Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka bërë reagimin e parë pas vendimit të Apelit të GJKKO-së lidhur me dënimin e ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ambasdorja Kim shkruan se më në fund u vendos drejtësi ndaj të korruptuarve, ndërsa shton edhe fjalinë me të cilën shoqëron çdo mesazh për drejtësinë: Askush nuk është mbi ligjin!
“Më vjen mirë të shoh që vendoset drejtësi ndaj zyrtarëve të korruptuar. Prokurorët duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve – pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm janë- të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar. Askush nuk është mbi ligjin!”, shkruan Yuri Kim.
Ish-kryeprokurori u dënua me 2 vite burg, për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste.
Ai u shpall fajtor për fshehjen e shpenzimeve për familjarët e tij në Gjermani në vlerën e 7050 eurove, fshehjen e shpenzimeve për lindjen e djalit në Amerikë në vlerën e 7700 dollarëve si dhe shpenzimet për ndërtimin e katit të 3 të banesës së tij.