Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXII) – Bajram Curri – qyteti alpin i Malësisë së Gjakovës me emrin e Tribunit Kombëtar

Qyteti i ri alpin i Bajram Currit është qendër e bashkisë dhe e rrethit të Tropojës. Shtrihet në gropën e Tropojës, nën hijen e majës së Hekurave të Alpeve Shqiptare dhe në bregun e djathtë të lumit Valbona. Është larg nga Tirana 235 km dhe nga Prishtina 130 km. Qytetin e rrethojnë majat e kreshtat e larta malore, nga njëra anë dhe luginat e thella të lumenjve, nga ana tjetër. Ka terren të pjerrtë nga 10 deri 12 për qind dhe lartësi mbidetare nga 320 deri 435 m. Nga viti 1952 qyteti është ndërtuar si qendër administrative e Malësisë së Gjakovës, kur është vendosur që fshati Kolgecaj të bëhet qendër e krahinës, por me emër të ndryshuar, me emrin e tribunit popullor, Heroit të Popullit, Bajram Currit. Para se të bëhet Kolgecaj apo Bajram Curri qendër administrative e krahinës, qendër apo nënprefekturë e parë ishte Bujani (1916 – 1925) e pastaj Tropoja e Vjetër (1925 – 1952). Gjatë pushtimit osman Tropoja ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës, kur edhe e ka marrë emrin “Malësia e Gjakovës”. Mes dy luftëtrave botërore Tropoja, Hasi e Luma përbënin Prefekturën e Kosovës, që ishte njëra nga 10 prefekturat e Shqipërisë. Sot Bajram Curri është qendër e njërit nga 61 bashkitë dhe njëri nga 36 rrethet e Republikës së Shqipërisë. Bajram Curri dhe tërë Tropoja kanë qenë të populluara që nga periudha e neolitit. Gjatë periudhës antike ishte pjesë e territoreve të fisit ilir të dardanëve. Vazhdimësinë e jetës në këtë trevë e vërtetojnë kalatë antike, Rosuja, Shoshani, Dushaj etj. Rreth 400 vjet p.e.r. Rosuja ishte qendra kryesore e krahinës, e pozicionuar në kufirin e fiseve ilire, Labeatëve dhe Dardanëve. Në mesjetë princi i krahinës, Pjetër Spani, bashkë me katër djemtë e tij, ka marrë pjesë në Kuvendin e Lezhës në vitin 1443. Atëherë krahina quhej Altin-ili. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare edhe Malësia e Gjakovës ka dhënë kontribut të çmuar për çlirimin e vendit, në territorin e të cilës janë mbajtur dy kuvende të rëndësishme historike; Kuvendi i Malësisë së Gjakovës (28 gusht 1943) dhe Kuvendi i Bujanit (31 dhjetor 1943 – 1 e 2 janar 1944). Edhe gjatë luftës së Kosovës Malësia e Gjakovës dha kontribut të madh, duke u bërë strehë e luftëtarëve të UÇK-së dhe, njëkohësisht, edhe strehë e mijëra të dëbuarve nga regjimi serb. Gjatë sistemit monist popullsia e qytetit Bajram Curri kishte ritëm të lartë të shtimit, por pas ndryshimeve të vitit 1990, sikur në shumë qytete e vendbanime tjera të vendit, filloi migrimi i madh drejt zonave tjera, kryesisht drejt qyteteve të mëdha dhe me shpërngulje jashtë vendit. Vendin e të shpërngulureve nga qyteti e zëvendësuan të zbriturit nga fshatrat malore. Gjithashtu, edhe lindshmëria është gjithmonë në rënie e sipër. Llogaritet se tash në qytet, në 165 hektarët e tij, jetojnë rreth 8000 banorë. Bukuritë e rralla natyrore, pasuria me ujëra, shumëllojshmëria e botës bimore dhe shtazore mundësojnë zhvillim ekonomik më të shpejtë, veçanërisht sa i përket turizmit malor. Më parë qyteti kishte ndërmarrje gjeologjike, fabrikë të pijeve, fabrikë të miellit, ndërmarrje për përpunimin e kumbullës së njohur të Tropojës e kapacitete tjera ekonomike. Kurse sot zhvillimi i gjithëmbarshëm varet kryesisht nga tregtia dhe veprimtaritë shërbyese, nga klubet e shumta anembanë qytetit, duke i zënë rrugët, trotuaret e hapësirat publike. Ndërtimi i rrugës që e lidhë qytetin dhe zonën me Ponoshecin e Gjakovën e ka nxjerrë krahinën nga izolimi dhe ka mundësuar tregti më të lehtë dhe qarkullim më të madh të njerëzve e mallërave me Kosovën. Me Malin e Zi nuk ka rrugë e as pikë kufitare, edhe pse është kërkesë e kahmotshme për hapjen e një vendkalimi në drejtimin Çerem – Plavë. Mbi qytet ndodhet masivi apo pylli