Opinion

Ganimete Jakupi: Turkun vëlla nuk e ke

Nuk e di se si mund të quhet turku vëlla?! Atë nuk e ke vëlla as nga nëna as nga babai, nuk e ke farë e as fis, madje, madje, nuk është as bashkëkombës yti!… A thua ti zotëri ke lexuar ndonjëherë histori? A e di se kush ishte turku!? Sigurisht jooo! Teksa e shoh se aq ëmbëlsisht flet me të dhe i thua “Vëlla”, kjo për besë është çudi!… Pesë shekuj populli ynë ishte nën okupimin osman – turk. Gjatë këtyre pesë shekujve sa marrëveshja u bë nga ta me shtetet tjera pa dijeninë dhe pëlqimin e popullit shqiptar, sa femra e fëmijë u dhunuan e terrorizuan, sa masakra u bënë, sa shqiptarë u dëbuan nga trojet shqiptare, sidomos në vitet 1876-1878 nga Sanxhaku i Nishit e më gjerë…  Fshatra e qytete të tëra me popullsi shqiptare u shpërngulën me dhunë e gjenocid dhe u shndërruan në “Muhaxhirë”, duke lënë gjithçka që kishin vetëm e vetëm për të shpëtuar gjallë… Historia turke epokën e pushtimit të trojeve shqiptare e konsideron si epokë më të suksesshme dhe të rëndësishme në historinë e tyre, ku edhe krenohen me “Sulltanët që kanë prerë koka shqiptarësh”. Popullin tonë me dhunë e tjetërsonin në fenë myslimane, ku edhe sot e kësaj dite shumica dërrmuese e popullsisë e praktikojmë këtë fe, fjalët turke edhe sot fliten në mes nesh, kështu duke lënë edhe mjaft tradita tjera…Toka jonë, në të cilën ecim, çdo pëllëmbë e saj është e larë me gjak të vëllezërve dhe motrave tona. Historia jonë me luftëra dhe armiq të ndryshëm është përsëritur shumëherë, andaj secili nga ne mirë është t’i kujtojmë bëmat e zullumqarëve, ta lexojmë historinë tonë aq të rëndësishme se thuhet “Një histori që harrohet shumë shpejt përsëritet”…

Aty ku e la turku e vazhdoi serbi me të njëjtin ritëm. Territoret shqiptare i copëtuan dhe vetëm një copë Shqipëri u bë e pavarur! Terrori serb asnjëherë nuk pushoi mbi popullin shqiptar deri në vitet 1998 -1999, në luftën e madhe shqiptaro – serbe, midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrive të Serbisë, ku pas shumë betejave dhe me ndihmën e forcave të Nato-s vendi u çlirua… Plagët e popullit tonë janë akoma të freskëta, ende kemi shumë të pagjetur, të vrarë e masakruar, femra të dhunuara ku edhe sot ato nuk kanë guximin të dalin lirshëm e të rrëfejnë se çfarë kanë përjetuar nga serbët, kemi edhe shumëçka për të thënë, por okupuesi asnjëherë vendin e vëllait nuk e zënë… Se ndoshta s’ka për të kaluar pak kohë njësoj edhe serbit do t’i thuash vëlla, e do ta harrosh edhe këtë historinë e tanishme, ende lotët e nënave shqiptare pa u tharë për familjarët e tyre që i kanë të vdekur e të pagjetur! Andaj qëndro atdhedashës, pse i takon të njëjtës fe nuk do të thotë se turkun vëlla e ke!…