Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXX) – KRUJA – Kryeqyteti Historik dhe turistik i shqiptarëve
Të gjithë e dinë, të gjithë e kanë vizituar, të gjithë e adhurojnë Krujën si qytetin e rezistencës më të madhe arbërore ndaj pushtuesve osmanë në epopenë e Skënderbeut. Dhe, të gjithë i dijmë vargjet e Naimit: “Krujë, o qytet i bekuar / prite, prite Skënderbenë / Po vjen si pëllumb i shkruar / të shpëtojë mëmëdhenë!”
Kruja është nga qytetet më të vjetra shqiptare. Kodra, ku gjendet kalaja e Krujës ka qenë e banuar nga fisi ilir i albanëve që nga shekujt IV – III p.e.r. Në afërsi të Krujës ndodhen rrënojat e qytetit ilir të Albanopolisit. Kruja përmendet për herë të parë si qendër peshkopale në një dokument kishtar të vitit 879 në formën latine si “Croia”. Në mesjetë, në vitin 1190, bëhet kryeqendër e Principatës së Arbërit, shtetit të parë arbëror, në krye me Progonin e më pas me djemtë e tij, Gjinin e Dhimitrin. Kah gjysma e shek. XIV Kruja bëhet kryeqendër e Topiajve, Tanush e Karl Topisë. Emri Krujë rrjedhë nga fjala “krua”, ngase në brendësi të kalasë nga një shkëmb del edhe sot një burim, që ka bërë furnizimin e pandërprerë me ujë, qoftë edhe në kohë luftërash e rrethimesh.
Kalaja e Krujës (Akça-Hisar) është shpallur monument kulture në vitin 1948. Brenda saj gjenden objekte kulturore, arkeologjike e historike, si Muzeu Kombëtar i Skënderbeut, Muzeu Etnografik, Kulla e Sahatit, kisha e Shën Ndreut, xhamia e Fatihut, Teqja e Dollmës, muret rrethuese me nëntë kulla vëzhguese dhe disa shtëpi të stilit oriental. Afër kalasë është zbuluar një varrezë e kulturës arbërore, kurse afër teqes ndodhej hamami i kalasë. Përballë muzeut janë rrënojat e një kishe, që osmanët e kishin kthyer në xhami.
Kalaja, e ngritur në një kodër shkëmbore në lartësi mbidetare 600 m., ka perimetër 804 m. e sipërfaqe 2.5 hektarë. Është e ndërtuar në shek. V – VI e.r. mbi muret e një vendbanimi ilir të shek. III p.e.r. Pushtimin e parë osman kjo kala e përjetoi në vitin 1396, kurse u çlirua nga Skënderbeu më 28 nëntor 1443, duke u bërë kryeqendër e principatave të Arbërit. Kështjella e Krujës është rrethuar dhe është mbrojtur tri herë (1450, 1466, 1467), kurse në rrethimin e katërt (1478), 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, ka rënë në duart e pushtuesit osman, kur qyteti u shkatërrua dhe një pjesë e madhe e popullsisë u shpërngul përgjithmonë. Kalaja është fortifikuar disa herë pas mësyemjeve osmane. Në vitin 1617 e kishte dëmtuar një tërmet i madh kurse në vitin 1832 kishte pësuar shkatërrime të mëdha gjatë shtypjes së një kryengritjeje të shqiptarëve. Nga Kalaja e Krujës mund të shihen kalatë e Prezës, Petrelës dhe e Lezhës.
Më 1 nëntor 1982 në Kalanë e Krujës u përurua Muzeu Kombëtar i Skënderbeut, i projektuar nga arkitektët Pranvera Hoxha dhe Pirro Vaso. Muzeu ndahet në pavione; i antikitetit, i mesjetës së hershme, i principatave shqiptare, i pushtimit osman, i kështjellave mesjetare, pastaj zyra e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave etj. Në muze, pos objekteve muzeale, ndodhen edhe një këmbanë dhe një shpatë origjinale të shek. XV. Ndërtesa ka tipare të kullës shqiptare dhe formën e një shqiponje në gur.
Pos muzeut të Skënderbeut, në kala, në një shtëpi shekullore tradicionale, e ndërtuar në vitin 1764, ndodhet edhe muzeu etnografik, njëri nga muzetë më të pasur në vend, që tregon për veshjet, veglat e punës, për format e organizimit të jetës, për traditat e shqiptarëve ndër shekuj. Në këtë muze, që është përuruar në vitin 1989, ka objekte origjinale me vjetërsi nga 60 deri 500 vjet.
Pazari i Vjetër karakteristik, i quajtur nga vendësit si Pazari i Derexhikut, shtrihet me dyqane të ndërtuara nga druri në të dy anët e një rruge të vjetër me kalldrëm që çon në kala. Është ndërtuar para pushtimit osman, por ishte djegur e rindërtuar disa herë. Pazari është zemra e qytetit të Krujës, një xhevahir i arkitekturës së vjetër, një muze i hapur i artit dhe i traditës sonë popullore, një pazar i mrekullueshëm, nga më të njohurit e më të vizituarit në Shqipëri e më gjerë, një vend që tërheq turistë të shumtë të vendit e të botës. Në këtë Pazar gjenden artizanët e njohur të traditës kombëtare, me suveniret e antikuaret e tyre karakteristike, të veçanta dhe origjinale. Pazari i Vjetër dhe kalaja e Skënderbeut sikur e përplotësojnë njëra – tjetrën në kohë e hapësirë. Në fillim kishte deri 150 dyqane e sot janë rreth 70 – 80. Pazari është djegur nga një zjarr i madh edhe në vitin 1944 dhe u rindërtua në vitin 1967, kur u shpall “Monument kulture”.
