Kulturë\Letërsi

Bedri Islami: Shkurtina

1.Njerëzit mund të të falin shumë gjëra: paqetësinë e shpirtit, çastin e zemërimit, ndjenjën e kthyer në humbje, shijen e hidhur të ndarjes, puthjen e pafaj, trishtimin si një tufë çajkash mbi ujrat e liqenit kur retë janë kthyer në degë shelgjesh dhe i rrahin ujrat; mund të të falin trumcakët e yjeve që duken e zhduken përmes degëve të mollëve, humbjen e magjisë së pyjeve të largët. Jo rrallë herë ata e falin edhe tradhtinë, sepse mendojnë se edhe ajo është çast dashurie. E vetmja gjë që nuk mund të ta falin është nëse ti zbulon se mund të bësh pa to.

2.Shpeshherë pagjumësia më mbështjell sytë, njëjtë si me një shall të terrtë. Atëherë mendoj për fjalët e vjetra dhe kujtesa më rëndon mbi supe. Nuk ka ngjarje të vogla. As dashuri të vogla. Ka njerëz që nuk i përceptojnë ngjarjet dhe nuk i njohin dashuritë. Jeta nuk është asgjë tjetër, veçse thika mbi të cilën endet herë e fuqishme dhe herë e pafuqishme dashuria. Në pagjumësi mendon më qartë se në çastin e zgjimit. Nuk e di pse ndodh kjo. Nga gëzimi njeriu e ndjen veten Zot. Nga vuajtja e ndjen veten Njeri. Nuk është e thënë që perënditë të mos hidhërohen e, as nuk është e kuptuar që njerëzit të mos gëzohen. Nuk njoh asnjë njeri tjetër që i pëlqen kaq shumë pagjumësia.

3. Poetin e shquar Xhevahir Spahiun e kam dashur gjithnjë marrëzisht. Si të thuash, e kam dashur pa frymë. Në poezinë shqipe ai ishte një zonë e veçantë, brilante, shkëlqyer nga mendja. Ishte si një dhuratë perëndie, ku nisja e padukshme e njohjes sythonte nën dheun e rëndë. Me Xhevahirin më ndodhte shpeshherë si me ëndrrën: ke frikë të hapësh sytë se mos zhduket. Magjepsja më ka ardhur gjithmonë nga nga ajo frika e përskajshme që të zgjonte vargu i tij se mos këputej : ai u bë papritur enigma e poezisë dhe ishte e lehtë të përfytyroje atë si mund të përfytyrojmë strallin e reve në shkrepjen e tyre. Asnjë poet tjetër nuk më ka trazuar si Ai që në poezitë e para, më saktë , që në rrjeshtat e parë të një poezie dhe, ende sot, pak kush më sjell trazimet e tij. Gjithnjë kam menduar se si mund t’i kisha quajtur me një fjalë të vetme poezitë e tij. Është e vështirë, sepse e pamatë është shtrirë dhimbja dhe fuqia e vargut të poetit të shquar. Sepse pa fund i jam kthyer e rikthyer librave të tij, gjithnjë duke u mrekulluar nga befasia e vargut, mendimi i paskaj dhe, si ndodh vetëm me poetët e mëdhenj, thellësia e mendimit. Por, gjithnjë kthehesha në idenë e parë: nëse do të më duhej një emër i vetëm për poezitë e tij, edhe nëse ai nuk i thotë të gjitha, çfarë do të kisha zgjedhur. Poezitë e Xhevahir Spahiut nuk janë nga ato që të lënë në qetësinë e tyre dhe ndaj të cilave mund të largohesh qetësisht. Ato, mbi gjithçka tjetër, janë shpirti i poetit: rebel, tronditës, i butë, marramendës, befasues, i dhëmbshur. E gjithë poezia e tij është një çështje me shpirtin e tij, me ëndrrën, vendlindjen, me zërin mëngjesor, me një pemë buzë rrugës, me ajër. Dhe është pafundësisht i lumtur. E pafund fal lumturi. Xhevahir Spahiu nuk mund të përfytyrohet ndryshe. Kur jemi takuar për herë të parë, shumë vite të shkuara nuk u habita për një gjë krejt të veçantë: nuk u habita nga pamja e tij, flokët kryengritës, sytë që të dukeshin gjithnjë se ishin më shumë se dy, tundja e lehtë e kokës , shikimi i butë prej poeti dhe pastaj, në një çast të dukej se vinte stuhia…. nuk u habita nga zëri i tij. Megjithëse nuk e kisha dëgjuar kurrë, më ishte i njohur. Në zërin e tij ndodhte diçka që nuk e kisha përfytyruar, por që e ndjeja ; ndoshta si në njerën nga poezitë e tij, ku gjuhëza flakësh shpërthejnë, nga trupi i shegës jeshile, atje brenda… atje brenda diçka digjet. Edhe në zërin e poetit diçka digjej. Është e vështirë të cilësosh korpusin e pafund të poetit të shquar me një fjalë të vetme. Ndoshta, më e vetmja e të vetmeve do të ishte vetëtimë. Veçse janë vetëtima që lënë pas, pafund, dritëzimin e tyre dhe, në flakën që përcjellin, kur ata kryqëzohen me njëra – tjetrën, mund të dallosh fare mirë portretin e Poetit. Një mik , për të cilin të merr malli sapo ndahesh. Xhevahiri. Poeti që kishte tronditur sistemin me dy vargje: “Jam ai që nuk kam qenë, do të jem ai që nuk jam…”