Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXX) – DVJAKA – aty ku shpalosen bukuritë e pambarim

Kemi dëgjuar e kemi lexuar për Divjakën, madje kemi dëgjuar edhe për Lagunën e Divjakës, për Parkun e Divjakës, për pyllin e Divjakës, për Plazhin e Divjakës, për kodrat e Divjakës, për pishat e Divjakës dhe kurreshtja na ka shtyrë të mësojmë diçka më shumë për to. Kemi mësuar se Divjaka ndodhet në një zonë fshatare bujqësore, e shtrirë në një fushë pjellore të Myzeqesë, afër bregdetit të Adriatikut. Kemi mësuar se Divjaka është qytet, qendër bashkie e pesë njësive administrative dhe e 36 fshatrave dhe bën pjesë në rrethin e Lushnjës dhe në qarkun e Fierit. Kemi mësuar, gjithashtu, se Bashkia e Divjakës, me rreth 14 mijë banorë e qyteti i Divjakës me rreth 8000 banorë, ndodhet mes grykëderdhjeve të dy lumenjve, Shkumbinit e Semanit, rreth pesë kilometra larg detit, 15 km nga autostrada Durrës – Lushnje dhe 53 km nga qyteti i Durrësit. E qyteti shtrihet në një terren me lartësi mbidetare që shkon nga 3 deri 5 metra. Divjaka është qyteti më i ri në Shqipëri, por ka histori të lashtë. Statusin e qytetit e ka fituar në vitin 1996. Legjendat flasin se këtu dikur ishte qyteti tashmë i humbur, Arnisa. Kodrat rreth e rreth saj kanë qenë të banuara që në lashtësi nga fisi ilir i Taulantëve. Janë gjetur shumë materiale arkeologjike të shekujve III – II p.e.r. Nëpër zonën e Divjakës ka kaluar dega e rrugës “Egnatia”, që lidhte Durrësin me Apolloninë. Këtu është gjetur fytyra e skalitur në gur e perëndeshës së hakmarrjes, Erinia dhe portreti në reliev i perandorit bizantin me origjinë ilire, Konstandinit të Madh. Emri Divjakë përmendet për herë të parë në dokumentet osmane të viteve 1441 – 1445. Për prejardhjen e emrit ekzistojnë dy versione; sipas sllavishtes divlja – e egër dhe nga latinishtja Due Vie – dy vijat. Degët kryesore të ekonomisë së bashkisë janë bujqësia, turizmi dhe peshkimi. Banorët merren me prodhimet bujqësore, veçanërisht me kultivimin e perimeve. Kjo është njëra nga dy zonat e rritjes së shalqinit në Shqipëri. Zona bujqësore e Divjakës e ka tokën më pjellore në Shqipëri, tokën që mund të mbillet deri tri herë në vit. Laguna e Karavastasë, por edhe deti, në afërsi, është e pasur me peshq të llojeve të ndryshme, ku dominon trofta. Peshkimi është burim i të ardhurave të banorëve të disa fshatrave. Në Divjakë zhvillohet turizëm ditor detar dhe fshatar, kohëve të fundit edhe turizëm për vëzhgimin e zogjëve të rrallë. Nga pasuritë natyrore nëntokësore përmendim gazin natyror, që shfrytëzohet (pa leje) në 30 vitet e fundit. Gjithashtu, në disa vende janë hapur kripore të vogla të egra. Megjithatë, si zonë ligatinore në Divjakë e rrethinën e saj ka mjaft mushkonja e miza, që paraqesin shqetësimin kryesorë për turistët. Si çdokund tjetër në Shqipëri, problem paraqesin edhe mbeturinat e pasistemuara, pastaj mostrajtimi i ujërave të zeza, dëmtimi i habitateve, erozioni i detit, gjuetia ilegale etj. Rreth pesë kilometra larg Divjakës ndodhet kompleksi ligatinor me rëndësi të posaçme, Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta. Parku, që konsiderohet njëri nga ekosistemet më të rëndësishme e më interesante për shumëllojshmërinë e florës e faunës, për bukuritë e mjediset shlodhëse, është formuar në vitin 1966, kur kishte vetëm 1200 hektarë, kurse në vitin 2007 është zgjeruar edhe me kodrinat, lagunat, fushat etj. duke shkuar në mbi 22 mijë hektarë, nga të cilat 6500 janë sipërfaqe ujore. Ky park njihet për vlerat e veçanta ekologjike dhe për bukuritë mahnitëse natyrore. Parku kufizohet me lumin Shkumbin, në veri, me lumin Seman, në jug, me Detin Adriatik, në perëndim dhe me kodrat e Divjakës, në lindje. Në përbërje të Parkut ndodhen pyjet, toka bujqësore, disa këneta, plazhi, duke përfshirë edhe Lagunën e Karavastasë, që mbrohet sipas Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit të vitit 1995 (Sipas kësaj konvente ndalohet çdo veprim kundër mjedisit dhe botës bimore