PARIS, 27 gusht /ATSH-AFP/ – NATO, shumë vende të botës dhe talebanët kanë dënuar sulmin e dyfishtë vdekjeprurës të kryer dje në aeroportin e Kabulit, i pretenduar nga grupi xhihadist ISIS-K.
SHBA
Presidenti Joe Biden ka premtuar se do të “godasë” autorët e sulmit të dyfishtë dhe do t’i bëjë ata të “paguajnë”.
“Amerika nuk do të frikësohet”, theksoi ai.
Ai urdhëroi zyrtarët ushtarakë “të zhvillojnë plane operacionale për të goditur objektivat, hierarkinë dhe instalimet e ISIS-it në Afganistan.
Talebanët
“Shpërthimi ndodhi në një zonë ku forcat amerikane janë përgjegjëse për sigurinë”, tha zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, ndërsa dënoi “ashpër” sulmin.
NATO
Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s Jens Stoltenberg “dënoi me forcë këtë sulm të tmerrshëm terrorist”, ndërsa theksoi se përparësia mbetet “evakuimi i sa më shumë njerëzve në një mjedis të sigurt, sa më shpejt të jetë e mundur”.
BE
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjithashtu, bëri thirrje për evakuime të vazhdueshme nga aeroporti i siguruar nga SHBA-ja.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dënoi “sulmet frikacake dhe çnjerëzore në aeroportin e Kabulit”.
Kanadaja
“Ne i dënojmë me forcë sulmet terroriste në Kabul. Ne qëndrojmë me gjithë zemër me popullin afgan, të afërmit e viktimave, përfshirë aleatët tanë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë për të mbështetur afganët dhe për të mirëpritur refugjatët”, shkroi në Tëitter kryeministri Justin Trudeau.
Gjermania
Kancelarja gjermane Angela Merkel denoncoi një sulm “absolutisht të turpshëm”.
“Kjo është një situatë shumë, shumë e tensionuar për t’i larguar njerëzit nga vendi”, shtoi ajo.
BM
Për kryeministrin Boris Johnson ky sulm tregon “rëndësinë e vazhdimit të evakuimit sa më shpejt dhe me efikasitet që të jetë e mundur, në orët që na kanë mbetur neve”.
“Aktet e terroristëve nuk do të na ndalojnë”, tha ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab.
Italia
“Unë dënoj këtë sulm të poshtër dhe të tmerrshëm kundër njerëzve të pambrojtur në kërkim të lirisë”, reagoi kryeministri italian Mario Draghi.
Spanja
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dënoi sulmet, ndërsa theksoi se Spanja po punonte “për të evakuuar sa më shumë njerëz të jetë e mundur” nga Afganistani.
Franca
Presidenti Emmanuel Macron dënoi “me vendosmërinë më të madhe sulmet terroriste”.
Shtabi i Përgjithshëm njoftoi se Parisi po vazhdonte operacionet e tij për të evakuuar afganët, që largohen nga frika e hakmarrjes nga talebanët.
Rusia
“Rusia dënon me vendosmërinë më të madhe sulmin”, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Kina
Kina, fqinje me Afganistanin, “dënoi ashpër” sulmin, duke thënë se ishte “e tronditur nga këto shpërthime” dhe u bëri thirrje palëve të interesuara që të “garantojnë sigurinë e popullit afgan dhe shtetasve të huaj”.
Holanda
Kryeministri Mark Rutte shprehu keqardhje “për një tragjedi të tmerrshme”.
Norvegjia
Ministrja norvegjeze, Ine Eriksen Soreide dënoi sulmin ndaj “civilëve të pafajshëm që përpiqen të largohen nga vendi”, si një “akt mizorie të tmerrshme”.
Suedia
Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde i dërgoi ngushëllimet e saj familjeve të ushtarakëve amerikanë të vrarë në sulmet.
Polonia
Presidenti polak Andrzej Duda dënoi “në termat më të fortë sulmet e urryera në aeroportin e Kabulit”, duke shtuar se vendi i tij “qëndron me miqtë tanë amerikanë dhe afganë”.
Turqia
Turqia dënoi “një sulm urrejtjeje”.
Izraeli
Kryeministri Naftali Bennett, aktualisht në vizitë në SHBA, shprehu “pikëllimin e thellë” të vendit të tij “për vdekjet e amerikanëve në Kabul”.
Arabia Saudite
Arabia Saudite “dënon ashpër sulmin terrorist vdekjeprurës. Ky akt i urryer shkel të gjitha vlerat morale dhe humanitare”.
Egjipti
Egjipti dënoi “sulmin e dyfishtë terrorist” dhe rinovoi “solidaritetin e tij në luftën kundër të gjitha formave të terrorizmit”, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Jordania
Jordania dënoi sulmet dhe denoncoi “terrorizmin i cili mbetet një kërcënim i rrezikshëm”.
Katari
Katari denoncoi sulmin dhe hodhi poshtë “dhunën dhe terrorizmin, pavarësisht nga motivet dhe shkaqet”.
Emiratet e Bashkuara Arabe
EBA “dënoi këtë akt të tmerrshëm kriminal” dhe riafirmoi “nevojën për të siguruar stabilitet dhe siguri” në Afganistan.
Bahreini
Bahreini “dënoi këtë sulm frikacak terrorist”, duke shprehur shpresën për të parë “paqen dhe stabilitetin në Afganistan të rivendosur sa më shpejt “.
Irani
Irani ka shprehur “trishtimin e tij të thellë”, duke dënuar “sulmin ndaj qytetarëve afganë të pambrojtur, si edhe çdo operacion terrorist që synon gra, të rinj dhe fëmijë”, sipas një deklarate nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Saeed Khatibzadeh.
Kili
Kili i dënoi “ashpër” sulmet, duke i bërë thirrje “të gjitha palëve të sigurojnë sigurinë e nevojshme për të lejuar të gjithë ata që dëshirojnë të largohen nga vendi ta bëjnë këtë”, sipas Ministrisë së Jashtme.
Brazili
Brazili dënoi sulmet “me vendosmërinë më të madhe” dhe u bëri thirrje palëve “të garantojnë sigurinë e civilëve”, sipas Ministrisë së Jashtme./ /ervo/