Në shenjë të 5 Majit
Ditë Ringjalljeje
Sot është Dita Pesë Maj,
Dita e shokëve të Qemalit;
Sot dhe lulet shkrehen në vaj,
Sot lotojnë dhe zogjtë e malit.
Sot të rënëve në varreza,
Vetë trualli u ndez qirinj;
Sot dhe nënave shamizeza,
U ndizen zjarre thellë në gji.
Ne sot zemrat edhe sytë
I kemi plot e përplot;
Bashkë me motrat dhe kumritë,
Sot këndojnë këngë me lot.
Përmbi varre e lapidare,
Sot vogëlushët e vendit tim,
Si ushtarë e si ushtare,
Grushtshtrënguar bëjnë betim.
…
Sot është Dita Pesë Maj,
Ditë e shokëve të Qemalit;
Sot dhe lulet shkrehen në vaj,
Sot lotojnë dhe zogjtë e malit.
Sot të rënët kokën ngrenë,
Dhe shikojnë përreth veti;
Sot shikojnë Mëmëdhenë,
Sot përtërihet amaneti.
Sot është Dita e Ringjalljes,
Si ajo që thonë fetë;
Nëse ka një ditë të madhe,
Kjo ditë Pesë Maji do të jetë.
Tok me të rënët sot ringjallet
Dhe Shën Gjergji i legjendës,
Sonte Gjergji e mpreh pallën.
Nesër kokët ia dredh kuçedrës.
1983, “CZ”