Prof. dr. Sabri Hamiti, “A-Zh, romanet e Nazmi Rrahmanit”, botoi “Rilindja”, Prishtinë 1982.
Arti dhe interpretimi
Kritika letrare e prof. dr. Sabri Hamitit është arti i interpretimit, është vlera artistike e një studiuesi të zellshëm, jo vetëm në raport me romanet e Nazmi Rrahmanit, por si tërësi tematike e studimore. Prof. dr. Sabri Hamiti, kurdoherë ka afinitet për të bërë interpretim si askush tjetër. Ai është interpretimi artistik i Letërsisë Bashkëkohore Shqipe, në nivel kombëtar. Në këtë prizëm lexohen dhe trajtohen qasjet e tija edhe për romanet e Nazmi Rrahmanit duke u kategorizuar si njohësi më i mirë i romaneve të shkrimtarit. Këtë konstatim na plotëson autori, me të lexuar studimin e tij “A-ZH, romanet e Nazmi Rrahmanit”, vepër kjo që edhe për ne u bë pikë referimi, po më shumë si dokument mbi të cilin jemi bazuar për të mos i devijuar mendimet dhe pikëpamjet letrare e psikologjike për romanin Malësorja që kemi në shqyrtim.
Interpretimi si art letrar
Prof. dr. Sabri Hamit, në studimin letrar për romanet e Nazmi Rrahmanit ka hapur siparin e studimeve më të kompletuara për këtë prozator të njohur, të lexuar dhe të dashur në Kosovë. Në fillimet e studimit “A-ZH, romanet e Nazmi Rrahmanit“, ai flet për “Biografinë e veprës letrare” si dhe për “jetësimin e saj“, përmes mënyrës së shkrimit letrar, përmes së cilës do të mbetet në jetë autori. Ky studim, është interpretim artistik për romanet e Nazmi Rrahmanit, dhe do të mbetet një vepër monumentale në këto vlerësime, të cilat autori do t’i thellojë edhe më tej në studimet e tij, jo si qasje e detajuar por si përforcim e referencë e përgjithësuar.
Përshkrimi i ambientit në veprën letrare
Në shënimin “Hyrje për lexim“, studiuesi Sabri Hamiti, padyshim e bën një interpretim artistik të prozës së Nazmi Rrahmanit, të cilin me sa duket e kishte, fillimisht mësues, e pastaj mik e koleg pune. Këto dy referenca na bëjnë të kuptojmë edhe më mirë përkushtimin kritik e profesional të Sabri Hamiti, i cili në fushën e kritikës letrare ka bërë emër të respektuar, sa në shumë segmente letërsia shqipe e Kosovës, por edhe ajo në nivel kombëtar, do të mbeste e paktë, kryesisht më pak e njohur, pa qasjet e tij kritike e studimore prej një eruditi e hulumtuesi të zellshëm, që ka bërë mjaft në fushën e letërsisë.
Prof. dr. Sabri Hamiti, që në fillimet e këtij studimi saktëson se “të rrallë janë ata shkrimtarë, që kaq me ngulm dhe kaq me konsekuencë e krijojnë… vetëm një formë letrare. Nazmi Rrahmani e krijon vetëm formën letrare të romanit,“, dhe më tej ai thellohet në studimin për t’i thelluar njohjet dhe në anën tjetër për ta shtuar botëkuptimin kritik mbi romanet e Nazmi Rrahmanit. Dhe si askush tjetër, Sabri Hamiti, e realizon me sukses synimin e tij letrar mbi prozën moderne në romanet e Nazmi Rrahmanit, për prozën e të cilit mendon se “është formë që mbështetet në rrëfimin dhe në përshkrimin e jetës, që vetë si prosede jep mundësinë që komunikimin e vet me të tjerët ta bëjë në një shkallë më të drejtpërdrejtë,” kuptohet si formë më e përshtatshme që të shkruhet e rrëfehet jeta, d.m.th. një mundësi më e zgjeruar për të përshkruar jetën e ambientit, dhe për të shfaqur botëkuptimin e tij rreth atyre proceseve, me gjasë përmes artit letrar dhe kulturës së shkrimit të ndikojë në jetë e procese.
