Portreti/intervista

Skender Susuri: Nderim kontributit atdhetar e shkencor të Prof. Dr. Sejdulla Hoxhës (1948 – 2021)

Prof. dr. Sejdullah Hoxha u lind në Zhur në vitin 1948. Shkollën fillore e kreu në vendlindje (Zhur). Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prizren (1968). Po këtë vit regjistrohet në Shkollën e Lartë për Punë Sociale në Shkup. Pas një viti detyrohet t’i ndërpres studimet, ngase arrestohet dhe dënohet me një vit burgim, për arsye të veprimtarisë kombëtare (organizimit dhe pjesëmarrjes në demonstratat e vitit 1968). Dënimin e vuan në burgun e Shkupit. Gjatë gjithë jetës së tij ishte i angazhuar dhe kontribuoi për çështjen kombëtare shqipatre, në veçanti për zgjidhjen e statusit të Kosovës, e cila padrejtësisht dhe me forcë, pas vitit 1945 kishte mbetur nën sundimin jugoserb. Dr. Sejdullah Hoxha ishte pjesëmarrës aktiv dhe kontributdhënës në të gjitha zhvillimet madhore nacionale të shqiptarëve në Kosovë, demonstratat e vitit 1981, demonstratat e vitit 1989 dhe zhvillimet e viteve 1990-1999. Nuk kishte si të ishte ndryshe, ngase që në rininë e hershme ishte i edukuar në frymën e atdhetarizmit dhe të patriotizmit shqiptar, për më tepër si stërnip i atdhetarit Mulla Nasuf Zhuri dhe nipi i Akademik prof. dr. Eshref Ademaj. Dr. Sejdulla Hoxha edhe pse jetoi dhe punoi në Prishtinë, asnjëherë nuk e harroi Zhurin. Bashkë me Akademik Eshref Ademajn ishte promotori i të gjitha zhvillimeve kombëtare të kohës, të cilat si në gjithë Kosovën, u zhvilluan edhe në Zhur dhe në rajon, në veçanti në vitet 1990-1999.

Dr. Sejdullah Hoxha gjithashtu ishte intelektual dhe shkencëtar. Pas përfundimit me sukses të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, paralelisht me kontributin si mjek dhe mësimdhënës arriti të përfundoi me sukses në vitin 1983 në Universitetin e Shkupit specializimin në gjinekologji. Në vitin 1986 i vazhdon studimet pasuniversitare në Institutin e Mjekësisë Publike në Universitetin e Sarajevës. Në vitin 2000 mbron tezën e Doktoraturës me titull: “Karakteristikat epidemiologjike, socio-ekonomike dhe faktorët tjerë që ndikojnë në lindjet e parakohshme gjatë periudhës pesëvjeçare në Kosovë”. Dr. Sejdullah Hoxha në vitin 1985 zgjidhet Kryetar i Seksionit të Gjinekologëve të Kosovës, ndërsa në vitin 1988 në Kongresin e Gjinekologëve të ish Jugosllavisë, zgjidhet Sekretar i Shoqatës së Gjinekologëve të ish Jugosllavisë. Gjatë vitit 1983-2000 punësohet Asistent mësimor për lëndën Gjinekologji – Obstetrike. Në vitin 2002 zgjidhet Profesor Asistent nga lënda Gjinekologji me Obstetrikë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Në vitin 2005 zgjidhet Prodekan në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Ka të publikuara dhe botuara më shumë se 50 botime shkencore-profesionale. Vepra kombëtare-patriortike dhe shkencore e Dr. Sejdullah Hoxhës do të mbeten gjithnjë të vlerësuara në rrafshin kombëtar dhe më gjerë.