Nga sot të pakta janë partitë që gëzojnë hisen e mbështetjes në skenën tonë politike. Se gjendja po përkeqësohej në dëm të tyre dihej po aq sa edhe na tregoi rezultati i këtyre zgjedhjeve. Por, nuk ka vetëm hidhërim në partitë që humbën. Nëse kupolat e tyre të kalbura kanë hidhërim, kjo nuk mund të thuhet për anëtarësinë e saj, e cila beson në shtëpinë e përbashkët nga ku nuk lëvizën as në këto kohë kaq anti establishmentesh. Të tillët konsistentë e duan një rast të fundit para se edhe ata t’ia mohojnë përkrahjen shtëpisë që e ngritën bashkarisht, por që ua përdorën grupet drejtuese abuzueshëm deri në babëzi.
Nëse përfituesi i madh nga zgjedhjet ishte Albin Kurti dhe LVV, atëherë të gëzuarin e madh duhet ta kërkojmë brenda llojit të tij të të bërit të politikës. Në këtë askush tjetër nuk është më origjinal se sa Dardan Molliqaj me shokët e tij. Origjinaliteti i tyre konsiston në përvojën e të bërit të Vetvendosjes oponencë për t’u konsideruar, që tashmë do ushtrojnë nëpër secilin gabim që LVV do ta bëjë!.
Nga nesër Kurti do filloj turnin e ri të jetës angazhuese si i vetëm në merita dhe përgjegjësi, e cila ka edhe një dinamikë që jo pak bie nga sfida në sfidë, ku do të mësoj për duart e prera që i vuajtën Rugova e Thaqi në pamundësitë e Kosovës, do ta mësoj marshimin e madh të mbështetësve shumë të uritur për institucionet, do ta mësoj sa larg e sa afër janë tenderat dhe akuzat për ta, do mësoj sa shumë krimi ia pi duhanin fshehtë drejtuesve, do mësoj sa shumë kafshon fodullëku i trashëguar i mendësisë sonë dhe sa pak kohë të jep ai për t’i bërë gjërat mirë. Do të mësoj sa e pashpirtë di të jetë opozita, sa e padenjë dhe sa ulët godet ajo në kushtet tona, dhe për fund, ai nga nesër do e mësoj deri në palcë thënien e malsores: me pas mbajt fëmija shtëpi Kola im kish me i mbajt tri!
Të mësosh dhe t’ia dalësh janë dy gjëra që pikëbashkohen apo pikëndahen të varura nga shumë faktorë, ku njëri dhe më baziku nga ta është kapaciteti, që për kohën e lexuar të prodhohen mjetet e duhura.
Vet fitorja krejt e madhe thotë shumë. Zhgënjimi nuk shfaqet kaq përmbysshëm nëse shoqëria nuk është përbuzur skajshëm. Për këtë Albin Kurti e ka në dorë dekadën e tij dhe fitorja sa është e madhe është edhe e qelqtë. Ndaj i takon atij të mos e thyej rrugës.
Koha shpejt do t’ia kërkoj kompromisin e brendshëm, pa çka se ai ka fituar shumicën e mjaftueshme. Kjo e hendikepon zotin Kurti. Ai nuk kooperoi kurrë për gjatë gjithë trajektores së ardhjes së vet politike. Pikërisht në ngërçet e Kosovës ai godiste pa pyetur për çmimin që mund të paguante Kosova, duke paguar politika jonë e brendshme elektoralisht. Shqetësimi në këtë pikë i qytetarëve që kanë rezon racional dhe jo mendësi turme është i madh. Pa marrë parasysh nga ato që thuhen edhe pas zgjedhjeve në funksion elektoral, Fitorja e madhe që është edhe fitore e qelqtë duhet të ruhet. Përcaktimi i të mundurve për oponencë të deklaruar edhe pse jo njëzëri, por në sinkron, lë shije të hidhur. Ata që pushtetuan në këto dy dekada nuk do duhej të mbylleshin në shpirtngushtësi dhe ta bllokonin zgjedhjen e kryetarit të vendit, për çka ne rrezikojmë të shkojmë në zgjedhje prap e prap. Nëse ndokush nga oponentët do donte ta dënonte vërtetë Albin Kurtin, atëherë duhet ta ndihmoj të akomodohet në pushtet. Kohët janë aq sfiduese dhe temat aq të nxehta, sa çdo drejtuesi do i digjen duart nga patatet e nxehta që bartë koha për faje të elitave tona politike, por edhe për çasjen e ligë që gjithmonë ka pasur Evropa ndaj neve në kohë vendimesh të mëdha. Qarqe Evropiane na obstruksionojnë hapur e fshehtë dhe ne vet kemi bërë mjaftueshëm keq për t’i ndihmuar tjerët në të keqen ndaj nesh.
