MARSHI APOKALIPTIK!
Asgjë nuk mbanim me vete,
asgjë,
veç ëndrrës
dhe shpresës në rrugëtim;
Karvani ecte i heshtur,
si ecë kortezhi pas funeralit;
Mbi supe bartnim
vuajtjet e viteve në mjerim!
Atje;
Në Bllacë, derdhëm dhimbjen, lotin, “krenarinë” e të vrarit!
Këtu;
Ndjehej frymëmarrja
si në natën para varrit!
Në Bllacë, u prek
Ferri i Dantes
dhe përbuzja e robit!
Asgjë njerëzore:
Andej, në gjah hienat;
këtej, krakëllimë e trisht’ e korbit!
Qenja jonë e prekur deri në asht,
priste Prometheun,
Feniksin, të ringjallej prap!
Nënë, ishin bijtë e tu
ata, që zjarrit i dhanë flakë;
Dhe, Diell’ i Lirisë erdhi e preku çdo prag.
Tani, kujt t’i qahem,
çfar të shkruaj, o vëlla!?
Kisha dashur të jem si Homeri,
të mos shoh,
kështu, çfar jam duke parë!
NË KËRKIM!
Unë këtu,
mbase dhe këtu do të jam
deri në vdekje!
Ajkunë, zbrit nga legjendat,
ta vajtojmë së bashku
Aga Ymerin!
Kërkova një varr,
gjeta një hartë të copëtuar,
në këtë nënqiell si plis pellazgu,
mbushur gurë dhimbjesh,
shkapërderdhur pjesëve të atdheut!
I thirra zgjimit!
Takova dhimbjen e shamizezave,
kujtimet lënë muranave!
Përditë ndiej gjëmën
e vajin e shamibardhave!
QYTETI I ALFABETIT QË NUK FRYMON SHQIP
Thelluar mendimeve
në rrugët e këtj qyteti,
ec, me të kaluarën,
ëndrrën e tokës time!
Dhimbjen e mbartë
nën sqetull, traseve,
gjurmëve të harrimit!
Këtu, kërkoj brumin,
fjalën, e gatimit.
Gërmoi vitet thellësive,
kujtesën e gjej në largësi!
Vij me rrjedhën e burimeve në shekuj!
Hullive mbjellur farën.
Korrjet i bënim në përcëllimë
motesh,
rritjet tufaneve!
Dëgjoj dhimbshëm,
psherëtimën e shkronjave,
rënkimin e tyre,
ngulfatur gjurmët…
me asfaltin e zi!
Në këtë QYTET emblemë dikur,
sot, asgjë shqiptare,
veç një shtëpi relikt me fantazma rreth tij!
AROMË POGRADECI
Aty ku vala prek bregun
dhe malli heshtjen zgjon!
Aty blerimi vesh kreshtën
fjala në trup bronzi frymon!
Atje pashë qiellin si ulet e puth tokën!
Nositin si flijohet mbi valë të liqerit zemërak…!
…!
Atje, dëgjova Asim Qerim, tek i thoshte shkjaut të zi
Se: Unë jam këtu, e jo Ti…!
…dhe zemra ime bëhet mal,
merr rrugë e nuk ndal,
kur fjala nga heshtja zgjohet e merr zjarr…!