Botë

Holanda mori kthesën… Kryeministri holandez përqafon miqësisht Kryeministrin shqiptar Edi Ramën

Kryeministri holandez Mark Rutte u shfaq me një qëndrim kryekëput të zbutur në raport me Ballkanin në samitin e Bërdos në Slloveni. Që në fillim, ai shpalosi të gjithë dashamirësinë e tij ndaj kryeministrit Edi Ramës, kur insistoi që shefi i ekzekutivit shqiptar të kalonte i pari për të hyrë në ndërtesë.

Më pas, në shenjën më të qartë se Holanda skeptike ndaj zgjerimit tashmë është pro nisjes së negociatave, u shpreh haptazi i pakënaqur me qëndrimin e Bullgarisë, vetoja e së cilës ka ngrirë çeljen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në, e po mban peng edhe Shqipërinë.

Rutte: Duhet të presim zgjedhjet në Bullgari, por nuk jam fare i kënaqur me faktin që nisja e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë e bllokuar. Mendoj se negociatat duhet të zhbllokohen sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që kjo do të ndodhë, me shpresë, pas zgjedhjeve në Bullgari. Do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për ta realizuar një gjë të tillë.

Lidhur me veton ndaj Maqedonisë së Veriut foli edhe vetë presidenti bullgar, Rumen Radev. Ai tha se përderisa “maqedonasit nuk e pranojnë historinë ashtu siç bënë më Greqinë, atëherë nuk mund të thonë “po” për negociatat. Radev e ftoi Shkupin t`i përmbahet, siç tha ai, pa kushte marrëveshjes për fqinjësi të mirë të 2017-tës, nëse e dëshiron anëtarësimin në BE.