Ç’je ngrysur kështu miku im Noni? Ne kemi ardhur për të qenë pranë teje në këto kohë të liga. Në fakt, ishte e ditur se edhe ai një ditë do ta ketë një fund, si gjithë tjerët, kjo dihej por nuk e besonim se do ta hajë të pjekur, tamam si ajo anekdota!…
Nonin e mundi kureshtja, dhe pyeti për anekdotën, ngase nuk e kishte dëgjuar më parë?
… Po, na ishte njëherë një vjehërr, që ia kishte sjellë të resë së vet në maje të hundës. Ditë prej ditësh e reja shkon në gjini për të vizituar prindërit e saj. Vjehrra e saj kishte tymosur duhanin, dhe me cigare ndezë shkon në plevicë për të parë në mos pulat kishin bërë ndonjë vezë. Ndërkohë, nga pakujdesia e saj, plevica mori zjarr, dhe vjehrra nuk doli e gjallë prej aty!
Njëri nga të afërmit, shkon me vrap për ta marrë të renë e saj nga gjinia, ngasë duhej bërë edhe përgatitja për varrimin e vjehrrës së saj.
Gjatë rrugës ajo pyet të afërmin e vjehrrës, se si kishte vdekur e vjehrra e saj të cilën ajo e kishte lënë shëndosh e mirë?! Ky i shpjegojë ngadalë së e vjehrra e saj ishte djegur me gjithë plevicën! Nusja heshti për pak çaste, por nuk mundi të gëlltiste tërë ato vuajtje që kishte pësuar nga vjehrra, dhe i tha kushëririt të vjehrrës:
Për besë të zotit e kam ditur që ka me e hëngër dreqi një ditë, por se e hanë të pjekur, këtë nuk e kisha besuar kurrë!- përfundoi tregimin e anekdotës Gjoni.
– Miku im Noni, në përgjithësi, ne kemi një ves të lig, kur vdes dikush, pavarësisht së si ishte ai në jetë, ne nuk jemi sa duhet të sinqertë edhe pse hiqemi të tillë, dhe themi së vërtetë, ai ka qenë burrë i mirë, por ja që Perëndia e mori paqësisht. Ndërkaq sa dalim nga aty, themi se; ai ka qenë burrë i lig sa të duash dhe më në fund e pa zoti edhe atë!…
Duhet ta pranojmë së jemi ca hileqarë miku im, i bëjmë bisht të vërtetës dhe e gënjejmë njëri- tjetrin, sy me sy, për të gjallë e për të vdekur. Pra, nuk jemi të sinqertë, as me vet- veten tonë, rrjedhimisht, gënjejmë njeri-tjetrin pa nevojë duke shtuar: Ehu burri që ka qenë!
Jo, kjo nuk i ndihmon askujt, ne duhet të jemi të sinqertë, edhe në kohë të liga, si edhe në kohë të mira, që të ligës t’i themi e ligë dhe të mirës e mirë, tamam si ajo anekdota- vazhdoj tutje bisedën Gjoni.
Biseda vazhdoi më shtruar, ani pse nuancat e saja nuk ishin edhe aq të këndshme:
– E kemi me të dëgjuar- tha Gjoni, por gojët e liga po thonë se edhe zoti paska hequr të zitë e ullirit derisa e ke zënë të ndjerin për ta bërë “teslim”, ngase ky skilja ishte dredharak i rryer!
Më duket pak sa e habitshme mos përmbajtja juaj z. Noni, thjeshtë për faktin se ky edhe për së vdekuri, këtij vendi do t’i kushtojë prapë, nuk është e lehtë për ta hequr qafe këtë! Prandaj përmbahuni, ju me apo pa dashje, keni harruar koston e shpenzimeve që marrin ritet pagane të varrimit të tij, shpenzime këto të cilat fundi i fundit do të përplasen mbi kurrizin tonë. Gjithë ai kortezh mortor që do marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të tij, pastaj dreka e darka, kurora lulesh e qirinj etj.
– Megjithatë, ky spurdhjak ka vdekur, dhe vetëm vdekja e tij i arsyeton këto shpenzime me gjithë të pabërat e tij- plotësoj Bujari. Ne, duhet ta përcjellim atë nga kjo botë sa më parë, duke qenë të vetëdijshëm se ky, nuk do të ikte kurrë që këtej, me gjithë se edhe ky i ka takuar botës së politikës, apo nuk dëshironte të hiqej si kokë!, pa dyshim, si edhe shumë dështak tjerë të kësaj bote, që ikjen mundohen t’ua mbulojnë me ceremonira!…
– Po, ky ishte i politikës, dhe atë i politikë bërjes, shtoj z. Noni, me një ironi të dukshme. Atë e pat ndihmuar në emërim personalisht z. Kryeministër, dhe mburrej kudo me te, deri sa ai bëri ca të pabëra, pastaj erdhi momenti për ta shkarkuar, madje edhe shkarkimin e tij e bëri po vet ai, Kryeministri!
