me bashkëshorten, Irmën, lindën, mirërritën, mirë edukuan dhe mirë arsimuan dy fëmijë të mrekullueshëm, Ornelën pedagoge në Fakultetin e Edukimit në Universitetin “A. Xhuvani” Elbasan, dhe Rezartin, aktualisht bashkë me familjen e tij jeton ne Amerikë.
Me ndarjen nga jeta të mikut tonë Viktor Naska, OFDA Elbasan, nuk ka vetëm një mik më pak, por ka më pak një njeri kuadër të vjetër dhe me përvojë, ndërsa familja humbi njeriun më të shtrenjtë.
Prehje në përjetësinë e paqes miku dhe bashkëpunëtori ynë Viktor Naska! Mes nesh do të kemi gjithmonë një vend bosh, të cilin do ta mbushim me kujtimet dhe angazhimet e tua. Ti le gjurmët e tua në rrugëtimin e jetës, ashtu si paraardhësit tuaj të nderuar! Është e vështirë të të themi lamtumirë mik i dashur.
add a comment