Në qendër të qytetit të Krujës na pret monumenti madhështor i Skënderbeut, një vepër e veçantë artistike e skulptorit Janaq Paço, e ngritur më 28 nëntor 1959. Buste dhe monumente të Skënderbeut janë ngritur në shumë qytete të vendit dhe të botës, por ky i Krujës është i pakrahasueshëm me veprat tjera.
Kruja është edhe vend pelegrinazhi fetar. Në qytet ndodhet një xhami e shek. XV kurse në maje të Malit të Krujës, rreth 6 km nga Kruja ndodhet Tyrbja e Sari Salltëkut, një objekt interesant kushtuar një misionari bektashian, i vizituar dendur jo vetëm nga besimtarët, por edhe nga turistë të shumtë. Nga lartësia e teqes drejt Krujës, kodrave e fushës, detit e maleve mund të shijohen peisazhet fantastike.
Popullsia e Krujës dhe e rrethinës, pos me turizëm, zejtari, tregti e hotelieri, merret edhe me bujqësi e blegtori. Dikur kishte ndërmarrje të qilimave e sixhadeve, që nuk e ka më, kurse sot e ka një fabrikë të këpucëve, që punëson qindra punëtorë, kryesisht femra. Krutanët e ruajnë ende zejtarinë tradicionale të prodhimit e përpunimit me dorë të leshit, drurit e metalit. Aty sheh gratë duke punuar në vek e burrat duke gdhendur drurin. Artizanati, i harruar në vendet tjera, është rigjallëruar në Krujë. Natyra e Krujës dhe rrethinës është e pasur me rezerva të gurit gëlqeror, për çka janë ndërtuar qindra punishte ilegale për prodhimin e gëlqeres, me ndikim negativ në mjedis, të cilat e kanë ndërprerë punën.
Për nga pozita gjeografike, Kruja është një ballkon mbi Shqipërinë, por është edhe një qytet historik, një perlë turistike, një qendër e bashkisë dhe e rrethit me popullsi 20 mijë banorëshe. Ky qytet paraqet një pjesë të lavdishme të memorjes historike shqiptare, një motivim dhe krenari kombëtare ndër shekuj. E, ky qytet të befason, të mahnitë, të magjeps e të lë pa fjalë për bukuritë dhe historinë e tij.
Pos si qytet historik, Kruja sot paraqet edhe një qendër të rëndësishme turistike, njërin nga qytetet me më së shumti turistë gjatë vitit. Kruja ka potencial të fuqishëm turistik, historik, etnografik, siç janë kalaja, dy muzetë, pazari i vjetër, monumenti i Skënderbeut, lokalet tradicionale hoteliere… Pos qytetit turistik dhe historik të Krujës, në afërsi të qytetit ndodhen rrënojat e qytetit antik ilir të Albanopolisit, pastaj Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës dhe Mali i Krujës, që ofrojnë gjithashtu resurse të mëdha turistike; turizëm kulturor, malor e fetar.
– Po nuk e vizitove Krujën, nuk e ke parë Shqipërinë, – do të thoshin krutanët. Sepse Kruja mbanë epitetin e atrakcionit më të madh turistik, të kryeqytetit historik dhe turistik të shqiptarëve, të “Qytetit Hero” e të “Qytetit Muze”, të qytetit mitik dhe, çka është më e rëndësishme, të qytetit më të dashur të shqiptarëve. Pamjet nga Kruja, por edhe nga Mali i Krujës shpërfaqin malin, kodrat, fushën e gjerë, detin në horizont, duke krijuar një panoramë të mrekullueshme dhe shumë mbresëlënëse.
Jo se Kruja nuk i ka edhe problemet e veta, të shfaqura shumë e shumë herë para organeve përkatëse. Se, edhe Kruja me rrethinë përballet me papunësi e varfëri, me ikje të popullsisë jashtë shtetit, me betonizim dhe ndërtime të reja të paharmonizuara me natyrën dhe karakterin e qytetit, me rrugë të ngushta e të pashtruara. Një fabrikë e çimentos, e ndërtuar viteve të fundit në afërsi, më shumë se dobi i ka sjellë dëme dhe probleme popullsisë vendore. Veprimtaria ilegale e guroreve dhe gropat e pjekjes së gëlqeres sikur e kanë shëmtuar në masë të madhe natyrën e bukur të qytetit turistik.
Pozita gjeografike në një shpat të pjerrtë mali, në afërsi të kryeqytetit dhe të aeroportit e bëjnë Krujën një destinim shumë tërheqës turistik, kurse historia e qytetit dhe e Gjergjit, traditat, këngët e vallet karakteristike të zonës, suveniret e llojllojshme e bëjnë një vend pelegrinazhi të dorës së parë. Njerëzit nuk shkojnë në Krujë vetëm sa për ta vizituar, shkojnë edhe për të blerë diçka për kujtim, për të bërë fotografi, për t’i shijuar ushqimet tradicionale krutane…
add a comment