– Po e di- ia ktheu me po aq ironi z. Gjoni.
– Personalisht, nuk më ka habitur shkarkimi i tij, më shumë më ka habitur ngarkimi i tij me përgjegjësi nga ndihma e vet Kryeministrit! Ngarkimi me përgjegjësi të papërgjegjshmeve, nuk të shpien diku tjetër, veç dështimit dhe komprometimit. Me këtë akt, edhe vet Kryeministri u tregua i papërgjegjshëm, por lëre këtë bisedë tani, ngasë nuk është momenti i përshtatshëm- përfundoj Gjoni me një ngritje zëri, mbase të panevojshme.
– Nuk ishte ai i vetmi, në fakt ka makutër të tillë sa të duash që vuajnë nga ambiciet e tyre për të fituar pasuri e pavdekësi, duke ngarendur pas hijes së përjetësisë. Për fatin tonë të mirë, dhuntia dhe përjetësia nuk janë në dorën tonë, se po të ishin në dorën tonë, nami do bëhej!
Sa shpirt varfër është njeriu, me kërkesa të pafundme për të krijuar një kult, një hyjni, dhe atë pa mbulesë, mbi të cilën më vonë, do të hidhet i tërë mllefi i të dëshpëruarve, që në shumicën e rasteve janë ata, që e kanë ngritur dhe po vet ata, që duan ta dëbojnë- zbrazi prapë Gjoni!
– Na thuaj diçka Patër Cali, ngase kjo është edhe lëmia juaj- ndërhyri Noni.
– Po, po do ta themi, dhe po e them hapur o njerëz të mirë, në shoqërinë tonë ka edhe nga ata të kastës së politikës që kërkojnë përjetësinë, pra kultin dhe pavdekësinë, për nam e nishan, si presidentë, kryeministra, ministra, kryetarë, deputetë, imamët etj.- përfundoi Patër Cali bisedën ca me shpoti e ca me ironi…
– Edhe klerikët ëndërrojnë përjetësinë Patër- plotësoi bisedën Imam Babami, që ishte i pranishëm në këtë ceremoni mortore, tek po rrinte ulur me një qoshe të asaj dhome, krejt i papërfillur nga të pranishmit, si për ironi të çastit, ai nuk po mund të provokonte vëmendjen e të tjerëve, qoftë edhe me çehren e tij për t’i dhënë peshë pranisë së vet në këtë mes, prandaj edhe ndërhyri fare kot, vetëm e vetëm sa për t’u parë e sa për t’i dhënë peshë pranisë së vet, duke dyzuar edhe ambiciet e klerit për përjetësi.
– Ashtu është Imam efendi, që s’të vura re me kohë, por unë e kisha fjalën për ëndrrat dhe ambiciet e fshehura të të “mëdhenjve”, të cilët ëndërrojnë përjetësinë, gjë për të cilën vuani jo pak edhe ju Imamët- shtoi Patër Cali, paksa i zënë ngushtë që nuk e kishte vënë re me kohë hijen e zverdhur të Imamit dhe fijet e leshit të kuqe të mjekrës së tij të shpartalluar si të dalë nga ndonjë seancë përleshjesh parlamentare!…
– Pse, politikan i kastës së madhe paska qenë ky që iku?- pyeti zotëri z. Rrakaqi, që sa po bëhej gati të largohej, por që kureshtja për të ditur më shumë për të ndjerin, nuk po e linte të ikte. Në fakt, ai më shumë kishte për qëllim të nuhaste për pasuesit e mundshëm politik të të ndjerit, dhe për këtë shkak, ishte ngjitur si me gozhda për asaj karrigeje të vjetër.
– Po, tha Patër Cali. Ky ka qenë aq politikan i madh, sa ty nuk ta përthekon kjo rradakja
jote e thatë, zoti Rrakaqi, që sot po dukeni më keq se hija juaj e zymtë- shfryu hirësia e tij!
Tani atmosfera sa vinte e po tensionohej nga inatet e hershme, që ata kishin mes vete prej vitesh, prandaj z. Rakaqi, pavarësisht toneve të ngritura, pretendonte të përdorte urtësinë e tij.
