Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXXIV) – Gucia – qyteza e bukur alpine që po zhbëhet

Gucia është njëra nga dy qytezat e Luginës së Plavë – Gucisë dhe njëra nga 23 qendrat komunale të Malit të Zi, e rishpallur komunë në vitin 2014. Shtrihet afër vijës kufitare me R. e Shqipërisë, aty ku bashkohen lumenjtë Vrujë e Gërnçar, në lartësinë mbidetare rreth 920 metra dhe e rrethuar nga malet e larta të Alpeve Shqiptare. Është vazhdimësi e krahinës së Kelmendit, rreth 200 km nga Prishtina, 100 km nga Shkodra dhe 12 km nga Plava. Të theksojmë se Gucia e kishte statusin e komunës deri në vitin 1953, kur komuna ishte djegur në mënyrë misterioze. Pas zjarrit komuna ishte bartur në një shtëpi tjetër, por edhe asaj i ishte vënë zjarri një vit më vonë (në vitin 1954). Sigurisht se ishte zjarrëvënie e qëllimshme, në mënyrë që të kishte një shkak për t’u mbyllur komuna e Gucisë dhe për t’iu bashkuar komunës së Plavës. Bashkë me dy shtëpitë e djegura njëra pas tjetrës, ishte djegur edhe arkivi i komunës, d.m.th. historia e Gucisë. Me kthimin e komunës, në vitin 2014, sikur është korrigjuar një padrejtësi e bërë ndaj Gucisë 60 vjet më parë.

Dikur Gucia ishte qytet shqiptar, por që tash nuk ka më shumë se rreth 10 për qind e popullsisë shqiptare. Sot qytetin e dominojnë të deklaruarit si boshnjakë dhe myslimanë, që janë shqiptarë të asimiluar. Theksojmë se deri në vitin 1916 rreth 83 për qind e popullsisë së Gucisë ishte shqiptare e pjesa tjetër sllave. Pos që e ka ndryshuar rrënjësisht identitetin e saj etnik, Gucia gjithnjë e më shumë po zvogëlohet. Derisa në vitin 1961 kishte afër 3000 banorë, në vitin 2011 ky numër ka rënë në 1700 (komuna ka rreth 4000 banorë), sepse shpërngulja e popullsisë shqiptare është shumë e madhe, kryesisht në SHBA e Kosovë. Vlerësohet se gjysma e qytetarëve të Gucisë jetojnë jashtë vendit të tyre, megjithëse ata nuk janë shkëputur tërësisht nga vendlindja e tyre. Nuk ka trevë tjetër shqiptare me shpërngulje kaq të madhe, sa ka Plava e Gucia. Sikur rrjedhat historike të ishin normale e të mos kishte shpërngulje masive, Gucia jo 1700, po do të kishte ndoshta 100 mijë banorë.
Udhëpërshkruesi freng, Ami Boue, kur e ka vizituar Gucinë, në vitin 1836, ka shkruar se ky vend kishte 300 shtëpi e Plava vetëm 100. Nga fundi i shek. XIX numri i shtëpive kishte arritur në 1600, kurse i banorëve rreth 20 mijë, në kohën kur Plava kishte 1500 banorë. Është qyteti që kishte panair e ku vinin tregtarë që nga Stambolli e deri në Itali, Hungari, Kroaci, nga Shkupi e Shkodra. Në Guci i kishin dyqanet e tyre Ali Pashë Gucia, Haxhi Zeka, valiu i Bosnjës, sanxhakbeu i Shkodrës, Begollët e Pejës, Rexhepagajt e Plavës e të tjerë. Nëpër Plavë e Guci përshkonte rruga nga Kotori në Stamboll, nëpër Podgoricë, Pejë e Shkup. Gjatë Perandorisë Osmane Gucia ishte nahije, kaza, kapiteni. Haxhi Zeka ka thënë se “Plava e Gucia janë kala çelik e Shqipnisë. Të lejosh dorëzimin e Plavës e Gucisë anmikut, asht si t’ia japësh atij çelësat e Atdheut e t’ia hapësh dyert e Pejës e Gjakovës”. Fishta, te “Lahuta e Malcies” ka shkruar se Gucia është “Ora e Shqypnisë”.
Treva e parë shqiptare që e kërkonin malazezët ishte krahina e Plavë – Gucisë, të cilën fatkeqësisht ia njohu Kongresi i Berlinit në vitin 1878. Në përpjekje për ta nënshtruar Plavën e Gucinë ushtria malazeze pësoi humbje nga ushtria e Lidhjes së Prizerenit në luftën e Nokshiqit, dhjetor 1879 – janar 1880, e prirë nga Ali Pashë Gucia. Në tetor 1912 forcat malazeze e sulmojnë Plavën e Gucinë, por hasin në rezistencë nga vullnetarët, që mbronin vendin e tyre. Të dhënat historike flasin për rreth 1800 shqiptarë të Plavës e Gucisë të vrarë vetëm në vitet 1912 – 1913, kurse rreth 12 mijë janë konvertuar dhunshëm në ortodoks.
