(Ose: përse barazia me Kosovën e tremb ende Beogradin që nuk heq dorë nga politika naciste-gjenocidale)
Për një vendim të zbatimit të ligjit në Kosovë, u çua peshë e tërë Serbia: me vuçiçët, vulinët e bërnabiçet, trashëgimtarë të regjimit dhe politikës së Millosheviqit; u çuan të trembur migët ruso-serbë, helikopterët, dhe, prej kësaj frike a ankthi, hedhin bomba dhe djegin edhe Qendrën e regjistrimit. E gjithë kjo hallakamë serbe, i ngjet racizmit të dikurshëm kundër zezakëve, kur ndalohej një i bardhë amerikan të mos e cenonte të drejtën e zezakut: “E ku ke parë ti të ma mohosh të drejtën ta rrah apo ta vras një zezak!?”
Meqë Serbisë iu ka rrëmbyer kjo e drejtë për vrasjen e shqiptarëve, ajo, me atë tërbimin e djeshëm, edhe sot bërtet me histeri politike, ushtarake e xhandareske: “E ku keni parë ju që të jemi të barabartë me Kosovën?! Ç ‘është kjo marrëzi për barazi?”
Tërhiqni trupat tuaja nga veriu i Kosovës, porosit Beogradi. Madje, ato trupa ata i quajnë trupa okupatore: “Serbia kërkon tërheqjen e të gjithë trupave që pushtuan veriun e Kosovës dhe Metohisë”, thonë mediat serbe. Serbia ende nuk e ka marrë mësimin historik me bombardimet e NATO-s. As mësimin nga luftërat çlirimtare të kombeve përreth saj, të pushtuara nga soldateskat gjenocidale serbe.
Kjo do të thotë, suipas tyre: ajo pjesë nuk i takon Kosovës, as ai kufiri atje në veri!
Po kush e ka vënë atë kufi?!
Shqiptarët e Kosovës? Kush e njohu në këta kufij Kosovën?!
Në OKB Bërnabiq, kryeministre serbe, shprehet se duan paqe, por Kosova ndez konflikt.
Pyetja shtrohet: çfarë konflikti?! Konfliktin e veturave e targave? Përse aq shumë këto targa e trembin Beogradin?
Ende mendojnë se, duke bërë sa më shumë zhurmë, duke shpifur e gënjyer sa më shumë, duke mjegulluar sa më shumë situatat, do të përfitojnë mbi kurrizin e Kosovës. Dhe, madje, duke i manipuluar tragjikisht serbët e Kosovës.
Cili ligj qenka këtu i padrejtë?
Këtë natyrisht, nuk pritet kurrë që ta thotë Beogradi.
Por këtë duhet ta thonë BE, Evropa perëndimore përgjithësisht, dhe të gjitha vendet liridashëse e demokratike. Nuk pritet që këtë ta thotë as Rusia, një perandori që shkel ende mbi lirinë e popujve të tjerë. Madje, për ta trimëruar Veriun e Kosovës në ndezjen e konflikteve, sipas mediave nga Serbia, thuhet: “Rusia i bën thirrje Prishtinës që menjëherë të tërheqë policinë nga veriu i Kosovës dhe Metohisë”. Dhe, për të qenë ironia më e madhe, se sa larg ka shkuar politika antinjerëzore dhe anti-Kosovë e Rusisë, shpërehet edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Rusisë:
“Ne jemi shumë të shqetësuar nga përkeqësimi i situatës në rajonet veriore të krahinës autonome serbe të Kosovës … Në thelb, kjo është një përpjekje e shqiptarëve lokalë për të pushtuar zonat e krahinës të banuara nga serbët dhe për të vendosur kontrollin e tyre atje. Ne i konsiderojmë këto hapa një provokim që synon të vazhdojë spastrimin etnik dhe dëbimin e serbëve nga Kosova.”
Përse Rusia nuk shqetësohet nga pabarazia?!
Përse Rusia nuk u shqetësua nga gjenocidi serb mbi Kosovën për një shekull rresht?!
Cili serb u shpërngul nga veriu për këto dy dekada?!
Nga veriu u shpërngulën serbët, apo etnitë tjera?!
Ndiqen serbët apo etnitë tjera?!
Kush i gëzon atje privilegjet me paga nga Kosova e nga Serbia, me privilegjin e mospagesës së rrymës e të ujit etj. etj.?
Nëse Kosova, sipas Pakos së Ahtisarit dhe sipas qëndrimit të BE e SHBA, është shtet multietnik, atëherë përse u dashka të krijohen sajesa njëetnike, siç është kërkesa për Asociacion etnik serb? A nuk është kundërthënie sui generis kjo?!
Dhe priti ti aeroplanët mig/ë serbo-rusë në kufi, helikopterët serbë në kufi, hedhjen e bombave nga grupe kriminale dhe djegien e Qendrës së regjistrimit në kufi! Me nxitjen e bekimin e Rusisë e të politikës së Beogradit!!!
Paqe dashka Rusia?!
Apo riciklimin serb të gjenocideve mbi popujt tjerë?!
Cilin gjenocid serb e dënoi Rusia në Ballakan?!
Natyrisht, ajo nuk do t’i tumirë as kujtojë asnjëherë qëndrimet e drejta të socialdemokratëve të dikurshëm rusë për Kosovën e çështjen shqiptare, apo atyre serbë, si Tucoviq… Rusisë e Serbisë kurrë asnjëherë nuk iu ka interesuar as liria e as barazia në Kosovë. Iu ka interesuar pacifizimi, gjenocidi mbi shqiptarët, pushtimi dhe shfarosja shqiptare.
Asnjë institucion i Kosovës nuk është formuar për diskriminim e serbëve në Kosovë, por është e kundërta: që ata të favorizohen e privilegjohen në secilin segment e në çdo hap. Tjetër punë është që jo pak prej tyre bartin barrën e fajit gjenocidal të regjimit të Millosheviqit, gjenocidit, kulturocidit e urbanicidit, karshi vrasjeve, të zhdukurve, grave të dhunuara, karshi sulmit frontal serbomadh kundër arsimit, ekonomisë, e kundër çdo gjëje të Kosovës. Kosova ka bërë përpjekje mbinjerëzore që ata serbë vendorë të mos ndihen me faj, që ata të integrohen natyrshëm aty ku e kanë vendin. Qoftë edhe në dëm të popullatës shumicë shqiptare.
Sot, në kohën e mediave digjitale, në epokën digjitale e të prirjeve të reja postmoderne, nuk ka mundësi që më ato të manipulojnë si të duan duke i zbatuar mendësitë e vjetra totalitare anti-litri e antidemokratike.
Serbët e Kosovës e dinë këtë fort mirë.
Shpesh ata, larg syve të mediave, e thonë që politika po i pështjellon këto punë. Domethënë: i mjegullon. Me “politikë” ata bëjnë eufemizëm për veprimet e dikurshme të Beogradit e për këtë të Vuçiqit.
Vuçiq u lut gjatë verës që ta nënshkruante një Deklaratë paqeje me Kosovën. Por jo: ai sipas shembullit millosheviqian dhe përgjithësisht serb, kurrë nuk e kanë nënshkruar paqen, por luftën, siç ndodhi në Rambuje. Në Kumanovë u detyrua ta nënshkruante kapitullimin.
Bota sot sheh edhe përtej kësaj mjegulle.
Në atë fundërrinë të së kaluarës politike-totalitare, do të mbyten vetë.
add a comment