– Më vjen keq Patër, ju sikur po më fyeni pa të drejt, justifikoni mendimin tuaj luteni, për ndryshe mos harroni Patër se unë këtë rradaken time e kam tharë e shkrirë kryesisht duke e futur në shërbim të atdheut. Ç’kam hequr unë, ç’kam hequr për këtë atdhe të bekuar, nuk e merrni dot me mend ju hirësi, por do ta kuptoni tani, ngasë erdhi dita jonë!…
Nëse beson ti Patër, kjo tharje e kësaj rradakeje vjen pikërisht nga barrët e rënda të atdheut të cilat kanë rënduar mbi supet e mia për shumë vite, prandaj si pasojë e barrëve të rënda, dhe takati tim të vogël, bënë që unë sot të katandisëm si mos më keq. Pyetni edhe Imam Babamin, nëse nuk më besoni mua, ai të thotë të vërtetën e madhe sa toka vet për sakrificat e mia.
– Më ndjejë zoti Rrakaqi, vërtetë ti ke moshë të thyer, madje e kuptoj se ke vuajtur shumë, prandaj edhe me dhimbsesh, kështu që, moshë e juaj ka nevojë që të përgjumet, të përmjerrë e pirdhet diku në ndonjë shtrat të ngrohtë krejt rehat, rehat por jo edhe në Parlament. Mbase të rëndojnë këto fjalë që po t’i them, por ti nuk e merr dot me mend, sa të shara ke ngrënë gjatë tërë asaj legjislature sa ke qenë i pranishëm!- ia ktheu Patër Cali, fare qetë dhe pa prishur terezinë!, ndërkaq që z. Rrakaqi shfryu e shfryu me furi, pasi që nuk i mbeti vend më aty, duke ikur, ai tha me zë të lartë që ta dëgjonin të gjithë:
– E di perëndia nëse nuk e di njerëzia, se ku ishin më herët taborët e mia Patër!
– Bjeri fjalës prapa Patër Cali! Si keni guxim ta fyeni zotin Rrakaqi, ai edhe sot për hir të atdheut është në gjendje të digjet!, ai edhe pse në moshë, tërë ditën po sakrifikon në seancat parlamentare. Zotëria i tij, nuk është nga ata që i ka mbetur Parlamentit në prapanicë, jo, atij Parlamenti i shkon mbrapa, si historia Ismail Beut!… A nuk e dini ju Patër, se zoti Rrakaqi, që nga pas lufta e dytë botërore e këtej, nuk ka pushuar së shaluari atin e pushtetit asnjëherë! por t’i lëmi këto fjalë m’anash se nuk na ka hije të zbrazemi kaq shfrenuar para të ndjerit tani!- shfryu imam Babami, më shumë për t’ju kundërvënë Patër Calit se sa për ta mbrojtur zotëri Rakaqin e lodhur e sfilitur fare, të cilin në një formë po e shpotiste keq.
– Me tamam, Imam Babami, por më duhet të sqaroj se vet zotit Rrakaqi i kanë hyrë që moti djajtë në prapanicë, mbase gabimisht, por që nuk po e lënë rehat as në pleqërinë e tij të thellë, madje në garën paraprake për pushtet, Rrakaqi ndërroi edhe grigjën mëmë, duke kalëruar nga dega në degë, për të gjetur një strehë që ofron më shumë e më përtej!
… Lulja jonë o degë me degë. sa i hip e sa i zbret, që të bëhet deputet!
Urojmë që të mos bëhesh figurë neveritëse imam efendi- përfundoi Patër Cali, me stilin e tij të ironisë, duke i dhënë bisedës kahe të papëlqyeshme në atë ceremoni mortore. Siç e kishte zakon ai. Vërtetë ky i ndjeri, për nga kashta nuk të krijon përshtypjen të ketë qenë edhe kaq i zoti për gjithë këtë ceremoni që po i rezervohet?- ndërroi temën hirësia e tij, më qëllim që t’i ikte grindjes së më tejme me Rrakaqin dhe Imam Babamin.
– Për nga koka nuk e di, por me të dëgjuara e kam; me nder jush, ky nuk ka qarë prapanicën fort as për atdhe, as për popull, as për fe, as për ne! Me keqardhje por, nuk po guxoj ta ngarkoj shpirtin tim me mëkatet e tij, sepse ky ka qenë një dilenxhi i pashoq, sa nuk ta merr mendja hirësi! Deri me sot, ia kemi mbuluar të zezat e tij, sepse kështu e donte dikur politika, por prej se ky i zbriti atkisë nga bishti, nuk do t’ia mbulojmë më të palarat as këtij e as ndonjë tjetri, madje as tuajat nëse të ndodhin.
