Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXII) – BALLSHI – Qyteti i naftës që po shuhet

Të gjithë ata që kanë kaluar nëpër rrugën e vjetër Fier – Tepelenë, nëpër krahinën e Mallakastrës dhe përmes qytetit të Ballshit, kanë nuhatur erën e rëndë të naftës dhe e kanë pyetur veten; – si mund të jetojnë këta njerëz në këtë mjedis kaq të ndotur. Sigurisht, nxjerrja dhe prodhimi i naftës ka shkaktuar probleme edhe për shëndetin e banorëve të zonës dhe, sidomos, te ata që kanë punuar në industrinë e naftës. Qyteti i Ballshit është kryeqendër dhe qendër administrative – seli e bashkisë së Mallakastrës. Ballshi është qytet i ri industrial, me shtatë – tetë mijë banorë, 26 km larg nga Fieri. Ndodhet në rrugën e vjetër Fier – Tepelenë dhe në rrjedhën e mesme të lumit Gjanica. Qyteti është ngritur dhe ndërtuar rreth 35 vjet më parë falë ngritjes së Rafinerisë së Ballshit. Emrin Mallakastër e ka marrë nga hordhitë romake të Jul Çezarit nga fjalët latine “male” dhe “castre” (kala e keqe). Mallakastra është një krahinë gjeografike – etnografike, është një pllajë e valëzuar, është një zonë kodrinore me lartësi mbidetare 200 – 300 metra me pikën më të lartë 712 metra, është një zonë e pasur me burime të naftës, me toka bujqësore e me vende e gjetje të shumta arkeologjike. Në antikë Mallakastra ishte e banuar nga fisi ilir i atintanëve dhe i bylinëve, me qendër në Bylis. Në Kreshpan, rreth vitit 280 p.e.r., është zbuluar një thesar i mbretit ilir, Monunit. Qyteti antik i Bylisit, i përmendur si qytet ilir nga gjeografi Skylaksi në vitin 380 p.e.r., në shek. VI kishte gjimnaz, teatër dhe monedha të veta. Më vonë ishte kthyer në koloni romake të perandorit Cezar. Po në shek. VI Bylisi ishte shkatërruar nga dyndjet barbare dhe pastaj, në vend të tij u ndërtua Ballshi, i quajtur fillimisht si Gllavinicë, ku ndodhej edhe një bazilikë paleokristiane. Në Ballsh janë zbuluar: mbishkrimi për konvertimin e bullgarëve në ortodoks, epitafi për kryqtarin norman, mbishkrimi për ndërtimet e Perandorit Justinian në Bylis etj. Në shek. IX- X, Gllavinica merr formën e qendrës administrative, ekonomike e kulturore, kurse në vitin 1019 përmendet si qendër administrative në një territor të gjerë, që nga Shpiragu e deri në Vlorë. Nën pushtimin bullgar Gllavinica ishte peshkopatë kryesore e Kryepeshkopatës së Ohrit, me peshkopët Shën Klementin, Shën Naumin etj. Pas luftërave normane – bizantine të shek. XII, Gllavinica u braktis dhe një pjesë e popullsisë u vendos në Ballsh, 6 km më në veri të saj. Në vitin 1373 në katedralen e Ballshit Gjergj Arianiti I vendosi epitafin kushtuar vëllezërve Balsha. Gjatë sundimit osman Ballshi ngadalë e humbi rëndësinë dhe, në fillim të shek. XX, kishte mbetur një fshat të vogël. Gjatë shekujve qendër administrative e Mallakastrës ishin bërë edhe fshatrat Cakran, Hekal e Selishtë, kurse nga viti 1914 e tutje qendra e Mallakastrës përfundimisht u bart në Ballsh.Mallakastra dallohet si krahinë kryengritëse. Këngët flasin për kapedanin legjendar, Rrapo Hekalin: “Pse lufton a derëzi / as për mua, as për ti / po për gjithë Shqipëri”. Në Kuvendin e Parë, në vitin 1847, me thirrjen e kapedanit Rrapo Hekali u mblodhën 2000 luftëtarë nën armë kundër reformave të Tanzimatit. Në Luftën e Vlorës kundër forcave italiane të vitit 1920 morën pjesë 2500 burra mallakastriotë. Gjithashtu, në korrik 1943, rreth 2000 luftëtarë u ndeshën me forcat italiane. Pas çlirimit