Qysh në atë studim të para dyzet vjetësh, Sabri Hamiti, ka konstatuar se veprat e Nazmi Rrahmanit, kanë gjetur lexuesin e saj. E padyshim, tashmë ky rreth lexuesish vetëm sa është shtuar, sepse ka kaluar një periudhë kohore edhe më e gjatë, ndërsa ribotimi dhe leximi i romaneve të tij s’kanë pasur të ndalur. “Pa mëdyshje, veprat e tij janë nga më të lexuarat nga autorët shqiptarë të Kosovës,” shprehej qysh atëherë Sabri Hamiti, e këto rrënjë të këtij suksesi duhet kërkuar në vlerën letrare që kanë veprat e tij.
Së këndejmi këto romane janë literaturë e detyrueshme që nga shkollat fillore dhe të mesme e deri në universitet, por siç ka theksuar qysh atëherë Sabri Hamiti, të interesuarit do të ndeshen me një paradoks, i veçantë dhe sinjifikativ. “Përkundër që vepra e Nazmi Rrahmanit bëhet lekturë e dashur dhe e kërkuar e lexuesit shqiptar, ajo mbetet gati e harruar nga kritika shqipe,” e kjo gjendje pothuajse nuk ka ndryshuar, as sot e kësaj dite, qoftë në raport me romanet e këtij shkrimtari, por edhe si qasje serioze ndaj letërsisë sonë në përgjithësi, duke mos dashur për t’i implikuar ato përpjekje kritike që merren me letërsitë e huaja e të modernitetit, shihet se kanë anashkaluar letërsinë bashkëkohore kombëtare pjesë e së cilës, madje avangardë janë romanet e këtij prozatori, që në thelb mbështet në një realitet social e kulturor të pasur, me një gjuhë të kulluar popullore, me fuqi shprehëse, njohëse e vepruese.
“Ta zëmë Malsoren, nuk mund ta kapë si duhet në lexim pos nëse e lexoj botimin e parë të vitit 1965” ka shkruar Sabri Hamiti, element ky që provokon mendjen e lexuesve të zellshëm, po sidomos të atyre që merren me këtë roman për t’u kthyer edhe ata në atë gjenezë për t’i shijuar ato vlera për të cilat shkruan prof. dr. Sabri Hamiti.
Kjo sintagmë na shpie tek hulumtimi se gjuha e prozës së këtij autori e shkruar fillimisht në gegnisht ndoshta ka prodhuar vlera më artistike se sa ajo që është rikthyer në gjuhën e njësuar, ndërsa për mendimin tim, që veprën e Nazmi Rrahmanit e kam shijuar vetëm në gjuhën e njësuar, mendoj se këto vlera kapen edhe në botimet e mëvonshme, por si duket tek profesor Sabri Hamiti, manifestohet vetëm ana ideoemocianele e “dashurisë së parë?!” shprehur në aspektin lirik në kuptimin më figurativ, pa pasur qëllim për ta përballur me ndonjë mendim ndryshe nga vlerësimi i prof. dr. Sabri Hamitit, i cili është interpretim emocional, dhe interpretim profesional, që ka vlerë për t’u kujtuar e për t’u mbajtur mend në ligjërimet dhe interpretimet e mëvonshme letrare.
Romani i Hajries
Kështu e ka titulluar studimin e tij Sabri Hamiti, një gjetje që ndoshta do t’i kishte shkuar edhe si titull këtij romani, i cili për protagoniste ka Hajrien. Po prof. dr. Sabri Hamiti, në asnjë rast nuk është “nëna e vakive” ai është studiuesi i zellshëm i letërsisë, interpretues artistik, depërtues i thellë, mendje i gjetjeve të rralla, i konstatimeve të sakta, qofshin ato artistike, figurative ose stilistike për “at roman të pashkruem të malsores, i cili nji ditë me siguri ka me u harrue, ashtu si janë harrue edhe mija të tjerë në këto male të Llapit e Gollakut, at roman që e shkruen njerzit me pashpirtësinë e tyne ndaj njeriut. Roman mbi vuajtjet e njeriut ndaj njeriut… Romanin që zen fill diku në Gollak, me nji vajzë të bukur që ende nuk e kishte shijue jetën, që vazhdon për nji grue të pafat dhe përfundon me…” gjë që impulson për vlerësime dhe interpretime më të detajuara, por vepra si e tillë mbetet artistike e cila ka piketuar rolin e gruas në shoqëri, dhe ndoshta personazhi i Hajries, pse është krijuar me aq dashuri mbetet njëri nga personazhet më të dashur të letërsisë sonë, sidomos sa u takon personazheve femra në letërsi, ka potencuar prof. dr. Sabri Hamiti, i cili ka shumë të drejtë, sepse romani Malsorja, më vonë Malësorja, ose siç dëshiron ta pagëzojë ai “romani për Hajrien“, mbetet vepra më e dashur në Letërsinë Bashkëkohore Shqipe në Kosovë.
