Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CVIII) – HANI I ELEZIT – QYTET I VEÇANTË, PORTË E KOSOVËS
Në jugun e Kosovës, ngjitur me kufirin shtetëror me Republikën e Maqedonisë Veriore, në rrjedhën e poshtme të lumit Lepenc e në dalje të Grykës së Kaçanikut, në një fushëgropë mes maleve të Sharrit dhe të Karadakut ndodhet Hani i Elezit. Hanin… e ndanë me Kaçanikun Gryka e Kaçanikut, në largësi 11 km, me Prishtinën është larg rreth 70 km dhe me Shkupin vetëm 24 km. Një dalje tjetër është rruga 13 kilometërshe përmes maleve të Sharrit, që lidhë dy pikat kufitare, Hanin e Elezit dhe Glloboshicën. Hani … është një qytet e një qendër komunale me shumë veçanti. Është qyteti më i vogël në Kosovë, është qytet industrial, ku fabrikat ndodhen brenda vendbanimit, është qytet që përshkohet nga tri rrugë të rëndësishme ndërshtetërore; magjistrales, autostradës dhe hekurudhës, është qytet që ka pikën kufitare me R. e Maqedonisë, është qyteti që lidhet me të gjitha fshatrat e tij me rrugë të asfaltuara, është qyteti që e ka bartur, por që e ka hequr nga përdorimi emrin e një krimineli pushtues serb nga emërtimi i tij, është komuna e vetme që ka ngritur padi për krimet e luftës kundër Serbisë, është komuna të cilën tri herë radhazi e udhëheq kandidati i pavarur, Rufki Suma, është qyteti që e ka një muze të pazakonshëm – trenin-muze, është qyteti dhe komuna që i ka Varrezat e Dëshmorëve më të rregulluarat në Kosovë, është qyteti i parë i çliruar i Kosovës (11 qershor 1999)… Hani i Elezit është një qytet industrial, është njëra nga 38 qendrat komunale të Republikës së Kosovës, me 10 fshatrat e vogla malore, me sipërfaqe rreth 83 km2 (0.77 për qind e territorit të Kosovës) e me rreth 10 mijë banorë. Zona e Hanit të Elezit, deri në vitin 1961 ishte komunë, e më pas, me ndarjen e re administrative, ishte futur në kuadër të komunës së Kaçanikut. Pas luftës, në vitin 2005, në bazë të një projekti për “decentralizimin” e pushtetit lokal në Kosovë, formohet pilot njësia komunale e Hanit të Elezit, e cila pesë vjet më vonë merr kompetenca të plota të një komunë. Zona e Hanit të Elezit ka qenë e banuar që në lashtësi, në kohën iliro – romake. Nëpër Han të Elezit ka kaluar rruga e rëndësishme romake, që ka lidhur Fushën e Kosovës me Fushën e Shkupit, e njohur si “Xhadja e Rimit”, gjurmët e të cilës shihen edhe sot. Në hartat e vjetra nga shek. XVI del një vendbanim me emrin Sar (Sharr), që përputhet me vendbanimin e sotëm të Hanit të Elezit. Në shek. XIX, me ndërtimin e hekurudhës Shkup – Mitrovicë, ndërtohet edhe stacioni i trenit e më vonë aty hapet një han. Atëherë aty nuk ishte vendbanim, por ishte një vend ku qarkullonin njerëzit e mallërat në drejtimin veri – jug e anasjelltas, ku qarkullonin malësorët e fshatrave të afërme dhe ku ishte vendpushim i karvaneve para hyrjes apo pas daljes nga Gryka e Kaçanikut. Pas pushtimit serb në vitin 1912, vendi emërtohet me emrin e një gjenerali serb që u kishte prirë forcave okupuese, i përmendur për krime gjenocidale ndaj popullsisë vendore, i quajtur Gjeneral Jankoviq. Ky emër përdorej zyrtarisht, kurse populli vendbanimin e quante Hani i Elezit. Sot emri i gjeneralit serb është hequr krejtësisht nga përdorimi zyrtar e privat. Mësohet se deri në vitin 1914 Hani i Elezit ende nuk ishte vendbanim, kurse në vitin 1920 kishte stacionin e trenit (1873), dy kafene dhe një bakallhane. Nga ky vit kanë filluar të vendosen familjet e para shqiptare të zbritura nga fshatrat e afërme malore. Në Han të Elezit, në vitin 1936, ndërtohet Fabrika e Çimentos, e rrallë për kohën, duke u kthyer vendbanimi në një qendër industriale e ku gjejnë punë e vendosen me shtëpi një numër i banorëve të