FLETË NGA GOLGOTA E JETËS
(Çast lirik), 60
Në duar mbaj fletët e zverdhura e të zhubrosura të një dorëshkrimi të hershëm. I paskam lidhë disi me një pe të hollë, me një gjilpëre. Tash, kur i hapa përsëri, peri qenka këputur, e fletët ishin shpërndarë gjithandej. I mblodha me lotët e kujtimeve të dhembjeve.
Ç’të shpaloj në to?
Duke i shfletuar fletët, shfletoja të vërtetat e vuajtjeve të shpirtit, fletë[t e betejave të harruara të jetës, të humbjeve pa fund.
Mu duk se po shfletoja golgotën time të jetës.
(14 shtator 2021)
=========================
VARRI PËR NË GOLGOTË
(Çast lirik), 59
Dëshmitari i gjallë gjendet së bashku me mua. Ai ma solli me vete dëshminë e rrëfimit të tij për shkatërrimin e qytetit, për të vrarët e të zhdukurit e pafajshëm. Një fletë më vete ishte ai për një vajzë të re, shtatzënë, foshnjën e abortuar, të tronditur në bark nga krismat e minahedhësve, kishte dhënë shpirt. Ishte vrarë në barkun e nënës. Tash i kishin thënë që duhej ta ndryshonte dëshminë. Duhej ta fshihte të vërtetën, ato fletë duhet t’i grisësh. I kishte ruajtur me kujdes.
Për kohën tonë kjo është më e rëndësishmja, fshehja e të vërtetës, ndryshimi i të vërtetës historike, për hir të mirëkuptimit,- i kishin thënë.
Kishte klithur dëshmitari që e kisha pranë: si është e mundur që ky sakatim i të vërtetës të jetë më i rëndësishëm se dëshmia ime!
Tash ishte dërmuar i tëri. Madje, pinte e pinte, në shenjë pezmi e zemërplasjeje. Edhe tash, mezi po lëvizte. Ka ndodhur që ta kishin lënë, ashtu, në trotuar, me një leckë nën kokë, duke fjetur tërë natën.
Më tha: s’po mundem t’i harroj ato ngjarje, as t’i gris fletët. Gruaja ime që e lindi vajzën e vdekur, tashmë vetëm e vajton. Sa herë shkojmë me gruan te varret, ai udhëtim është tepër i rëndë. Na duket tepër i gjatë. Si rruga në Golgotë.
(14 shtator 2021)
========================
RRËFIMI QË NUK I ZË DHEMBJET
(Çast lirik), 58
Tashmë e kam humbur ndjesinë për realitetin, madje, më kanë shndërruar në një qenie që është bërë e pavlefshme, e verbër, për atë që ka ndodhë. Më duket se jeta ka rrjedhë kaq shpejt, me do pamje të përziera, kujtimesh të hidhura e rrallë të lumtura. Pamjet më vijnë krejt të turbullta. E ndiej se nuk jam i përgatitur ta hedh asnjë përjetim në letër: jam i humbur te ato kujtime kobzeza. E kam harruar përqafimin e gruas.
Gruaja tash po qante nga gëzimi që i erdhi, pas njëzet vjetësh, një tjetër foshnje në jetë. Nuk mund të përshkruhet klithma e të porsalindurës, gjaku i lehonës, dhembjet e lindjes… Rrëfimi nuk i zë dhembjet e pa rrëfyera, që nuk janë shlyer nga shpirti i saj.
(13 shtator 2021)
add a comment