Në fakt, unë as sot nuk e kam të qartë; nëse ky i takonte besimit tuaj Patër- përfundoi Imam Babami, dukshëm më i zbutur. Qoftë edhe ashtu hirësi- vazhdoi ai, si kishte mundësi që ta pranonit në grigjën tuaj, kur dihet mirë rregulli i lojës së konvertimit, apo donit thjeshtë që ta keni një numër më shumë në mesin e numrave të të penduarve të kësaj bote për të pabërat e tyre për gjatë rrugëtimit.
– Jo Imam efendi, jo, e keni gabim gjithë ditën, besimit tim nuk i takon ky rob zoti- ia priti Patër Cali me tërsëllëm. Ne, vërtetë e mbrojmë interesin tonë, që në mesin e grigjës së besimtarëve tanë të kemi njerëz të përkushtuar, por jo, jo assesi për njerëz të papërcaktuar, që dredhojnë bishtin nga të fryj era, pra gjithandej nga ua do interesi i tyre personal, që rrotullojnë gëzofin sipas motit, prandaj as urata për te, nuk pranohet!
– Është për t’u habitur Patër, gjithë ato pordhë e pluhur që ishin quar më parë për te!
– Nuk ishin as gjë më shumë veç se ashkla koti në të pasmen e atkisë, Imam Babami.
– Në fakt, për te, ne as sot nuk e kemi të qartë se kujt i takonte?!, as me djajtë e as me engjëjt, as me ty Imam as me mua, as me xhami as me kishë, as në shërbim të atdheut e as në dëm të armikut!… por më mirë të fillojmë nga puna o njerëz se na zuri dreka- përfundoi Patër Cali, duke thënë Amen!
– Vërtetë ky ka qenë i madh, si kokë dhe si okë- ia priti Sfurku, që po i zdritnin sytë si të maçokut nga urrejtja e pa përmbajtur për të pranishmit, pa dyshim edhe i gudulisur, nga ambiciet e tij të brendshme të papërmbajtura, që po e miklonin për të ngjitur shkallët e karrierës politike lartë e më lartë…
Ai po llogariste me vete: “Tani që ky nuk është më!”, ëndrrat e kahershme të Sfurkut sikur po i ofrohen portës së madhe përrallore për të trokitur me rrapëllimat e mbretit të vërtetë!
Ai po ziente përbrenda, dhe po shfrynte në heshtje edhe për vet të ndjerin, që ia kishte zënë vendin për gjithë ato vite e nuk e kishte dredhur bishtin më herët, në mënyrë që ai të ngjitej atje lartë, për t’i zënë pusinë viktimës së radhës, pa e ditur se edhe vet ai, një ditë, do të jetë njëra ndër këto viktima!
– Po ti z. Sfurku, sikur ke thënë se ky është i pazëvendësueshëm, kë thënë së është figurë historike. Tani po na del së edhe t’i mezi paske pritur që t’ia hedhësh!- ndërhyri Bujari.
– Po, por unë tërë kohën, fare hapur, kam mbajtur shumë flamuj nen sqetull!, kush të vjen ne pushtet unë me te jam. Jam skile e vjetër unë lum miku, kam kaluar një jetë majave të pushteti, unë jam me secilin që më qasë, jam në shërbim të secilit përderisa ai është në pushtet, ndërkaq, sa të bien nga majat, unë i pari ua lodrojë të parin e të fundit!…
– Mirë, por kungulli nuk shkon gjithmonë mbi uji z, Sfurku- ndërhyri prapë Bujari.
– Po shkon, shkon…, mua më ka shkuar gjithmonë zotëria juaj; si në kohë të Titos e Jugosllavisë, si ne kohe të Rugovës e demokracisë, unë aty me ta, si në kohë të Thacit, si në kohë të Isa Mavrisë, si në kohë të Haradinit edhe tani në këtë të Albinit, unë aty, në pushtet, në Qeveri, në Kuvend e ministri, me flamuj turli- turli!…
Në fakt, Sfurku, strategjinë e ambicieve dëshironte ta mbulonte me anë të sulmeve, gjoja në mbrojtje të të ndjerit, për të mos u vënë re para të tjerëve, pra aksioma së sulmi është mbrojtja më e mirë, qëndron tek popujt primitiv edhe sot e gjithë ditën!
