Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CVI) -HIMARA – QYTETI 3000-VJEÇAR I KUNDËRTHËNIEVE POLITIKE
Përgjatë rrugës që lidhë Vlorën e Sarandën, në Bregun e Detit dhe në Rivierën Shqiptare ndodhet një qytet i bukur, me peisazhe shumë interesante. Është kjo Himara, qendër e bashkisë dhe qendër kryesore e Bregut të Detit, e cila lidhet nga njëra anë me Vlorën (72 km) e në anën tjetër me Sarandën (52 km). Mbi Himarën ngrihen malet me maja të larta mbi 2000 metra, ku kanë jetuar e jetojnë himariotët, një popullsi iliro – shqiptare me virtyte të larta njerëzore e luftarake. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 Himara kishte rreth 8000 banorë. Si bashki ka dendësi të vogël të popullsisë, më shumë për pasojë e largimit të pjesës më të madhe të banorëve në qytete më të mëdha, në Greqi e në vende tjera. Krahina apo zona e Himarës, me gjatësi prej 50 km dhe gjerësi 10 km, ka 10 fshatra (Himara e Vjetër, Palasa, Dhërmiu, Vuno, Qeparo, Kudhës, Shën Vasil, Pilur, Jale dhe Ilias), me reliev të kodrave e maleve të larta e të thepisura të Vetëtimës (Akrokeraune), që bijnë drejt në det. Popullsia e kësaj zone është autoktone shqiptare, një pjesë e saj e ardhur nga zonat e Mirditës e të Krujës. Bashkia e Himarës, pos fshatrave të Bregut, përfshinë edhe disa fshatra të Kurveleshit të Labërisë. Edhe në të kaluarën Himara ka qenë identifikuar me krahinën e Labërisë. Qyteti i vjetër i Himarës, i vendosur në kështjellën antike dhe zona e Bregut ka qenë e populluar qe 3000 vjet. Në veprën e Homerit, “Odisea”, përmendet udhëtimi i Odiseut në Chimera, që konsiderohet emri i vjetër i Himarës. Emri Himarë mendohet se rrjedhë nga emri i bishës mitologjike, përbindëshit Kimera (Cimera, Chimera). Nga burimet e hershme përmendet prej Plinit në shek. I, si qendër e fortifikuar e fisit ilir të Kaonëve, me emrin Himaera. Në shek. IX – X ishte qendër peshkopale e kryepeshkopatës së Ohrit, kurse në vitin 904 bie nën sundimin bullgar e një vit më vonë nën normanët. Në vitin 1199 qytetin e pushtoi Venediku, në shek. XIII e morën Anzhuinët, pastaj ra nën Bizantin e, në vitin 1431, u përfshi në Perandorinë Osmane. Disa familje himariote, në vitin 1482, u shpërngulën në Sicili dhe atje formuan një fshat të njohur, i quajtur Hora e Arbëreshëve, të cilat ende flasin arbërisht dhe i ruajnë zakonet arbëreshe. Duke shfrytëzuar detin, në shek. XVI banorët e zonës së Himarës kanë vendosur lidhje tregtare dhe komunikim të vazhdueshëm me ishullin e Korfuzit, kur edhe filluan ta përdornin gjuhën greke në të folmën e përditshme. Gjithashtu, gjatë Perandorisë Osmane, për të mbledhur taksat apo për ndëshkime ndaj kryengritjeve, trupat osmane mësynin me ushtri krahinën, kurse popullsia, për t’u mbrojtur, detyrohej të zhvendosej në Korfuz. Edhe sot në Himarë dhe në tri fshatra të saj ndodhet një grupim politik që veten e quan me përkatësi greke, duke shkaktuar këtu probleme politike e etnike. Ky grupim u përshtatet rrethanave të kohës, duke e quajtur veten herë grekë e herë shqiptarë, sipas interesit momental. Grupimi nxitet e mbështetet politikisht dhe materialisht nga shteti grek, qoftë me lidhje të pensioneve e të benefiteve tjera. Në fakt, aneksimi