Vështrim/Analizë

Xhevat Gjini: Republikë me Kryetare por Ushtri pa komandant

(Komandantja Supreme e Ushtrisë së Republikës së Kosovës (FSK-së) është pyetur nëse ka frikë nga konfliktet e armatosura tani kur ushtria serbe po armatoset dhe ajo është përgjigjur se nuk e di se çfarë ka në mendje Serbia por, «nëse provojnë të kalojnë kufirin me Kosovën do të priten nga ushtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës»!!)

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kryetari i Republikës është Komandant suprem i Forcave të Armatosura (Ushtrisë). Dhe kështu duhet të jetë edhe në jetë e në ushtrimin e asaj detyre të rëndësishme shtetërore. Kosova ka sa vite që i ka forcat e saja të armatosura, që kuptohen si Ushtri e Republikës së Kosovës. Të paktën kështu e dëgjojmë të thuhet e shkruhet sa herë flasin pushtetarët për të fituar pikë politike e partiake. Ç’është e vërteta këta politikanë e këta pushtetarë nuk kanë bërë detyrën e tyre shtetërore e kombëtare gjatë këtyre 20 viteve për krijimin e një Force të Armatosur, të zonjën për mbrojtjen e vendit! Mirëpo, nuk mund të paraqitet e të prononcohet Kryetarja e Republikës para medieve të huaja sikur të mos kishte Ushtri dhe sikur të mos ishte Komandante e asaj Ushtrie (sipas funksionit), siç bëri me gazetën kroate kur tha se «nëse Serbia kalon kufirin do të përballet me ushtarët amerikanë»!!

Po i rikthehem kësaj deklarate, sa skandaloze aq naive të Kryetares së Republikës, që është edhe Komandante supreme e Ushtrisë për të treguar sa keq jemi në fushën e mbrojtjes së Republikës… Koncepti vasalist dhe autonomist i Kryetares dhe «komunitetit» të saj i dëmton seriozisht përgatitjet për mbrojtjen e kësaj copë Shqipërie dhe dobëson gatishmërinë shtetërore dhe popullore për ta mbrojtur Republikën e Kosovës në rast agresioni. Serbia po armatoset dhe po përgatitet në terrin e natës e në dritën e ditës për «ditën e saj». Në thumb të saj sigurisht që e para është Kosova shqiptare, e çliruar pas gati një shekulli përjekjesh, kryengritjesh e sakrificash të panumërta, me luftën e UÇK – së dhe të mbarë kombit shqiptar. Në anën tonë kësaj here ishin edhe Amerika dhe NATO – ja. Në thumb të Serbisë shoviniste e militariste janë edhe Bosnja e Hercegovina (shkëputja e republikës serbe…) dhe Mali i Zi. Ambiciet e Serbisë për të qenë xhandari i Ilirisë dhe për t’i ripushtuar disa nga tokat që u çliruan dhe pavarësuan prej saj janë ushqyer e po ushqehen edhe sot e gjithë ditën nga Rusia. Prandaj, pretendimet e shoviniste të Serbisë dhe militarizimi i ethshëm i saj nuk guxon të neglizhohet nga fqinjët e saj, e sidomos nga Kosova shqiptare dhe nga shteti ynë AMË!…

Nuk duhet të përhapet frikë nga Serbia militariste, sepse, në fund të fundit edhe ne sot jemi rreth 7 milionë në Iliri dhe po aq në Perëndim (pa llogaritur miliona shqiptarë në Turqi…) por, që populli shqiptar në Kosovë dhe në krejt Shqipërinë të flej i qetë dhe i sigurtë duhet ta ketë pushkën plotë. Dhe, që populli shqiptar ta bëj gjumin e qetë dhe të sigurtë duhet që dy shtetet e Shqipërisë (Republika e Sh. Dhe Republika e K.), madje edhe Republika jonë e Maqedonisë, të kenë ushtri të strukturuara e të stërvitura mirë dhe të pajisura me armët më modern me fuqi dhe aftësi mbrojtëse nga ushtria dhe shteti agresiv e shovinist i Serbisë. Kjo siguri dhe ky besim i shqiptarëve për të fjetur të qetë në shtëpitë e tyre nuk mund të krijohet me një mendësi e me një koncept idiotesk, që mbrojtjen dhe sigurinë e vendit e të popullit tonë e sheh te ushtarët dhe armët e miqve tanë!!??

Sipas konceptit të Kryetares – Komandantes, Vjosa Osmani, dhe “komunitetit” të saj për mbrojtjen dhe sigurinë e popullit shqiptar në Kosovë e më gjerë duhet të vdesin bijtë e nënave amerikane, kurse bijtë tanë duhet të bëjnë kokrrën e qejfit nëpër botë, në restaurante, plazhe e hotele!!?? Me deklaratën e saj ajo u tregoi miqve dhe armiqve se Republika e Kosovës nuk ka Ushtri dhe nuk ka djem e vajza që vdesin për lirinë dhe pavarësinë e saj!!?? (Prandaj, ironizonte Vuçiçi me bugjetin që ka paraparë Qeveria e republikës së Kosovës për Ushtrinë e saj…).

Vjosa Osmani dhe “komuniteti” i saj do të duhej të kishin kuptuar se Republika e Kosovës e ka Ushtrinë e saj (ani se të dobët për fajin e klasës politike e shtetërore…). Mirëpo, Ushtrisë së Republikës së Kosovës i mungon, siç u pa nga deklarata e Kryetares së Republikës, Komandanti, i mungojnë edhe fondet, siç na mungon, që nga pas Lufta, klasa politike dhe shtetërore e aftë për ta shkëputur dhe pavarësuar plotësisht Kosovën nga Serbia… Sidoqoftë, Kryetarja e Republikës së Kosovës dhe “komuniteti” i saj nuk do të duhej të harronin se Kosova dhe populli shqiptar kishin krijuar Ushtri për të luftuar kundër Serbisë në kushte të një pushtimi të egër, siç ishte pushtimi jugoserb e lëre më sot, kur kemi një Ushtri në Kosovë me dejm e vajza të përgatitura për ta mbrojtur lirinë dhe pavarësinë nga Serbia… Veç kesaj kemi edhe shtetin tonë Amë, shqiptarët e krahinave tjera dhe miliona shqiptarë të mërguar që i kanë dalur dhe i dalin zot Atdheut të tyre në çdo kohë.

Republika e Kosovës dhe populli i saj shqiptar kërkon që secili të bëj detyrën e tij pa krijuar e përhapur iluzione. Kryetari i Republikës së Kosovës gjithmonë është edhe komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës dhe si i tillë duhet të paraqitet e të sillet. Nuk është nevoja që Kryetarja e Republikës sonë të flas në emër të Ushtrisë amerikane, sepse ajo Ushtri ka Komandant, Qeveri e Ministër amerikan…