Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXV) -TROPOJA E VJETËR – FSHATI QË I DHA EMRIN TËRË RRETHIT
Tropoja e Vjetër apo Tropoja-fshat apo vetëm fshati Tropojë është një fshat, qendër e njësisë administrative në luginën e Valbonës. Shtrihet në rrëzë të malit të Shkëlzenit, pranë vijës kufitare që ndanë dy shtetet shqiptare. Edhe rrethi gjithashtu quhet Tropojë, ndryshe edhe si Malësia e Gjakovës. Fshati Tropojë i përket Malësisë së Gjakovës, kurse historikisht, në Perandorinë Osmane, deri në vitin 1012, i takonte Vilajetit të Kosovës, kur u vendos kufiri dhe kur ky fshat dhe ky rreth u ndanë nga Kosova apo, më mirë të themi, Kosova u nda nga Tropoja. Kështu, Malësia mbeti e izoluar, pa rrugë, pa qytet, pa treg e pa lidhje me pjesët tjera të atdheut. Me ndarjen administrative të Shqipërisë, pas shpalljes së pavarësisë e deri në Luftën e Dytë Botërore Tropoja dhe tërë Malësia e Gjakovës, bashkë me Hasin e Lumën, ishin pjesë e Prefekturës së Kosovës. Sot, Tropoja është pjesë e Bashkisë së Tropojës dhe e Rrethit të Tropojës, me qendër në Bajram Curr, si dhe pjesë e Qarkut të Kukësit. Pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, për çka ky fshat dhe ky rreth kanë dhënë kontribut të çmuar, Tropoja ka marrë frymë, ka filluar një fazë e re e zhvillimit, duke fituar lidhje të mirë e të shkurtër me rrugë me Kosovën dhe me tërë Shqipërinë. Popullsia e Tropojës së Vjetër dhe e tërë Malësisë së Gjakovës, e cila në vitin 1938 kishte 12 – 14 mijë banorë, tradicionalisht është marrë me bujqësi e blegtori, duke kultivuar drithëra, pemë, etj. Tokë buke kishte 1 700 hektarë, nga të cilat 700 ishin nën ujë. Nga pemët ishin të njohura veçanërisht gështenjat dhe kumbullat e dëgjuara tropojane. Në Tropojë nuk kishte shitore, prandaj për furnizim elementar apo për tregti tropojanët detyroheshin të udhëtonin këmbë ditë të tëra deri në Gjakovë apo në Shkodër. Zakonisht blenin kripë, vajguri etj., kurse shisnin bagëti. Viteve të ‘20-ta të shek. të kaluar ishte bërë një marrëveshje me palën jugosllave për tregti të lirë ndërkufitare, me ç’rast disa tregtarë nga Gjakova kishin shkuar në fshatrat e Tropojës dhe kishin hapur disa shitore. Kishte edhe disa farkatarë, teneqepunues, furra tullash, mulli bloje, furra të gëlqeres, por nuk kishte ndonjë objekt hotelier, as han, as këpucëtari, as berber. Në atë kohë ishin hapur, për herë të parë, strukturat shtetërore, 11 posta xhandarmërie me oficerë të paguar. Edhe pse shteti, që nga viti 1929, miratoi kodet e drejtësisë civile e penale, në Tropojë më shumë zbatohej kanuni i traditës zakonore. Shkolla e parë në Tropojën e Vjetër u hap në vitin 1923.
Në territorin e njësisë administrative të Tropojës së Vjetër ndodhet Lumi i Gashit, njëra nga mrekullitë natyrore në mes të Alpeve Shqiptare. Lumi i Gashit shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare, e kufizuar me kufi me Malin e Zi dhe Kosovën. Kjo zonë është shpallur “Rezervat strikt natyror” në sipërfaqe prej 3000 hektarësh e në gjatësi prej 27 km. Gjithashtu, pyjet e vjetra të ahut të kësaj zone, në sipërfaqe prej 1 260 hektarë dhe zona përreth tyre, në sipërfaqe prej 9000 hektarësh, që nga viti 2017 janë përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Kjo zonë ka sistem ekologjik të paprekur, pyje të vjetra të ahut dhe drurë me vlera të jashtëzakonshme, deri 450-vjeçarë. Lugina e Lumit të Gashit rrethohet nga 50 maje malesh të larta mbi 2000 metra. Zona ka shumëllojshmëri biologjike dhe florë e faunë të zhvilluar; 15 lloje drurësh e shkurresh, tetë lloje gjitarësh, 13 lloje shpendësh, etj. Në pjesën e sipërme të luginës së lumit ndodhen monumentet natyrore; shtatë liqenet akullnajore të Dobërdolit. Dihet se administratën e parë në Malësinë e Gjakovës e vendosën austriakët në fshatin Bujan në vitin 1916. Pushtimi austriak, në vitet 1916 – 1918, për herë të parë vendosi administratë zyrtare shtetërore në këtë anë, duke lënë anash organizimin e deriatëhershëm fisnor. Nga Bujani, në vitin 1925, qendra e administratës, e zyrtarizuar si nënprefekturë, u zhvendos nga Bujani në Tropojë. Në Tropojë qendra mbeti deri në vitin 1952, kur u transferua në Kolgecaj, në fshatin që u shndërrua në qytet, por me emër të ri, Bajram Curr. Nga shkaku se qendra e nënprefekturës për një kohë të gjatë ishte në Tropojë, edhe krahina filloi të identifikohet me emrin Tropojë, emrin që ende e trashëgon rrethi. Nga viti 1923 Tropoja ka qenë e lidhur me Prefekturën e Krumës dhe nga viti 1925, nën Prefekturën e Kosovës, njërën nga 10 prefekturat e Shqipërisë, me qendër në Kukës, që përfshinte Tropojën, Hasin dhe Lumën. Prefektura e Kosovës kishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë Avni Rustemin, Hoxhë Kadriun e Niman Ferizin. Rrethi i Tropojës njihet për traditat e mira të mikpritjes, të gatimeve bio, të arkitekturës së veçantë, të veshjeve popullore, dhe veçanërisht të këngëve dhe valleve të njohura tropojane, si vlerë e lartë kulturore. Tropojanët janë të njohur edhe për trimëri. Ata ishin të angazhuar posaçërisht në mbështetje të tribunit popullor, Bajram Currit. Tropoja e Vjetër dhe përgjithësisht kjo trevë e trimërisë i ka shërbyer jashtëzakonisht shumë luftës së UÇK-së për përgatitje, për armatosje dhe për depërtim deri në frontet e luftës në Kosovë.