i Himarës është një projekt 200-vjeçar i Greqisë dhe në këtë drejtim shteti fqinj vazhdon me avazin e vjetër armiqësor ndaj Shqipërisë. Himariotët, me shumicë, nuk e kanë mbështetur këtë politikë të skajshme armiqësore. Në vitin 1912 edhe Himara e ngriti flamurin kombëtar dhe e kishte dërguar përfaqësinë e saj në Vlorë.Himara e Vjetër apo fshati Himarë është vendbanim i veçantë nga mënyra e ndërtimit dhe e fortifikimit, me gjurmë të qytetërimeve të ndryshme. Ky fshat është ndërtuar me teknikë të përsosur në një kodër 140 metra lartësi dhe një kilometër nga bregu i detit, i rrethuar nga të dy anët me kanionet e thella të përrenjve të rrëmbyeshëm. Himara dhe zona e saj kanë potencial të madh ekonomik dhe lidhje të mirë rrugore nga veriu e jugu. Rruga nacionale Vlorë – Sarandë përshkon tërë krahinën e Himarës, si rrugë kryesore komunikimi. Një rrugë tjetër e re po ndërtohet drejt fshatrave të brendisë së Kurveleshit, e cila do ta lidhë Himarën me shteg më të shkurtër me Tepelenën dhe Tiranën. Porti i Himarës krijon lidhje ujore me Korfuzin. Mundësitë ekonomike mbështeten kryesisht te turizmi, por edhe në peshkim, blegtori, ullishtari etj. Si qytet dhe krahinë, Himara ka histori të pasur dhe kulturë e tradita të lashta. Dallohet me këngët shumëzërshe, me vallet origjinale, me veshjet tradicionale, me vajet e njohura. Në Himarë është hapur shkollë shqipe qysh rreth vitit 1160, pastaj në vitin 1660. Himara kishte kodin e vet zakonor, i njohur si “Venomet e Himarës” dhe një kanun, i njohur si “Kanuni i Papa Zhulit”. Shkrimtari arbëresh, Jeronim De Rada, për kryeveprën “Këngët e Miloaos” është frymëzuar nga krahina e Himarës. Himara është njëri nga destinimet kryesore turistike të bregdetit shqiptar. Në Himarë ka bukuri dhe monumente natyrore, ku deti, qielli e malet shkrihen në një hapësirë të harmonishme. Në këtë hapësirë me reliev të thyer mes malit e detit, ndodhet historia mijëravjeçare kulturore e fetare, siç janë kishat e vjetra, shpellat parahistorike, Kalaja e Himarës, e ndërtuar në shek. IV – III p.e.r. etj. Terreni është i larmishëm; përrenj e kroje, që zbresin nga malet e derdhen në det, gjiret e shumta, plazhet fantastike, gryka e kanione të thella, brigje shkëmbore, kepe e gremina, tarraca të gjelbëruara. Zona e Bregut të Detit është e pasur me plazhe të mrekullueshme, me objekte komode hoteliere që japin shërbime të mira e ushqim cilësor. Janë plazhe nga më të mirat në bregdetin shqiptar, siç është Plazhi i Spilesë, i Livadhit (1.2 km), 3 km në veri të Himarës, i Potamit, i Jalës, i Llamanit etj. Plazhet ndodhen në natyrë të bukur, me ujin e kthjellët të detit, me hapësira për kamping, me qetësi të dëshirueshme, të përshtatshme veçanërisht për pushime familjare. Këto plazhe, me ujëra të kristalta e rërë të pastër vizitohen nga mijëra pushues e turistë të vendit e të huaj gjatë vitit. Zona e Himarës është malore me klimë të butë mesdhetare. Është nga zonat më tërheqëse turistike. Pos plazheve të bukura të Rivierës janë edhe shumë vende e monumente që duhet vizituar, siç është Shpella dhe kështjella e Ali Pashës në Porto Palermo, Kështjella e Himarës, shumë kisha të vjetra monumentale, fshati turistik i Qeparos etj.