Kulturë\Letërsi

Bedri Islami: Mendime të shkëputura

1,Në Shqipëri ne kemi një “ triumvirat” politik, që ndryshon në të kuptuarit e gjërave: Edi Rama i kupton gjërat, por thjeshtë nuk ka dëshirë t’i kuptojë.Ilir Meta mund ti kuptonte gjërat, po të donte.Lulzim Basha do të dëshironte t’i kuptonte, por nuk mundet. Është aq naiv , sa që mendon se dy të parët janë të kuptueshëm!

2.Ata që e kanë njohur poezinë lirike të Ndre Mjedës e kanë të vështirë të përfytyrojnë mendimtarin e madh ulur në një bahçe të fshatit të vogël Kukël, pranë Shkodrës, ku shkoi më shumë se gjysmën e jetës së tij. Shtatvogël,flokërënë, me duart që i lëviznin vazhdimisht, ndjente të njëjtin ngazëllim si pas parmendës,ashtu edhe kur përkthente Gëten!Bilbili i Mjedës , në poezinë lirike shqipe, është njëjtë si pëllumbi i tretë i Noas që sinjalizoi rikthimin e jetës!

3. Me përmendë emrin e Whitmanit është njëjtë si të thërrasësh një simbol të gjenisë së pakufishme, të thirrjes titanike, gati inkoherente, që vetpërfaqëson klithmat e shpirtit, dhe, për fat, i agimit të Amerikës.Në Shqipëri vetëm një poet ka shtatin e tij vigan ,megjithëse në pamje i brishtë, i kujdesshëm, sqimëtar, sa që të duket se ke të bësh me një dendy të viteve 30 të shekullit të shkuar.Migjeni!

4. Despotizmi dhe tirania i katandis kombet në humbjen e shpirtit.Nuk ka gjë më të shurdhër, më të heshtur, më të pashpresë dhe më të egër se sa humbja e shpirtit.Çudia më e madhe është se kur vdesin tiranët, popujt qajnë!

5. Velaskez dhe Françesko Goja janë dy piktorët më të mëdhenj të Spanjës në të gjitha kohrat!Të parin e duan më shumë në Spanjë, të dytin e respektojnë më shumë jashtë Spanjës!Më janë dukur si Gjon Pagëzori dhe Jezus Krishti. Historia e Spanjës së bukur, joshëse, triumfuese, pak donkishoteske, nuk shpjegohet ndryshe pa Velaskez. Historia e Spanjës kryengritëse, rebele, dashuronjëse nuk shpjegohet dot pa Francesko Goja! Por e kishte të vështirë të ishte profet në vendlindjen e tij! Profetizoi përmes pikturës.Këtij të fundit, në Shqipëri, i ngjan vetëm Abdurrahim Buza!

6. Adem Demaçi bëri 85 vite! Ai ishte një ndergjegje e pastër dhe në shpirtin e tij sundonte absolutja!Çuditërisht burgu i gjatë, 28 vite, e bëri më tolerant. Ishte njeri pa vese dhe nuk mund të zemëroheshe kurrë me të. Ai e adhuronte nga larg furtunën. E ndolli atë dhe , kur ajo erdhi, e bëri edhe më të pranueshme.Në vetvete ishte një çlirues, zemërbutë, që nuk e kishte për turp të pranonte se “ Vetëm të vdekurit dhe të marrët nuk ndryshojnë”.Të vdekurit nuk e gjykojnë dot…

7. Dy poetë më çlodhin edhe pas një udhëtimi të gjatë apo një ditë të rrëmbyer nga mjegullat. Esenini dhe Jorgo Bllaci.Janë dy poetë që i duan të gjithë për nga sinqeriteti, tingëllimi i pazakontë, rrjedha e bukurisë hënore.Si rrallë kush kanë vuajtur dhe, si rrallë kush kanë qenë të lumtur! Është njerëzorja kundër barbarisë!

8.Atdheu është AKT BESIMI. Ai ndriçon shpirtrat e mëdha dhe verbon shpirtrat e egër! Shqiptari, në përgjithësi, nuk u beson rrethanave, thuajse gjatë gjithë jetës së tij ai ka qenë më me dëshirë një individ , jo një nënshtetas.Të jesh shqiptar do të thotë ta ndjesh këtë gjë.

9.Është e habitshme, dy libra më shkaktojnë dhimbje trupore. “Idioti” i Dostojevskit dhe “ Nëpunësi i pallatit të Ëndrrave” i Kadaresë.Nuk e di pse më ndodh kështu: veçse , sa herë që dora ime zgjatet drejt këtyre librave kam një ngurrim dhe stepje.Më duket se kam Asgjënë dhe Gjithësinë para vetes, ndërsa qëndroj i mbyllur në një llampë, që nuk është magjike, por ka një dritë të zbehtë.

10. Disa vite më parë, në Detin e Veriut, hodha në valët e tij një gonxhe trëndafili të bardhë!Kur erdha në Shkodër, motra ime , në oborrin e shtëpisë së vjetër, kishte mbjellë , mes luleve të tjera, një trëndafil!Kishte çelur vetëm një gonxhe! E bardhë! Malli i motrës!