Më tej, në studimin e tij, prof. dr. Sabri Hamiti, merret me karakterin e personazhit të cilit i bën një interpretim krahasues mjaft indikativ paska theksuar “që kap kohën në mes dy luftave” dhe më tej ka shtjelluar karakterin subjektiv dhe ndërtimin e personazhit të Hajries, e cila me kalimin e kohës i ka ngritur vetes një përmendore morale. Përveç shtjellimit të karaktereve mbi të cilat janë ndërtuar personazhet e romanit Malësorja, prof. dr. Sabri Hamiti nuk ka harruar për ta potencuar se “kultivimi i gjuhës së ambientit në veprën letrare të Nazmi Rrahmanit, kështu edhe në Malsorja, pos që arrin një funksion dhe funksionim të plotë artistik, ai i rri besnik dhe në mënyrë implicite e shpjegon metodën artistike të këtij krijuesi, që jetën ta sjellë sa më të afërme me vetveten në art,” ku bashkë me një “frazeologji popullore” dhe me përshkrimet që ia bën natyrës kompletojnë edhe më tej gjuhën dhe filozofinë e karaktereve brenda romanit.
Shikuar në përgjithësi, studimi i prof. dr. Sabri Hamitit, për romanet e Nazmi Rrahmanit, veçmas pjesa kur flet për romanin Malësorja, kompleton mendimin kritik duke iu dhënë kahe edhe kritikëve të mëpastajmë, veçmas atyre në nivelin e studimeve universitare për të mos dalë nga kjo kornizë që për fat të keq sikur ka stagnuar hulumtimet dhe qasjet e mëtutjeshme. Pra kritika letrare shpeshherë është frenuese, sidomos kur atë e shkruajnë personalitete të shquara siç është prof. dr. Sabri Hamiti, i cili gjithmonë ka gjetje e shprehje të rralla e shkencore që nuk arrihen nga të tjerët, prandaj më parë se të sfidohet mendimi i tij, të tjerët, më kollaj do të heqin dorë nga hulumtimi i mëtutjeshëm, nga pamundësia për të nxjerrë mendime dhe përkufizime të cilat romanin do ta trajtonin në një dritë të re, në një frymë tjetër.
Në vazhdim, prof. dr. Sabri Hamiti, merret me fazat e formimit të karakterit të Hajries deri tek ngritja e saj në personalitet moral me ndikim kompleks, veçanërisht në rrethana psikologjike e sociale të kohës, duke u kthyer në një personazh ku përmes “pavetëdijes personale” ajo ka bërë “kryesisht gjëra të ndërgjegjshme,” dhe “duke qenë e harruar,” e braktisur dhe e injoruar është ndërtuar karakteri i saj i qëndrueshëm dhe mjaftë ndikues për familjen dhe rrethin. Dhe kjo etapë mbyllet me thyerjen e “konvencave me forcën e durimit” për më tej ai e trajton këtë konvencë të karakterit, “para dashurisë për Hajrien, – Neziri” dhe tek “Sabiti, djali i dytë i Hajries, ia fal gjakun vëllait, Aliut, djalit të parë të Hajries. Pra dashuria e mund urrejtjen...” ka shkruar prof. dr. Sabri Hamiti, ndërsa Hajria do të arrijë për të sendërtuar karakterin e saj tashmë jo si e djeshme – e kaluara, por si e tashme që i hap udhë perspektivës, të nesërmes – ardhmërisë, parë në një dritë iluministe që ishte në përhapje e sipër gjatë viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar.
***
Studimi i mëtejmë i prof. dr. Sabri Hamitit, merret me romanet e tjerë të Nazmi Rrahmanit, ndërsa hulumtimi ynë është kufizuar vetëm për romanin Malësorja, prandaj ne do t’u rikthehemi vetëm atyre sekuencave që kanë të bëjnë me trajtimin e këtij romani, por jo të studimit si tërësi tematike e studimore, duke mos i përjashtuar aspektet kronologjike të shkrimeve për romanet në të cilat na jep një informacion interesant se romani Tymi i votrës së fikun, qenka shkruar para romanit Malësorja, edhe pse ky i fundit është romani i parë i botuar i këtij autori.
