Analisti Mentor Nazarko ka komentuar sot në studion e “Opinion” në News24 qeverinë e re “Rama 3” dhe emrat e rinj apo të rikonfirmuar në postet që kishin.
Nazarko tha se priste që kryeministri Edi Rama t’i përgjigjej më masivisht dhe më cilësisht dëshirës dhe sinjaleve për ndryshim.
“Mungesa e debatit shkëlqente. Maskat ishin jo thjesht për t’u mbrojtur nga pandemia, por dhe për të fshehur gjendjen emocionale. Duhet të lexoje vetëm sytë. Vetëm nëpërmjet lëvizjes së syve duhet të interpretoje gjendjen e humorit të atyre që u përjashtuan, u konfirmuan apo u promovuan- duke jetuar nën ankthin e momentit të fundit. Ajo pamje është shenjë e kohërave që jeton PS, mungesën e debatit, qendërzimin e partisë tek një njeri.
Ne prisnim që Rama t’i përgjigjej më masivisht dëshirës, sinjaleve për ndryshim që vijnë nga shoqëria, nga trendet e përbotshme të jetës së partive apo në përgjithësi të jetës së qeverive dhe kriticizmit shoqëror. Ajo çfarë pamë sot ishte produkt edhe i përgjigjes për këto zëra kritikë, për këto ndjeshmëri kritike, por edhe i rikonfirmimit të ekipit të vjetër, diçka që pjesërisht është e kuptueshme. Në ministritë e jashtme, të brendshme, të mbrojtjes apo ndonjë ministri tjetër nuk kemi ndryshime, është tregues i qartë i komoditetit ku gjendet zoti Rama duke punuar me të njëjtët njerëz, me të cilët ka rezultate.
Shoh në këtë listë dhe dëshirën për të konfirmuar individë që kanë treguar sukses, për shembull ministri i Mbrojtjes, një menaxher i mirë si kryebashkiak por dhe i burimeve ushtarake. Një adresues i mirë i sfidave të kohës me fondet minimale te ushtrisë. Brenda kësaj ndjenje ekuilibri mes të vjetrës dhe të resë Rama është përpjekur te përgjigjet ashtu si di ai.
Për t’u veçuar gradimi i zotit Ahmetaj: Rama ndihet mirë me një njeri që ka menaxhuar jo vetëm rindërtimin, por edhe sigurimin e vaksinave, duke supozuar që dhe sot ai do të merret me atribute koordinimi të kryeministrit për buxhetin, etj. Një qeveri që reflekton dëshirën e ndrojtur apo të mbytur për ndryshim. Nuk ishte ajo çka unë prisja për të treguar një përgjigje të fortë te Ramës ndaj ndjenjës për ndryshim, por ne operojmë me metër tjetër nga ai i politikës”, deklaroi Nazarko.
Sa i përket emrave të përveçëm ai tha më tej se ndryshimet duket sikur në parti janë reflektuar më shumë. “Kanë ardhur figura të reja, siç janë parkuar figura të tjera të ekzekutivit. Kjo është dhe për të akomoduar rënien e tyre në tokë, për t’u dhënë shpresë dhe për të ruajtur unitetin. Por brenda në parti është vendosur një figurë si Damian Gjiknuri i cili është dikushi që ka treguar aftësi të caktuara ekzekutive dhe në rezultatet elektorale, pavarësisht nga kritika që ekziston rreth figurës së tij. Ndoshta dhe për shkak të këtij kriticizmi është menduar të mos i jepet rol në qeveri. Numri dy i partisë është dikushi që është afër kuzhinës apo kazanit të pushtetit. Do ketë zërin e vet, në politikat e kuadrit apo si bashkëbisedues i privilegjuar i kryeministrit në ndarje fondesh, etj. Është një figurë e rëndësishme”, u shpreh analisti.
Sipas tij, thirrja për të ndryshuar partinë ishte pjesa më interesante veshëse e ligjërimit të tij të sotëm eklektik.
“Një thirrje e arsyeshme që duhet të kumbojë dhe jashtë sallës së maskave. Partitë sot janë shndërruar në mekanizma reaksionarë, të prapambetur, që pengojnë të rinjtë, që ndërthuren paligjshmërisht me jetën ekzekutive, administrative dhe në këtë kuptim Rama i cili është shumë i vëmendshëm ndaj barometrit të ndjeshmërisë publike ka vendosur të reflektojë këtë mekanizmin e ndërmjetëm- Platformën e bashkëqeverisjes që do të rregullohet dhe me ligj.
Rama i cili ndjek modele në mënyrën si ushtron pushtetin prej disa mandâtesh (në Lindje dhe Perëndim) dhe nuk është vetëm Shqipëria, përpiqet të ruajë, apo të shfrytëzojë mekanizma vetëpërsosje të atij që është aparati i pushtetit personal.