kësaj ane, por vendosen edhe kuadro të përkatësisë sllave, të ardhur kryesisht nga Shkupi. Popullimi i vendbanimit të ri u bë veçanërisht pas vitit 1956, kur u ndërtua fabrika e re e çimentos dhe u punësua një numër më i madh i banorëve të zonës e më gjerë. Regjistrimet zyrtare të popullsisë pas LDB tregojnë për rritjen e madhe të popullsisë në Han të Elezit; në vitin 1948 fshati kishte 86 familje me 154 banorë, në vitin 1953 – 121 familje me 369 banorë, në vitin 1961 – 181 shtëpi me 724 banorë, në vitin 1971 – 233 shtëpi me 1324 banorë, në vitin 1981 – 299 shtëpi me 2047 banorë. Sot qyteti ka rreth 3000, e komuna – rreth 10 mijë banorë. Por, Hani i Elezit ka shumë probleme. Edhe pse fabrika e çimentos “Sharrcem” ka ndërmarrë masa për filtrimin e tymit të tymtarit të saj, ende ka ndotje të mjedisit në qytet e rrethinë. Edhe mbetjet e azbestit kancerogjen të fabrikës “Salloniti”, paraqesin rrezikim për shëndetin e qytetarëve. Hanit i mungojnë hapësirat e gjelbëruara, i mungon parku dhe parkingjet. Shtëpisë së shëndetit i mungon personeli mjekësor, sidomos mungojnë mjekët specialistë. Një problem tjetër i madh është mungesa e ujit të pijes. Edhe pse ujësjellësi është ndërtuar në vitet ’80-ta dhe është përmirësuar edhe pas luftës, problemi ende ekziston, banorët ballafaqohen me reduktime të mëdha dhe me ujë jocilësor. Pastaj është ndotja shumë e madhe e lumit Lepenc, që vjen si pasojë e derdhjes në lumë të kanalizimeve të Ferizajt, Kaçanikut, derdhjes së kemikaleve nga fabrikat etj. Hani i Elezit ishte zonë e luftës çlirimtare me një forcë prej 500 luftëtarësh. Në luftë nga kjo zonë janë vrarë e plagosur shumë persona, nga të cilët 13 janë dëshmorë të lirisë, janë plaçkitur të gjitha ndërmarrjet shoqërore e private, janë djegur e plaçkitur shtëpi të banimit etj. Më 28 mars 1999 është dëbuar popullsia civile nga vatrat e tyre kurse për çdo ditë nga tërë Kosova këtu zbarkonin me tren mijëra persona të dëbuar. Nga Hani i Elezit u fut pjesa dërrmuese e trupave të NATO-s në Kosovë.
Që nga viti 1936, kur është ndërtuar fabrika e çimentos “Sharri”, vendbanimi Hani i Elezit është bërë një vend industrial. Kjo fabrikë, e vetmja për prodhimin e çimentos dhe nga më të mëdhat në Kosovë, është privatizuar në vitin 2010 nga kompania greke TITAN Group. Pos kësaj fabrike të madhe, e vetmja e këtij lloji në Kosovë dhe nga më të mëdhatë në rajon, është ndërtuar edhe fabrika e prodhimeve nga azbest çimentoja “Salloniti”. Kjo fabrikë, që prodhonte gypa ujësjellësi e kanalizimi dhe mbulesa të valëzuara pullazesh, u mbyllë pas luftës me urdhër të UNMIK-ut, sepse materiali prodhues përmbante elemente kancerogjene. Fabrikë tjetër, e ndërtuar në sistemin monist, ishte fabrika e okiporit “Kosovaplast”. Të gjitha këto kapacitete industriale tashmë janë privatizuar, duke humbur rëndësinë dhe fuqinë ekonomike, që e kishin dikur. Sot në Han të Elezit veprojnë shumë biznese private, të cilat sadopak zbusin papunësinë e madhe. Qyteti është rritur e zgjeruar me banorë të ri dhe me krijimin e lagjeve të reja. Qyteti ka shkollë fillore, shkollë të mesme, shtëpi të kulturës, fushë futbolli etj., por është qyteti i vetëm që nuk ka qerdhe të fëmijëve e as stacion të autobusave. Pos trenit – muze, po ngritet qendra përkujtimore “Bllaca ‘99”, në kujtim të dëbimit të qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova e të vendosur në Kampin e Bllacës. Kompleksi përkujtimor në fshatin piktoresk malor Puset e Nikës është shembull i kujdesit për rregullimin dhe mirëmbajtjen e Varrezave të Dëshmorëve. Ky fshat, me kompleksin përkujtimor dhe me shtëpitë e vjetra tipike shqiptare po kthehet në një fshat turistik, gjithnjë e më i vizituar.+6