apo plantazhi më i madh i gështenjës në Evropë, në sipërfaqe prej rreth 2600 hektarësh. Pjesë e ekonomisë në bashki është edhe miniera e kromit në Kam dhe hidrocentrali i Fierzës. Nëntoka e Tropojës është e pasur me krom dhe kuarc, por xehet janë shfrytëzuar shumë pak. Në Valbonë peshkohet trofta e njohur e Valbonës, që paraqet njërin nga gatimet më të parapëlqyera të zonës. Turizmi është në zhvillim e sipër, sidomos në luginën e Valbonës dhe në fshatin Valbonë, për çka janë ngritur dhjetra hotele, restorante e bujtina bashkëkohore e klasike. Rol të veçantë në zhvillim kanë bujqësia dhe, veçanërisht, blegtoria. Mirëpo, niveli i papunësisë, rrjedhimisht edhe i varfërisë, është shumë i lartë, nga më të lartit në vend. Pjesa më e madhe e popullsisë është e papunë, shumë familje marrin ndihma sociale apo presin ndihma nga emigracioni. Varfëria e lartë dhe papunësia kanë bërë që shumë banorë të qytetit dhe të fshatrave të zonës ta braktisin vendlindjen dhe t’ia mësyjnë botës për jetë më të mirë. Në Bajram Curr ka një çerdhe dhe dy kopshte, ka tri shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme. Në sektorin e shëndetësisë funksionon spitali i qytetit, i cili ka shërbyer veçanërisht gjatë luftës në Kosovë për trajtimin e ushtarëve të plagosur të UÇK-së. Problem mbetet mungesa e mjekëve, pasi profesionistët mjekësorë parapëlqejnë qytetet e zonat më të mëdha e më të zhvilluara, si dhe mërgimin. Rrethi i Tropojës njihet për etnografinë, folklorin, historinë e gatimin e pasur. Kjo trevë ka trashëguar kulturë të hershme materiale e shpirtërore. Në Tropojë ndodhen 19 monumente kulturore dhe 43 monumente historike. Kjo trevë është e njohur për këngët lirike e epike, për këngët e eposit të kreshnikëve, që përcillen me çifteli apo me lahutë. Janë të njohura sidomos vallet epike dhe lirike, që luhen e ruhen edhe sot me shumë përkushtim. Bajram Curri ka pallatin e kulturës “Dardania”, i ndërtuar në vitin 1977, si dhe bibliotekën, që është dëmtuar shumë. Në Pallatin e Kulturës zhvillon veprimtari të suksesshme ansambli artistik me renome kombëtare “Valbona”. Muzeu Historik, i ndërtuar në vitin 1985, me një arkitekturë të veçantë, ka tetë salla ekspozimi, me sipërfaqe prej 1300 m2., që dikur ishte i treti në vend i pasur me objekte historike. Në vitin e zi, 1997, Muzeu, biblioteka dhe përgjithësisht Pallati i Kulturës u demoluan, u shkatërruan dhe u grabitën si mos më keq. Për mungesë fondesh, këto institucione të rëndësishme kulturore ende janë në gjendje të vështirë. Një manifestim kulturor, që organizohet me sukses në Bajram Curr është festivali i përvitshëm kombëtar i këngëve e valleve “Sofra Dardane”. Me gjithë sukseset e arritura, qyteti ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet, siç janë hedhja e mbeturinave urbane dhe inerte vend e pavend. Shqetësuese është sidomos hedhja e mbeturinave në hyrje të qytetit, edhe pse ekziston, që nga viti 2010, vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Koj. Shumë mjedise publike janë katandisur si është më keq, me rrugë me gropa e pellgje uji, me mbeturina të hedhura gjithandej, me godina të mbindërtuara e fasada të stërvjetruara. Natyra është treguar dorëlirë sa i përket Malësisë së Gjakovës; i ka dhënë pasuri të pafund dhe mrekulli të papërshkrueshme, që mundësojnë, pos tjerash, zhvillimin me sukses të turizmit malor e kulturor. Bajram Curri, i rrethuar me pisha, me pyllin e gështenjave e me plantazhe kumbullash e mollësh, i ngritur në rrëzë të Alpeve, paraqet një qytet model, të papërsëritshëm. Pos bukurive natyrore mbitokësore, zona është e pasur edhe me shpella nëntokësore, nga të cilat veçojmë Shpellën e Dragobisë, si shpellë historike. Për shkak edhe të afërsisë, por edhe të bukurive përrallore, turistë e vizitorë nga Republika e Kosovës dhe nga tërë Shqipëria gjejnë vend prehjeje e mikpritje në krahinën e Malësisë së Gjakovës.