Me platformën e bashkëqeverisjes, një mekanizëm që në një farë mënyre ai vendos lidhje të drejtpërdrejt midis tij dhe qytetarëve, pa kaluar nga qeveria, pa kaluar nga partia, ai komunikon me masën. Një njeri si ai që kalon shumë kohë me rrjetet sociale dhe që i përgjigjet shpesh herë dhe më të dëshpëruarit, është dikushi që do t’i japë idenë e ndryshimit audiencës së vet. Mu për këtë arsye ato kritika që drejtoheshin tek partia vlenin për qeverinë. Ky është paradoksi. Ai solli pak a shumë të njëjtët njerëz në qeveri, por bëri kritika për mënyrën se si funksionon qeveria, duke ja mveshur partisë. Ishte eklektike paraqitja e tij, kishte momente paradoksale”, deklaroi ai.
Nazarko theksoi më tej se ka një moment që është interesant – refleksioni për partinë. “Do duhet të pranojmë që me përjashtim të momentit të parë kur PD e viti 92-94 ishte një parti pararojë për shkallën e lartë të demokracisë, pluralizmit të zërave, pluralizmit të figurave, të debatit të brendshëm, ndoshta dhe për shkak se ishte partia më e re, kishte karakterin e një lëvizjeje me njerëz me prejardhje të ndryshme, më pas është PS që ka luajtur rolin e lokomotivës në ndryshime apo në atë përsosjen e vazhdueshme. PS e 96-2000 kishte pluralitet solistësh ; dhe Rama e zgjeroi udhëheqësinë. Me Rilindjen- u bë një parti – këtu dalloj nga shumica e kolegëve të mi, u përfshinë figura që nuk kishin karrierë partiake, menaxherë, që vinin qoftë dhe nga e djathta, që Rama e quajti Rilindja e parë, u bë diçka pozitive. Ishte një përpjekje për ta thyer atë gjoja zinxhirin karrieror që do të thoshte dominim të jetës partiake nga një grup njerëzish që ishin në parti prej 10 a 20 vjetësh dhe koha i dha të drejtë Ramës sepse ai fitoi zgjedhjet me atë grup figurash. PD e provoi suksesshëm me KOP në 2005, por Basha s e përsëriti Berishën.
Rama luajti me të ashtuquajturin deideologjizim të partisë, luajti edhe majtas edhe djathtas. Ishte një orientim pragmatik që është i lashtë sa parimi konfucian- s’ ka rëndësi c ngjyrë ka macja, rëndësi ka të kapë minj- dmth vota”, u shpreh Nazarko.
Ai theksoi se thirrja që ai bëri për të ndryshuar partinë është një sinjal që në një kuptim del edhe jashtë mureve të asaj salle ku ishin ata burra dhe gra me maska, është thirrje dhe për vetë PD.
“PD duhet ta kuptojë që është si PS një parti e tipit të vjetër, parti e tipit leninist, që funksionon me parimin e unitetit, kompaktësisë, atij që paguan kuotizacionin, pra edhe vetë PD duhet të ndryshojë”, tha ai.
Sa i përket vizionit të numrit një të PS, siç është akademia politike, Nazarko u shpreh se Rama ka pasur shkëndiza të tilla. “Fondacioni ‘Qemal Stafa’ p.sh, kur ai thirri ish-presidentin Meidani, ka vazhduar atë punën e vet, ndonëse nuk ka vizibilitet. Ai po tenton që ta shndërrojë në një akademi politike. Ai do të shartojë eksperiencën e të vjetërve, Ruka, Pëllumbi apo të tjerëve me të të rinjve për t’i ngjarë partive perëndimore.
Rama i ka shfrytëzuar pushimet verore për të karikuar bateritë dhe me ide të reja, apo me rishikim të të vjetrave. Është një pjesë që ndoshta nuk ka për të pasur impakt të menjëhershëm publik”, tha ai.
Për Nazarkon disa prej emrave në qeverinë e re janë konfirmuar dhe nga SHBA-të.
“Supozoj që një pjesë e mirë e emrave janë emra që kanë marrë gjithashtu dhe konsensusin e zyrave të rëndësishme të vendimmarrjes, siç thonë në Kosovë që janë SHBA-të, për ministri të caktuara, e Jashtmja, e Mbrojtjes, e Drejtësisë. Mendoj që përgjithësisht është marrë një lloj miratimi i tillë. Kështu shpjegohet dhe vendosja në krye të drejtësisë e zotit Manja. Manja identifikohet me reformën në drejtësi, ndryshimet ligjore, kushtetuese që janë zhvilluar në parlament. Në një farë mënyre ishte shpërblim për atë rol. Rama u përpoq të riintegronte dhe figura që ishin disidentë, po them Ditmir Bushatin. T’i riintegronte në parti duke i dhënë një bonus ngushëllimi figura të tilla si Majko që nuk janë më deputetë. U kujdes që të ruante kompaktësinë brenda partisë me figura besnike, d.m.th jo të rivalëve, duke treguar që jetëgjatësia e tij në pushtet është e garantuar dhe nuk fshihet ndonjë pasardhës”, deklaroi Nazarko.