e shtazore në pyll, por që çdo gjë duhet të rritet e të mbarojë sipas ligjeve të natyrës). Si kompleks natyror, Parku i Divjakës – Karavastasë shtrihet në territoret e tri bashkive; Divjakës, Fierit e Rrogozhinës, kurse vetëm Bashkia e Divjakës mbulon rreth 44 për qind të krejt parkut. Laguna e Karavastasë, e gjatë 10.6 km dhe e gjerë 4.3 km, është laguna më e madhe në bregdetin shqiptar dhe nga më të mëdhatë në Mesdhe, e shtrirë në sipërfaqe prej 4300 hektarësh. Kjo lagunë ndahet nga deti me një brez të pyllit të dendur me pisha të larta shekullore, kurse lidhet me detin me tri kanale, të cilat, si pasojë e baticës e zbaticës, ndryshojnë rrjedhën e ujit çdo gjashtë orë. Laguna dhe zona rreth saj është strehë për shpendët dimërues të ujit. Në këtë lagunë, që ka thellësi deri 1.5 metra, banojnë 228 lloje të shpendëve ujorë dimërues, gjithësej rreth 50 – 60 mijë individë. Nga fauna e pasur e parkut dallojmë Pelikanin Kaçurrel, një shpend në zhdukje, që këtu përbën 6.4 për qind të tërë fondit botëror. Në lagunë ndodhet Ishulli i Pelikanit, monument natyre, ku i ndërton foletë Pelikani, si shpend i rrallë autokton dhe joshtegtar. Pos Pelikanit Kaçurrel apo Pelikanit Dalmatin, këtu banojnë edhe fazanët, flamingot, rosat e çafkat e egra e shumë shpendë tjerë të rrezikuar për zhdukje, siç janë: karabullaku i vogël, rosa kokëbardhë, shqiponja me njolla dhe fajkoi i hirtë. Për shkak të shumëllojshmërisë së shpendëve dhe bimëve, zona e Divjakës është identifikuar si zonë me rëndësi të veçantë edhe në nivelin ndërkombëtar. Të shkohet në Divjakë e të mos vizitohet Plazhi Divjakës dhe Pylli i Divjakës, është pothuaj e pamundur. Viteve të fundit turistët vëzhgojnë zogjët e rrallë të lagunës, lundrojnë me barka në lagunë, zhvillojnë ecje në natyrë dhe merren me biçiklizëm e kalërim. Plazhi 12-kilometërsh i Divjakës, me gjerësi deri 250 metra, është një rrip rëre të bardhë, të pasur me jod, që ka veti shëruese. Plazhi kufizohet me pyllin e pishave, deti është i cekët, shumë i përshtatshëm për turistët njëditorë dhe për pushime familjare. Kurse pylli legjendar i Divjakës, me sipërfaqe prej 1100 hektarësh, është krijuar, sipas legjendës, gjatë luftës civile të Perandorisë Romake mes Cezarit e Pompeut. Në këtë pyll me pisha të buta e të egra, dikur zbuteshin kuajt e egër, buajt e egër dhe gjelat e egër. Na kujtohet filmi i popullarizuar “Pylli i lirisë”, me Vlashin dhe kalin e zbutur, që është gjiruar këtu. Kodrat e Divjakës me 18 km gjatësi, 5 km gjerësi e deri 192 metra lartësi, i rrinë si një kurorë e bukur Parkut Kombëtar. Pisha e egër, mbi 400-vjeçare e Divjakës, gjithashtu është Monument i Natyrës. Dhe, të vizitohet Parku Kombëtar, doemos duhet të vizitohet edhe restauranti i veçantë i peshkut “Alfa-Juri” me pronar Ali Murrizin, i cili e mbartë nofkën e popullarizuar si Ali Kali. Ali Kali është i dhënë pas kuajve, të cilët i ka ushtruar t’u shërbejnë klientëve, por edhe të krijojnë spektakle kalëruese. Ky restaurant shërben edhe si muze etnografik, i pasur me mijëra eksponate të ndryshme nga e kaluara jonë. Një objekt tjetër në park, që duhet të vizitohet, është kulla panoramike, e ndërtuar tash vonë, nga ku mund të vrojtohen të gjitha bukuritë që ndodhen në të.

Zona e Divjakës është e pasur me shumëllojshmëri të florës e faunës, e përshtatshme për zhvillimin e turizmit mjedisor e shkencor, të turizmit për piknik e relaks, ku mbretëron bukuria e qetësia. Kjo zonë ka natyrë përrallore, është botë e çudirave me pyllin me pisha, me plazhin e lagunën, me grykëderdhjet e lumenjve, që i japin shpirt këtij vendi. E vendosur në mesin e Shqipërisë, zona e Divjakës është vend i rëndësishëm, është atraksion turistik i dorës së parë. Aty gjejmë ajrin e pastër, diellin e ngrohtë, rërën shëruese, qiellin e kaltër, detin e ujin e mrekullueshëm… Kurse divjakasit janë njerëz punëtorë e bujarë, të dashur e mikpritës. Divjaka është qytet i vogël, i gjallë e simpatik, i gjelbëruar e i ndriçuar, si është më së miri.