Nga Gucia ka qenë Ali Shabanagaj, i njohur në histori si Ali Pashë Gucia (1828 – 1888), çifligar, bartës i posteve të larta në Perandorinë Osmane dhe udhëheqës ushtarak i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. Ali Pasha njihet veçanërisht për luftën e Nokshiqit për mbrojtjen e Plavës e Gucisë nga ushtria e Malit të Zi, e komanduar nga Mark Milani, që kishte prejardhje shqiptare. Më vonë Ali Pasha ishte dorëzuar te autoritetet osmane dhe ishte amnistuar, duke iu dhënë poste dhe pasuri. Në qytetin e tij ende nuk ka një përmendore të Ali Pashës, pasi autoritetet malazeze vlerësojnë se ai kishte luftuar kundër interesave të shtetit të tyre.
Bazën e ekonomisë komunale e përbën pylltaria dhe përpunimi i drurit, si dhe blegtoria, pemtaria e lavërtaria. Pasuritë bujqësore janë tokat e punës; arat, kullosat e livadhet. Pasuria e jashtëzakonshme ujore, 8000 hektarë tokë e punueshme dhe rreth 7000 hektarë pyje krijojnë bazë të mjaftueshme për zhvillimin ekonomik të komunës së Gucisë. Nga ndërmarrjet bujqësore vlenë të përmendet “Alo Hot” me 200 punëtorë që merret me përpunimin e tokës, me përpunimin, prodhimin e tregtimin e pemëve e perimeve, me grumbullimin e bimëve mjekësore, me therrtore, me mulli etj.
Natyra e bukur e Gucisë dhe rrethinës, e rrethuar nga Parku Kombëtar i Alpeve Shqiptare, është e pasur me tokë bujqësore, me kullosa e male të larta, me shumë burime, lumenj, përrenj e liqene. Burimi më i madh i ujit janë Krojet e Ali Pashë Gucisë dhe Syni i Skafkaçit. Nga Syni i Skafkaçit krijohet lumi, i cili në kanionin e Gerlës krijon disa ujëvara mahnitëse. Pasuria ujore e zonës mundëson furnizim të mjaftueshëm me ujë të pijshëm dhe për ujitjen e tokave të punuara, për peshkim, për sport ujor e për turizëm.
Edhe pasuritë turistike janë të mëdha, duke marrë parasysh malet e larta e bjeshkët e begatshme, klimën e përshtatshme dhe shumëllojshmërinë e florës e faunës. Vet qyteza është vend tërheqës për turistë. Në këtë trevë zhvillohet turizmi veror – i bjeshkës dhe turizmi dimëror – i skijimit, si dhe turizmi kulturor tërëvitor. Me gjithë mundësitë e paskajshme turistike, kanë munguar investimet dhe ekziston një mosinteresim për zhvillimin e kësaj treve.
Tashmë është bërë traditë që më 30, 31 korrik e 1 gusht, në shtëpinë e re të kulturës në Vuthaj të mbahet festivali folklorik kombëtar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, me ansamble artistike nga të gjitha trojet shqiptare. Ndërkaq, më 1 gusht mbahet edhe takimi tradicional “Alpet Shqiptare” me bashkatdhetarë të ardhur nga mërgata.
Plava e Gucia është një krahinë etnografike dhe një zonë e thellë malore me rreth 500 km2, që ka histori, gjuhë e kulturë të lashtë. Dy qytetet alpine janë dy margaritarët e harruara të maleve tona. Janë të harruara, jo vetëm nga shteti, të cilit i takojnë, por edhe nga dy shtetet tona, duke u përballur me politikë asimiluese e emigruese të shtetit malazez.
Gucia nuk na mahnitë vetëm me bukuritë natyrore që e rrethojnë, por edhe rregull e pastërti, me rrugë të mira dhe arkitekturë të vjetër. Lidhja e Gucisë përmes rrugës panoramike me Vermoshin, Lëpushën, Selcën, Tamarën, Leqet e Hotit e Shkodrën paraqet mundësinë për një turne turistike me shumë befasira të këndshme. Duke parë interesimin e madh të turistëve për ta vizituar zonën, shtëpitë gjithnjë e më shumë po përshtaten në bujtina dhe po hapen lokale hoteliere, ndërsa në Guci janë hapur dy hotele të reja.