dhe, sidomos pas zbulimit të rezervave të mëdha të naftës dhe hapjes së puseve të naftës, filloi ndërtimi i qytetit të ri të Ballshit me të gjitha institucionet lokale. Në vitet 1970 – 1978 në afërsi të qytetit u ndërtua Kombinati apo Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës, e quajtur ndryshe edhe si Rafineria e Ballshit. Në këtë kohë qyteti u lidhë me autoudhë dhe hekurudhë. Shpallja zyrtarisht e Ballshit qytet industrial, në vitin 1974, bëri që me shpejtësi të rritet numri i popullsisë së qytetit. Pos Kombinatit, që punësonte rreth 1900 punëtorë, u ndërtuan edhe objekte tjera industriale e publike, si fabrika e frutave dhe e vajit, spitali, pallati i kulturës, biblioteka, stadiumi etj. Deri në vitin 1990 Ballshi kishte zhvillim të lartë ekonomik, veçanërisht në saje të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, kurse në vitet pasuese gjendja ka filluar të përkeqësohet gjithnjë e më tepër. Zhvillimi i bashkisë, pos nga Rafineria e Naftës, mbështetet edhe nga bujqësia e blegtoria, viteve të fundit paksa edhe nga turizmi. Mallakastra është vend naftëmbajtës, por Rafineria, nga e cila varet ekonomia e Bashkisë, pothuaj nuk punon dhe është e zhytur në borgje. Problemet e Rafinerisë kanë filluar veçanërisht pas privatizimit, në vitin 2008. Kapaciteti i Rafinerisë është rreth 90 mijë tonë në muaj, kurse janë prodhuar rreth 25 mijë apo rreth 30 për qind e më pak të kapaciteteve prodhuese. Kështu, rreth 900 naftëtarë tashmë janë pothuaj pa punë dhe në gjendje jashtëzakonisht të vështirë. Të theksojmë se tërë prodhimi i naftës në Shqipëri eksportohet e papërpunuar. Problemet e mëdha të Rafinerisë shkaktuan papunësi dhe varfëri të madhe, kurse me ndërtimin e rrugës së re Levan – Tepelenë, që anashkalon Ballshin dhe Mallakastrën, nga viti 2012 e ka izoluar qytetin dhe krahinën, duke ndikuar në shuarjen e bizneseve skaj rrugës së vjetër dhe duke e rritur edhe më tej varfërinë. Për shkak të paralizimit të Rafinerisë, punëtorët kanë organizuar protesta dhe greva urie, duke kërkuar nga Qeveria zgjidhjen e problemeve të tyre. Derisa Rafineria i la pa punë naftëtarët dhe popullsisë ua ndotë mjedisin jetësor, derisa rruga e re e ka anashkaluar qytetin e krahinën, derisa edhe bizneset po falimentojnë ditë përdit, banorët thonë se qyteti i tyre ka mbetur i harruar dhe pa ardhmëri, duke u shuar dalëngadalë. Rruga nacionale Patos – Ballsh – Fratar është në gjendje të mjerë. Thuhet se që nga viti 1990 këtu nuk është bërë ndonjë investim, përjashtuar ndërtimin e kompleksit sportiv “Bylis” dhe rikualifikimin urban të qendrës së qytetit të Ballshit. Kështu, e lënë pasdore dhe pa ardhmëri, bashkia e Ballshit po braktiset gjithnjë e më shumë nga popullsia e saj. Krahina e Mallakastrës, me kodra të valëzuara të mbushura me vreshta e ullishte, me dy lumenj, Vjosën e Gjanicën, me liqenin artificial, me qytetin e Ballshit, me qytetin antik të Bylisit, me Bazilikën në Gllavinicë, me kalanë e Nikajas dhe me parkun e Poçemit historik i ka të gjitha parakushtet për zhvillimin e turizmit, sidomos të turizmit kulturor dhe fshatar. Sepse, edhe fshatrat kanë potencial të mire për zhvillimin e turizmit. Në projektin e “100 fshatrave” ndodhet Hekali historik e turistik. Kur i shtojmë kësaj edhe mikpritjen, trimërinë e bujarinë e banorëve të qytetit dhe të zonës, atëherë do të duhej ta vizitonim, dhe jo ta anashkalonim gjatë vizitave tona në Republikën e Shqipërisë.