Skepticizmi evropian (përjashtuar Austrinë), i cili po ndjehet në gjysmëfrymën me të cilën po shprehen për mirëpritjen e bashkëpunimit me qeverinë e re të Kosovës, duhet të jetë thirrje për opozitën tonë që kjo ta bëjë konstruktiven në mbarëvajtjen tonë të brendshme.
Edhe pse z.Kurti duhet të ketë mësuar të mos veproj pa llogaritarin e kalkulimeve në duar, ashtu thjeshtë në inercionin e revolucionarit, mungesë për të cilën ai në mandatin e parë edhe shkoi në shtëpi, opozita e re do të jetë përcaktuese me kohën që do t’ia jap atij për t’u akomoduar si në institucione edhe në tema.
Nëse në qeverinë e parë ai pati komoditetin e përplasjes, sepse ajo do ia sillte rritjen sikur edhe ndodhi, tani gjërat janë ndryshe. Gabimet apo veprimet e pamatura tani bëhen faturë në koston e tij. Ndaj opozita nuk ka pse ngutet tepër, sepse tashmë ai do të ndeshet me përgjegjësinë për gjithçka që vendit i shtrohet përpara dhe për këtë ai as mund ta injoroi bashkëpunimin e brendshëm as dialogun dhe integrimet.
Zhvillimi i vendit është sfidë më vete dhe ajo nuk vie me një të hequr lapsi.
Është ushqyer pritshmëri e madhe, zhgënjimi solli ndryshimin, dhe tani priten veprime energjike. Por, sikur e dimë, politika nuk i ka duart e lira të veproj përtej kreimit të politikave dhe prodhimit të ligjeve brenda të cilëve duhet doemos të sillet egzekutivi. Pushtetet e ndara janë pengesa pse nuk do të mund t’i prekim shpejt rezultatet e ndryshimit.
Për të gjitha ato, që z.Kurti do t’i ndesh në përditshmërinë e vet të punës, ai do përballet me opozitë reale në parlament dhe me reagim të organizuar të po asaj natyre që ai përdori kur ia donte opozitarizmi, në rrugë. Këtë përballje të po asaj natyre moskokëçarëse dhe jashtë institucionale, ku papërgjegjësia është standard i vënë po prej tij, nuk e bënë secili subjekt që ka kaluar nëpër përgjegjësitë e drejtimit të institucioneve, sepse as mund ta bëjë dhe as i ngjitet. Askush tjetër nuk do t’i futet rrugës së njohur veç PSD e krahut të Dardan Molliqajt me shokë. Duket krejt e pabesueshme që Enver Hoxhaj e Bedri Hamzaj, Lutfi Haziri e Lumir Abixhiku, Ramushi e Ahmet Isufi, do të lëshoheshin në përvojat që Dardan Molliqaj me shokë tashmë ka filluar t’ia rijep skenës në riprodhimin e asaj që diti ta bënte më së miri përgjatë ngritjes së Vetëvendosjes. Ndërtimi i kauzave vepruese dhe prodhimi i argumentit protestues kudo që mund t’i jepet rasti do të jetë ekskluzivitet i këtij grupimi, për çka vitet në vijim pritet të kemi shumë zhvillime të aksioneve prej simbolike e deri ku ata edhe do t’ia dalin t’i mobilizojnë gjeneratën e re për secilin gabim të qeverisë!
Fitorja e Vetëvendosjes është e kristaltë si akt dhe si numra, por kristalet nuk duhet harruar se kanë një përbërje me veti qelqi. Ato thyhen po nuk u kujdese. Edhe fitorja po ashtu mund të thyhet në terrenet e thyera të politikës.
Mes koketimit me të vjetrën për çështjen e zgjedhjes së kryetarit dhe ruajtja e duarve të lira është mesi ku ka ngelur fitorja e z.Kurti. Çdo bashkëpunim i kushtëzuar me partitë e vjetra në vetvete bartë rrezikun e degradimit. Kjo e bënë të vështirë tunelin me dritë në fundin e tij kësaj radhe. Le të mbesim me shpresë se do të ketë reflektim të të gjithëve deri në atë ditë, por ajo që na mbetet të themi është se retorika nuk duhet ta vras mundësinë. Mëshuarja fort e faktit se opozita duhet të qëndroj në parlament me rastin e zgjedhjes së kryetarit nëse do të mos shkohet në zgjedhje dhe të dërrmohet edhe më zi. Gjuha që përdoret si në rastin e këtij shantazhi na dëmton sot të gjithëve anise përdoret prej partisë fituese.
Kujdes me fjalën!