Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: TAMARA – FSHATI I MREKULLISË NATYRORE NË ALPET SHQIPTARE

Një orë udhëtim apo 64 km nga Shkodra, 46 km nga Kopliku, 30 km nga Hani i Hotit dhe 40 km nga Gucia, në rrugën Hani i Hotit – Plavë ndodhet një fshat i thellë malor në Malësinë e Madhe, në bjeshkët e largëta të Kelmendit e në mes të Alpeve Shqiptare. Kjo është Tamara, fshati i futur në një luginë të thellë, aty ku bashkohen dy lumenj me emër të njëjtë; Cemi i Selcës dhe Cemi i Vuklit. Është interesant se si e ka marrë emrin Tamara. Gruaja e vezirit të Shkodrës, një sllave nga Mali i Zi, gjatë kthimit në Shkodër kishte mbetur në bregun tjetër të lumit, sepse ishte fryrë lumi nga një shi i madh. Ky ishte shkaku që veziri, në gjysmën e dytë të shek. XVIII, kishte vendosur ta ndërtonte urën mbi lumin Cem. Kjo urë e mori emrin e gruas së vezirit, Ura e Tamarës dhe pastaj edhe vendit i kishte mbetë emri Tamarë. Para se të bëhej fshat, më vonë edhe qendër e zonës, Tamara ishte vend kullose e Selcës. Në vitin 1945 kishte 19 shtëpi me 116 banorë, sot ka rreth 500 banorë, kryesisht të zbritur pas vitit 1966 nga fshatrat malore të zonës. Ndonëse fshat i vogël, Tamara është fshati më i madh dhe qendër e zonës së Kelmendit që nga viti 1935, sot njësi administrative e bashkisë së Malësisë së Madhe, me qendër në Koplik. Tamara është fshat piktoresk në Alpet Shqiptare, viteve të fundit e kthyer në një destinim turistik me pasuri natyrore të pallogaritshme. Është llogaritur se gjatë stinës së verës janë ndalë për kafe, për drekë apo për një pushim të shkurtër 150 vizitorë në ditë, kurse gjatë fundjavëve ky numër ka shkuar deri në 400 vizitorë, një pjesë e tyre turistë të huaj. Për shkak të pandemisë, vitin e fundit ky numër është shumë më i vogël. Tamara përpara ishte një fshat krejtësisht i izoluar nga bota; rruga, që kalonte përmes tij, ishte e ngushtë, me baltë e pluhur, ku nuk ndalej njeri dhe nuk kishte pse të ndalej. Kurse tash rruga është e mirë, e rindërtuar para 5 – 6 viteve, që lidhë Tamarën me Shkodrën, Koplikun e Hanin e Hotit, nga njëra anë dhe me Lëpushën e Vermoshin, nga ana tjetër. Më shumë se këtë lidhje, është edhe rrugë ndërshtetërore, pasi bën lidhje të shkurtër të krahinës së Plavë-Gucisë me territorin e R. së Shqipërisë dhe me Podgoricën, Tuzin, Ulqinin etj. Në rrugë e sipër drejt Alpeve Shqiptare dhe Tamarës udhëtari ndalesën e parë do ta bënte te ballkoni panoramik i Leqeve të Hotit, i quajtur në popull si “Ballkoni i Enverit”. Vendi ka marrë këtë emër pasi Enver Hoxha, kur e vizitoi zonën kufitare të Kelmendit në vitin 1967, u ndal këtu për ta vrojtuar natyrën madhështore të kësaj zone dhe u kthye prapa. Rruga në Leqet e Hotit ndodhet në lartësi 730 m. dhe përnjëherë zbret në lartësinë rreth 250 m., duke krijuar një spektakël të peisazhit mahnitës natyror në rrugën panoramike Hani i Hotit – Plavë, që gjarpëron nëpër pjesën veriore të Alpeve Shqiptare. Nga Ballkoni shifen bukuritë magjepëse të Leqeve, lugina e lumit Cem, maja e malit të Mështjerrës etj.Fshati Tamarë, dikur i harruar, sot është fshat i rehabilituar, jo vetëm me rindërtimin e rrugës, por edhe me rregullimin në tërësi të qendrës; me rrugët e shtruara me pllaka guri, me fasadimin e objekteve, me ndërtimin e shëtitores