epa03003064 (FILE) A file picture dated 07 October 2008 shows Taliban spokesman Zabiullah Mujahid talking with a journalist in the mountains of Afghanistan volatile Helmand province, a hotbed of Taliban militants. Reports state on 14 November 2011 that Zabiullah Mujahid, a prominent Afghan Taliban figure and their spokesman may have been captured by the Afghan and NATO-led coalition forces during an operation in Paktika province of Afghanistan. EPA/STRINGER
Botë

SHBA, talebanët dhe Rusia, analiza e Bugajskit në DITA: Ajo që sot shihet si një disfatë e Perëndimit, pasojat më destabilizuese mund t’i shfaqë shpejt në Moskë

Janusz Bugajski – SHBA

Botuar në DITA

 

Zyrtarët rusë kanë mirëpritur publikisht marrjen e Afganistanit nga talebanët si një humbje e madhe për Shtetet e Bashkuara. Por pas kuintave, Kremlini do të luftojë që të parandalojë përhapjen e talebanizmit në Azinë Qendrore dhe brenda Rusisë. Një mënyrë parësore për Moskën për të shmangur kërcënimin që po i kanoset është të devijojë regjimin e ri në Kabul kundër interesave perëndimore në Lindjen e Mesme e më gjerë.

Mediet shtetërore dhe zyrtarët rusë janë kënaqur me tërheqjen e papritur dhe të përgjakshme të ShBA-së nga Afganistani. Rënia e shpejtë e qeverisë afgane pretendohet të ketë treguar se SHBA është një fuqi globale në rënie, së cilës nuk mund t’i besohet që të mbrojë aleatët dhe partnerët e saj dhe se NATO është një forcë e konsumuar.

Si Rusia ashtu edhe Kina gjithashtu mund të vënë në provë angazhimet e tjera të SHBA-së në Evropë dhe Azi, në një kohë pasigurie globale akute dhe presioni ndaj shteteve të synuara si Ukraina, Gjeorgjia dhe Tajvani, do të shtohet.

Fushata intensive propagandistike e Moskës gjithashtu do të shoqërohet me lëvizje që të drejtojë talebanët në ofensiva të reja anti-perëndimore. Qëllimi është të destabilizojë shtetet e tjera me shumicë myslimane, të përhapë ideologji fetare autoritare, të zvogëlojë praninë amerikane dhe të shkatërrojë axhendën për promovimin e demokracisë dhe emancipimin e grave të Presidentit Joe Biden.

Kërcënimi më imediat ndaj Perëndimit dhe Islamit të moderuar është ringjallja e terrorizmit global. Afganistani përsëri mund të përdoret në mënyrë efektive si bazë për të rekrutuar, trajnuar dhe përqendruar xhihadistë nga shtete të ndryshme kundër objekteve perëndimore, aleatëve dhe civilëve në mbarë botën myslimane.

Sulmet e reja në tokën amerikane dhe në Evropë nuk mund të përjashtohen dhe brezi i ri i talebanëve mund të jetë më i sofistikuar në fushatat e dezinformimit dhe më i arritur në luftën kibernetike dhe në vendosjen e armëve biologjike dhe pajisjeve të tjera (të sulmeve) me viktima masive.

Moska ka ndërtuar lidhje të ngrohta me udhëheqësit talebanë dhe ka marrë premtime se ata nuk do drejtojnë revolucionin e tyre islamik kundër shteteve laike të Azisë Qendrore. Por besimi i Kremlinit te talebanët mund të jetë i pavend.

Qëllimet kryesore të Moskës në Azinë Qendrore janë të mbajnë rajonin në sferën e saj të ndikimit, të mbajnë Perëndimin në distancë dhe të parandalojnë depërtimin e grupeve radikale islamike në Rusi. Padyshim që Rusia do ta zgjerojë praninë e vet ushtarake në rajon, duke përfshirë roje kufitare dhe forca speciale, por kjo mund të nënkuptojë tërheqje të trupave prej rajoneve të tjera ku Rusia tashmë është e përfshirë në luftëra ose pushtim, si në Ukrainë dhe Gjeorgji.

Pavarësisht pranisë së përforcuar ushtarake të shteteve të Azisë Qendrore përgjatë kufijve veriorë të Afganistanit, regjimi në Kabul mund të lehtësojë infiltrimin e grupeve të ndryshme ultra-islamike tek fqinjët Uzbekistan, Taxhikistan dhe Turkmenistan dhe të promovojë radikalizimin midis vendasve të pakënaqur.

Një numër i konsiderueshëm xhihadistësh gjithashtu do të kthehen nga frontet e luftës në Afganistan dhe tregtia e fuqishme e heroinës do të ndihmojë në financimin e kryengritjeve dhe terrorizmit.

Brenda në Rusi po shtohet frika për një ringritje të militantizmit xhihadist dhe terrorizmit anti-shtetëror, pasi zemërimi ndaj politikave të Moskës është përshkallëzuar gjatë pandemisë dhe në mesin e rënies ekonomike. Pushtimi i Afganistanit nga talebanët do të frymëzojë grupet rebele islamike në Kaukazin e Veriut, Vollgën e Mesme dhe rajone të tjera me shumicë myslimane, dhe luftëtarë të shumtë me përvojë që kthehen në vend nga Afganistani.

Një sërë sulmesh terroriste në qytetet ruse mund të pritet gjatë muajve të ardhshëm, veçanërisht nëse ato mbështeten dhe financohen nga regjimi taleban. Afganët i mbajnë mirë mend vrasjet masive të kryera nga Moska gjatë periudhës së pushtimit Sovjetik në vitet 1980.

Kreu i republikës çeçene Ramzan Kadyrov ka paralajmëruar për rrezikun që i kanoset Rusisë pas rënies së Kabulit. Ai duket se ka frikë se besnikëria e tij ndaj Presidentit Vladimir Putin mund të minohet nga një brez i ri i islamistëve anti-Moskë.

Një lëvizje e qenësishme xhihadiste që synon krijimin e një kalifati islamik të ngjashëm me Afganistanin, mund të rishfaqet në Kaukazin e Veriut. Ditët e fundit, arrestimi i dhjetëra anëtarëve të dyshuar të grupeve radikale islamike në bastisjet e policisë në mbarë Rusinë tregon ankthin e shtuar në mesin e qarqeve qeveritare për kërcënimin në rritje. Të arrestuarit u akuzuan për promovim të ideologjisë terroriste, financim dhe rekrutim aktivistësh dhe transportimin e tyre në zonat e luftës.

Sfidat ndaj integritetit shtetëror të Rusisë nga radikalët myslimanë gjithashtu mund të nxisë një mori kërkesash etnike, kombëtare dhe rajonale në të gjithë federatën e brishtë ruse.

Paradoksalisht, ndërsa Moska tani mund ta shikojë fitoren e talebanëve si një humbje për Perëndimin, pasojat më destabilizuese të tërheqjes së ShBA nga Afganistani mund të jenë brenda vetë Rusisë.