Bujari u përmbajt ca në heshtje, ndërkaq Sfurku nuk u përmbajt më, dhe ngriti zërin në mënyrë gati urdhëruese:
Ne, duhet të fillojmë me ritet e çastit, për ta përcjellë të ndjerin – nuk e di, nëse është kjo punë juaja Imam Babami, apo e juaja Patër Cali?!
– Me vjen keq, z. Sfurku, por i ndjeri ka luajtur bishtin herë këtej e herë andej, prandaj është e vështirë të themi se kujt i ka takuar dikur, dhe kujt i takon tani?, mbase ti, mund të na ndihmosh ca në këtë situatë të pakëndshme- përfundoj hirësia e tij.
Të dy klerikët dhe Sfurku, rrudhën krihet në shenjë mohimi, mbase djallit i takon- ia priti Maçoku nga ana tjetër e dhomës, duke kafshuar buzën me dhëmbë për lapsusin që bëri, por që nuk u përmbajt më nga neveria e brendshme, duke dashur që të mbuloj lapsusin, si shkarje, ai tha me zë të prerë:
– Më vjen keq, por ka kohë që ne, nuk po komunikonim mes vete! U hidhëruam që moti, thjesht për punë interesash personale e shpirtngushtësie, dhe nuk u pajtuam që nga atëherë. Megjithatë, për aq sa di e mbaj mend, ne ishim së bashku me te edhe tek hirësia e tij, Patër!…
Për derisa ti Patër Cali dhe ti Imam Babami, nuk po e merrni përsipër ceremoninë mortore, atëherë s’na mbetet tjetër veç ta thërrasim zonjën tonë meritore, pra zonjën Adile e cila si kush në këto anë, me lot e qanë dynjanë!…
Madje, ajo i pati bërë edhe një këngë, nëse ju kujtohet: “ Do ta bëj Ushtrinë e Kosovës me!”… o si më paska dalë nga mendja, ngasë asaj, zonjës Adile, nuk po e pëlqente Ushtrinë e dalë nga lufta çlirimtare!
Nuk u mor vesh, në ishin duke qarë apo duke qesh? Adila, filloi për ta qarë, me zërin e saj të paparë. Ajo, ishte zonjë me emër, gojët e liga flisnin edhe gjëra të tjera për te, por do flasim një herë tjetër. Ajo filloj me ritin e vajtimit:
Oooo i miri ynë- Ooo, kush ta mendoi vdekjen Ooo!
Je shkri për atdhe Ooo, si trimi me fletë je!
Hije të kishte kuvendi, nuk të zinte vendi!
I pari në intervista!…
Maçokut dhe Sfurkut, po iu ndrisnin sytë, gati sa nuk kërcyen lartë nga emocionet, sa nuk e thanë me zë: “ O milet, mos rruani leshtë, detyrat e tij i kryejmë ne vet!”…
Atmosfera brenda ishte rënduar. Patër Ceni dhe Imam Babami, kishin rënë në gjunjë e po luteshin për të vdekurin, krejt kot e kot. Ndërkaq zoti Rrakaqi i cili ishte rreshtuar në krah me Adilën, duke dashur që të bëj një përshëndetje, gati ishte lagur ndër vete! Ai ngadalë e me takt po i thotë Sfurkut e Maçokut plak:
Qëndroni burra e bëni gajret, në derë e mira po na troket, ai iku e na mori leshtë, kështu iu thanë ngadalë në vesh! Maçoku mezi u përpi, dhe me vete po thotë; më ndjej o perëndi, sikur të vdiste për ditë nga një, nga një për ditë e nga një për natë, pastaj do flinte Maçoku rehat, rehat!…
Adila, kishte hakërruar sytë, dhe vazhdoi ceremoninë e vajtimit. I “ndjeri”, që e kishin shtrirë mbi një dërrasë, po dridhej nën bezen e bardhë, dhe nga ngashërimi, ai, ia dha vrapit e iku!… Të pranishmit u trishtuan nga e papritura, po ky qenka gjallë- thirrën ata një zërit!
– Ç’është kjo lojë, z. Noni, po ky nuk paska vdekur, ky qenka shtirë!
– Jo nuk ka vdekur- ia priti Noni, ky i “ndjeri”, donte t’ju provonte nëse e keni dashtë tamam, dhe nëse keni qenë sa duhet, besnikët e tij!
– Po kjo nuk e donte gjithë ketë mund e sprovë or zoti, Noni, ky i “ndjeri” e dinte fare mirë se nuk kishte qejf askush me ia pa surratin, vetëm kot e paskeni lagur shtratin!…
Tetor, 2021