Në 85 vjetorin e lindjes së të pavdekshmit Adem Demaçi
NJERIU I LIRË
Burgu nuk është vetëm burg
Është më shumë se kaq…
Burgu nuk është vetëm errësirë,
Është më shumë se kaq,
Më shumë se errësirë,
Është boshllëk i mbushur terr,
Terr e zbrazëtirë….
Shpëton vetëm ai
Që e mbush këtë zbrazëtirë,
Me dritën e syrit të tij
Me Dritën e mirë.
Burgu nuk është vetëm vuajtje,
Është më shumë se kaq,
Më shumë se mynxyrë
Është boshllëk i mbushur vuajtje,
Vuajtje e zbrazëtirë
Shpëton vetëm ai
Që e mbush këtë zbrazëtirë,
Me Ëndrrën e tij,
Me Ëndrrën e mirë.
Burgu nuk është vetëm dhembje
Është më shumë se kaq,
Më shumë se dhembësirë,
Është boshllëk i mbushur dhembje,
Dhembje e zbrazëtirë,
Shpëton vetëm ai,
Që e mbush këtë zbrazëtirë,
Me shpresën e tij,
Me Shpresën e mirë
Burgu nuk është vetëm burg
Është më shumë se kaq,
Më shumë se burgëtirë,
Është boshllëk i mbushur urrejtje,
Urrejtje në zbrazëtirë…
Fiton vetëm ai
Që e mbush këtë zbrazëtirë,
Me zemrën e tij
Me zemrën e e mirë
Që e mbush me dashuri,
Me zemrën e lirë…
Robëria nuk është vetëm burg,
Është më shumë se kaq,
Është shumë më shumë se burg,
Është boshllëk i pështirë,
Me burg, terr, vuajtje, dhembje
Mbushur një zbrazëtirë,
Shpëton e fiton vetëm ai,
Vetëm shpirti i fortë
Vetëm shpirti i dëlirë,
Shpirti që mbush burgrobërinë,
Me qëndresë, Atdhetari,
Me Besë e Shpresë e Dashuri,
Me mendjen e lirë,
Me ëndrrën e mirë…