përreth lumit Cem, me rregullimin e çative të shtëpive, me meremetimin e shkollës së mesme, me sistemin ndriçues etj., duke e kthyer fshatin në një pikë tërheqëse turistike. Rigjallërimi i fshatit është realizuar sipas programit qeveritar “Rilindja urbane” e përmes Fondit për Zhvillimin Rajonal. Këto investime e kanë kthyer Tamarën në një destinim turistik mes natyrës së paprekur alpine, ku janë të ndërthurura aq bukur peisazhet natyrore të Alpeve tona. Sot fshati duket sikur të ishte rindërtuar e rregulluar rishtas dhe si është më së miri, ndaj kalimtarët e vizitorët e shumtë, duke përfshirë edhe turistët e huaj gjithnjë e më të shumtë, ndalen të shëtisin, ta shijojnë sadopak natyrën e egër, por të bukur, ta shijojnë një kafe malësorçe apo një drekë me ushqime tradicionale. Pos zvillimit të turizmit, duhet theksuar se në Tamarë është ndërtuar një fabrikë moderne për prodhimin e lëngjeve natyrore dhe të esencës së frutave bio. Është kjo një fabrikë e standardeve evropiane, shumë e mirëpritur në Malësi, që përpunon frutat e zonës dhe të të gjithë Shqipërisë. Kjo fabrikë, pos që ndikon në punësim dhe ngritje të ekonomisë lokale, u mundëson bujqëve të zonës shitjen e prodhimeve të frutave që përpunohen këtu; kumbullës, qershisë, fikut, manit, pjeshkës thanës, rrushit etj. Fshati ka edhe një hidrocentral të vogël, nga i cili është furnizuar me rrymë elektrike. Në fshatin mes maleve të thepisura ka shtëpi banimi, bujtina, shkollë të mesme, fushë sportive, ambulancë, dyqane, kafene, restorante etj. Edhe pse fshati ka ambulancë, shërbimi shëndetësor ka probleme për mungesë mjeku dhe shpesh edhe për mungesë të infermierit. Banorët e Tamarës dhe të zonës së saj kryesisht merren me blegtori, ngapak edhe me bujqësi, pemtari etj. Malet, edhe pse të larta e të thepisura, janë të pasura me bimësi të llojllojshme, veçanërisht me bimë mesdhetare e mjekësore; sherbelë, trumzë, bli, balsam, shegë të egra. Mbledhja e bimëve mjekësore është burim tjetër të ardhurash për jetesë të shumë banorëve të kësaj zone. Gjithashtu, lumi Cem, me ujin kristal, është i pasur me peshkun trofta, që mundëson zhvillimin e peshkatarisë. Sot banorët e Tamarës dhe të zonës së saj gjithnjë e më shumë po merren me hotelieri e turizëm, duke i shfrytëzuar bukuritë e pakufishme natyrore të këtyre maleve. Tamara është fshat turistik i transformuar dhe i rilindur, është një perlë mes Alpeve Shqiptare, që i përngjet aq shumë fshatrave turistike të Alpeve zvicerane. Janë malet e larta shkëmbore, lumenjtë gjarpërues, rruga panoramike që e përbëjnë këtë mrekulli natyrore. Peisazhet e natyrës së fshatit janë mbresëlënëse, natyra është paprekur, e pasur me shpella, ujëvara, lumenj, burime uji, pllaja malesh… Në fshat mbretëron qetësia dhe freskia malore, ku janë ruajtur, më mirë se kudo tjetër, traditat dhe zakonet e vjetra të popullit tonë, ku takohen aq mirë legjendat e vjetra me realitetin e sotëm. Është edhe mikpritja e bujaria e banorëve, janë ushqimet tradicionale karakteristike të zonës me prodhime të vendit, veçanërisht është trofta e egër e lumit Cem. Ia vlenë të vizitohet Tamara, të vizitohen Alpet tona krenare! Rruga, e rindërtuar para pak viteve, që bie nëpër Tamarë, e ka bërë të lehtë vizitën në Tamarë dhe në tërë zonën malore të Kelmendit.