“Qenësore është qëndrimi i autorit ndaj jetës, ndaj materjes që thuret në tekstin e tij artistik, sepse nga ky qëndrim është e kushtëzuar edhe metoda e krijimit.” Ashtu siç e kam theksuar diku, për romanin Malësorja, edhe në studimin e tij prof. dr. Sabri Hamiti e paska theksuar se “në gjithë veprën (Toka e përgjakur), nuk kemi ndonjë faqe të përshkruhet rituali i ngrënies që do të ishte karakteristikë për një familje që s’e ka sa duhet bukën e gojës.”
Po ashtu në këtë studim, prof. dr. Sabri Hamiti, ka shkruar se romanet Rruga e shtëpisë sime dhe Malësorja janë dy romanet më të mira të këtij autori. Edhe pse dy pika të larguara nga njëra tjetra në krijimtarinë e tij.” Ky konstatim neve na motivon, dhe na inkurajon se kemi të drejtë pasi hulumtimi ynë për romanin Malësorja, bëhet për romanin ma të mirë të këtij autori. Në anën tjetër qëllimi ynë ka të bëjë edhe me fillet e romanit modern shqiptar në Kosovë, siç dihet Malësorja, është romani i pestë (si libër,) përkatësisht i gjashti si zhanër i botuar në Kosovë, dhe ka rezultuar jo vetëm romani më i mirë i këtij autori, por romani më i mirë që është botuar në Kosovë, vepër kjo që ka përmbushur një boshllëk kulturor e arsimor, letrar e pedagogjik, prandaj ka gjetur përdorim të gjerë në të gjitha nivelet e arsimit shqip në Kosovë, duke u bërë romani bashkëkohor shqiptar më i dashur, më i lexuar dhe më i komentuar brenda sistemit akademik shkollor.
Sugjerim indikativ
Të gjithë ata që mund ta kenë lexuar këtë shënim timin, i kisha këshilluar të mos e lexojnë në fillimet e tyre studimin dhe mendimin kritik të prof. dr. Sabri Hamitit?! Ata ose ato, duhet fillimisht ta ndërtojnë temën e studimit letrar, t’i zbërthejnë format dhe teknikat e shkrimit, pra të shtrohet e trajtohet tema në të gjitha planet dhe variantet e studimeve letrare dhe vetëm pastaj le të merret në shqyrtim edhe ky tekst kritik, ky interpretim artistik, pasi leximi i tij në fillimin e studimeve mund të jetë më shumë frenues, nuk iu hap perspektiv, përkundrazi ua mbyll horizontin, ua shkreh imagjinatën, sepse ky studim nuk të lë mundësi për t’u thelluar, për të thënë edhe diçka tjetër?!…
Kështu siç është përkufizuar teksti kritik i prof. dr. Sabri Hamitit, ka përfshirë të gjitha mundësitë e interpretimeve të reja, të gjitha nuancat e një studimi të mirëfilltë letrar. Pra, vetëm pasi të jetë krijuar koncepti i studimit, kjo vepër kritike e studimore është dokumenti më i mirë për t’i krahasuar qasjet dhe dijet e secilit, për ta matur secili vetveten, nëse studimi i tij ose saj ka thënë edhe diçka të pathënë, ose ka shfaqur e shpërfaqur ndonjë mendim të ri?! Gjithmonë, këto përkufizime të prof. dr. Sabri Hamitit, do të jenë referencë profesionale për t’i korrigjuar, orientuar dhe për të simplifikuar mendimin kritik, pa bërë shkarje në qasjen kritike, në studimin letrar, gjë që asnjë studim tjetër, nuk do të dalë i kompletuar, i përsosur nëse nuk merret referencë krahasuese ky studim kaq i kompletuar, i cili është uverturë e mirë për studime letrare të kësaj fushe, po sidomos për ata që do të merren me romanet e Nazmi Rrahmanit.
Vetëdija letrare
Studimi i aspektit teorik dhe relacionet e saj me letërsinë, forma e shkrimit letrar të romanit, qoftë ai përkufizim formal a tematik brenda një letërsie kanë krijuar suksesshëm portretin e shkrimtarit Nazmi Rrahmani, që si “vetëdije letrare“, si përkufizim artistik, si strukturë e shtresëzuar studimore, pra edhe në aspektin social e psikologjik, për më tepër si vepër artistike e realizuar mirë, edhe nga aspekti i karakterit letrar e artistik, padyshim se mban vulën ky studim i prof. dr. Sabri Hamitit.
*Ky shënim është pjesë e studimit, “KARAKTERI dhe ARKETIPI në romanin MALËSORJA të Nazmi Rrahmanit”, Prishtinë 2021, faqe 321 – 330.