Shqipëria/Aktualitet

OSBE – ja dhe SHBA – të vlerësojnë Kuvendin e Republikës për rritjen e transparencës gjatë pandemisë

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ OSBE dhe SHBA kanë vlerësuar arritjet e Kuvendit të Shqipërisë për rritjen e transparencës dhe nxitjen e pjesëmarrjes së publikut në procesin demokratik, sidomos gjatë pandemisë COVID-19.

“Këto vlerësime u konstatuan në raportin vjetor që Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, dorëzoi në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë në datën 2 shtator”, bëri të ditur sot Kuvendi i Shqipërisë.

Raporti vë në dukje “bashkëpunimin dhe partneritetin e shkëlqyer midis Prezencës së OSBE-së dhe Kuvendit, si edhe institucioneve shqiptare dhe shoqërisë civile gjatë vitit të kaluar”.

Vlerësimet pozitive të raportit gjetën edhe mbështetjen e Courtney Austrian, përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE.

SHBA evidenton dhe vlerëson: “Përpjekjet e Kuvendit të Shqipërisë për të rritur aksesin e publikut në procesin legjislativ përmes teknologjive të reja të tilla si e-Legjislacioni, platformat e konsultimit online dhe webinare të ndryshme. Këto janë qasje novatore që jo vetëm që informojnë publikun për aktivitetet parlamentare, por gjithashtu inkurajojnë pjesëmarrjen në procesin demokratik”, nënvizoi përfaqësuesja e SHBA në OSBE, Courtney Austrian.

Kuvendi mbetet i vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, si dhe në rrugën e reformave për të rritur qasjen e publikut në vendimmarrje dhe përmirësuar më tej procedurat dhe praktikat në funksion të rritjes së transparencës dhe efikasitetit të veprimtarisë parlamentare.

/r.e/