Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXLVIII) – LIKOCI – fshati që ishte bërë kryeqendër e Kosovës

Likoci është një fshat me reliev kodrinor i krahinës etnografike të Drenicës, komuna e Skënderajt. Ndodhet në një rrafshnaltë, në lartësi mbidetare 765 metra. Sipas regjistrimit të vitit 1981 Likoci kishte 1142 banorë, kurse sot ka rreth 2000 banorë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve jetojnë në Skënderaj, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Prishtinë, si dhe në botën e jashtme. Ndodhet rreth 20 km nga Skënderaj e Drenasi, 40 km nga Mitrovica dhe 55 km nga Prishtina.
Fshati historik i Likocit në zemër të Drenicës mburret me të kaluarën e tij, veçanërisht mburret, me të drejtë, për kontributin që dha gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së në vitet 1998 – 1999, kur faktikisht ishte bërë kryeqendër e Kosovës. Në fshatin Likoc ishte vendosur, për herë të parë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pos kësaj, në Likoc është hapur spitali i parë ushtarak i UÇK-së, është formuar njësiti i parë i Policisë Ushtarake, është hapur Akademia e parë Ushtarake… Në rrethana të jashtëzakonshme të luftës është formuar dhe ka funksioniar trupa artistike “Hamëz Jashari”, duke e mbajtur të gjallë jetën kulturore e artistike në ato kohë shumë të rënda. Në kohën e luftës fshati Likoc ishte i stërmbushur me popullsi të zhvendosur dhe me ushtarë, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare. Vendësit thonë se Likoci, pas Prekazit, është vendi më historik i UÇK-së. Sigurisht, sepse ishte qendra kryesore e luftës dhe epiqendra politike dhe ushtarake e Kosovës. Gjatë luftës Likocin e kanë vizituar edhe shumë personalitete të larta ndërkombëtare, shumë diplomatë e gazetarë të huaj, si Kristofer Hill, Riçard Hollbruk, Volgang Petriq, etj.
Sot ish-selia e SHP të UÇK-së është e mbyllur, është pa përkujdesje institucionale, pa investime të domosdoshme, edhe pse vendësit kanë kërkuar vazhdimisht që objekti të ruhet e rinovohet, madje kanë kërkuar të kthehet në një muze të luftës së UÇK-së. Sot brenda objektit nuk ka asgjë që mund ta tregojë luftën e lavdishme pos disa fotografive të dëshmorëve, që janë sjellur nga familjarët e tyre. Edhe nga jashtë objekti ka pësuar dëmtime të mëdha, sepse i ka munguar mirëmbajtja institucionale. Nuk është mirëmbajtur as bunkeri pranë Shtabit, i ndërtuar gjatë luftës. Është një person vullnetar, ish-pjesëtar i UÇK-së, i cili pa shpërblim kujdeset dhe e mirëmbanë sadopak objektin e ish-Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Përndryshe, Likoci, si dhe selia e SHP sikur janë harruar nga institucionet, veçanërisht janë harruar nga ata mijëra ushtarë e eprorë që kanë qëndruar këtu, që kanë bërë plane e kanë marrë vendime për luftë, që kanë marrë urdhra e janë betuar se do të luftojnë deri në frymën e fundit, që kanë bërë furnizimin e njësiteve me armë dhe nga aty armët i kanë shpërndarë në të gjitha anët. Likoci është vendi ku janë formuar njësitet e para luftarake, nga grupet e togjet deri te brigadat e UÇK-së. Pikërisht nga Likoci, pas Epopesë së UÇK-së në Prekaz, ka marrë hov lufta çlirimtare, që ka përfshirë tërë Kosovën.
Si një fshat i madh, Likoci ka përparuar pas luftës çlirimtare, megjithëse banorët kanë kërkesa të shumta dhe ndihen të anashkaluar. Likoci është bërë me shkollë të re, me ambulancë publike, me zyrën e gjendjes civile, me shitore të shumta, me rrjetin e rrugëve të asfaltuara etj.
Shkolla e parë në Likoc është hapur para 96 viteve, qysh në Jugosllavinë e vjetër, në vitin 1925. Para LDB mësimi mbahej vetëm në gjuhën serbe dhe pas lufte, në gjuhën shqipe. Gjendja e objektit të shkollës së vjetër është shumë e keqe. Kjo shkollë ishte bombarduar e djegur gjatë luftës nga forcat serbe, kurse tash është braktisur, e mbetur në gjendje shumë të keqe. Në vend se të rinovohej e të përdorej si objekt për muze apo për ndonjë përdorim tjetër institucional, shkolla e vjetër sikur pret të zhduket krejtësisht nga faqja e dheut.
Pra, Likoci është vendi i betejave për liri, është fshati heroik i shkatërruar nga lufta, por gjithnjë i pamposhtur, është qendra dhe baza e qëndresës dhe e luftës sonë çlirimtare, është fshati i krenarisë kombëtare, me të cilin mburret tërë Kosova.