Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (XCVIII) – ISHULLI I LEZHËS – ME EMRIN, LAGUNËN E HOTELIN INTERESANT

Shtegtime nëpër Atdhe (XCVIII)ISHULLI I LEZHËS – ME EMRIN, LAGUNËN E HOTELIN INTERESANT Një fshat me emrin e pazakonshëm, Ishull-Lezhë apo Ishulli i Lezhës, më shumë si një pellg natyror, ndodhet ngjitur me qytetin e Lezhës dhe shkon deri te brigjet e Detit Adriatik. Në territorin me reliev fushor, që ndahet nga deti me rripa rënorë, ndodhet laguna interesante e Vainit, njëra nga gjashtë lagunat e bukura të Shqipërisë, si dhe Rezervati Kune – Vain – Tale. Fshati, bashkë me lagunën është zonë e mbrojtur, rezervat natyror, ku përfshihen laguna e kënetat, deti e bregdeti, pyjet bregdetare ligatinore, lumenjtë, toka bujqësore e kullotat. Madje, një pjesë e tokës ndodhet nën nivelin e detit. Në këtë hapsirë të gjerë, me florë e faunë të pasur, gërshetohet natyra e bukur me drurë të lartë e me shpendë ujorë të ujërave të lagunës, të lumit Drin e të Detit Adriatik. Edhe në Lagunën e Vainit jetojnë shpendët e rralla në botë, flamingot, pastaj rosat e egra etj. Fshati quhet “ishull”, edhe pse nuk është ishull. Ishull kishte qenë në shek. XV, kur e ka marrë emrin, sepse laguna ka lëvizur duke krijuar e pastaj duke i hequr ishujt gjatë shekujve. Ishulli i Lezhës është i përfshirë në programin e Qeverisë “100 fshatrat”, program që krijon kushte për zhvillimin e turizmit mjedisor e fshatar dhe përmirëson infrastrukturën dhe ekonominë e zonës. Me këtë program planifikohet ndërtimi i terreneve sportive, një piste hipizmi, shtimi i sipërfaqeve me vreshta e plantazhe pemësh, ngritje serrash etj. Gjithashtu, planifikohet rikthimi i lundrimeve me barka në lagunë, që do t’i rikthente turistët në këtë zonë kaq të bukur. Ishulli-Lezhë përmendet në dokumentet historike në shek. XV, kur u pushtua qyteti i Lezhës nga turqit në vitin 1478. Qyteti u dogj dhe u shkatërrua, kurse banorët u zhvendosën në afërsi, në një ishull të formuar në grykëderdhjen e lumit Drin, që u bë vendbanimi i dytë i lezhnjanëve. Për 23 vjet, në vitet 1478 – 1501, Ishulli i Lezhës mbeti territori i vetëm i lirë në bregdetin e epërm. Por, në vitin 1501, nipi i Skënderbeut, i mbiquajturi Skënderbeu i Ri, zbarkoi me trupa ushtarake nga Italia në Ishullin e Lezhës për të udhëhequr kryengritjen e përgjithshme, por pësoi disfatë. Në kohët më të vona fshati është populluar me banorë, kryesisht të zbritur nga zonat malore të veriut. Në vitin 1856 fshati kishte 30 familje me 500 banorë, kurse sot ka rreth 5000 – 6000 banorë. Është nga vendet e rralla në vend, ku numri i popullsisë rritet nga viti në vit. Në vitin 1936, në një natyrë magjepse e në harmoni me mjedisin, në fshatin Ishull-Lezhë, nën kujdesin e ministrit të jashtëm italian, dhëndrrit dhe këshilltarit të Duçes, Kontit Çiano, është ndërtuar vila e Çianos, një objekt me vlera të veçanta arkitektonike. Vila është projektuar dhe ndërtuar nga italianët me material prej guri dhe druri, si një objekt i destinuar për pushim e gjueti, i shfrytëzuar nga italianët para dhe gjatë pushtimit italian të Shqipërisë. Pas çlirimit vila Çiano u shpall monument i trashëgimisë kulturore dhe u emërtua Hoteli i Gjuetisë. Shërbeu edhe si rezidencë qeveritare, ku herë pas here pushonin dhe dilni në gjueti udhëheqës politikë, shkrimtarë, artistë, sportistë, mysafirë të lartë… Sot hoteli, me enterier të veçantë, ruan në masë të madhe, traditat dhe vlerat historike e arkitektonike të tij. Në vitet 1990 – 1992 hoteli ka pësuar shkatërrime të mëdha, për t’u rindërtuar e funksionalizuar në vitin 2000. Është ndër objektet hoteliere historike më të vjetra dhe më të frekuentuara në Shqipëri, mjaft interesante për t’u vizituar nga turistë të vendit dhe të huaj. Në vitet e socializmit, ngjitas tij, janë ndërtuar edhe dy vila, njëra qeveritare dhe tjetra e SHIK-ut, ku, në këtë të fundit, në vitin 1996, mizorisht përfundoi jeta e veprimtarit nga Kosova, Remzi Hoxhës. Përtej hotelit shtrihet laguna e Vainit dhe bregdeti, shtrihet edhe plazhi i Vainit, që njihet për pastërtinë e ujit dhe e rërës dhe është i përshtatshëm për ecje përreth detit. Gjithashtu, deri te laguna e mëtej është ndërtuar rruga e re, madje edhe me korsi për biçiklistë. Në këto hapësira janë ndërtuar edhe shumë restorante e lokale tjera hoteliere, që përgatisin gatime peshku dhe gatime tradicionale të zonës. Ishullin-Lezhë në vitin 1940 italianët e kishin shpallur zonë të mbrojtur, “rezervat gjuetie”, për çka bëhet zona e parë e mbrojtur në Shqipëri, kurse në vitin 1969 u rishpall “rezervat gjuetie”. Në vitin 1947 në këtë zonë është vendosur një repart ushtarak, me emrin Vain, prej nga rrjedhë emri i lagunës (VAIN – Vrojtim ajror, Informacion, Ndërlidhje). Laguna e Vainit dikur kishte florë e faunë edhe më të zhvilluar; rosa të egra, fazanë, lepuj e kafshë tjera, si dhe lloje të ndryshme të peshqëve. Në periudhën 1950 – 1990 janë rehabilituar pyjet, janë shtruar rrugë e ndërtuar ura, janë shpuar puse, janë hapur kanale që lidhnin pjesët e lagunës me lumin Drin dhe detin, është ndërtuar qendra për rritjen e fazanëve (kapaciteti 30 mijë krerë në vit), është ndërtuar qendra për rritjen e rosave të egra (4000 rosa në vit), është rrethuar zona e mbrojtur, janë ndërtuar vendet e gjuetisë, bankinat për peshkim, kulla e vrojtimit e shumë të tjera. Por, në vitet e rënda pasuese 1990 – 1997 këto ndërtime pothuaj u shkatërruan në tërësi, ashtu që gjendja e lagunës dhe e Hotelit të Gjuetisë u përkeqësua shumë. Mirëpo, dy dekadat e fundit gjendja është duke u përmirësuar. Në vitin 2010 kjo zonë është rishpallur si zonë e mbrojtur, Rezervat Natyror, me sipërfaqe 4400 hektarë. Edhe pse pellgu i Ishullit të Lezhës është një pasuri natyrore që kërkon mirëmbajtje më të mirë mjedisore për të krijuar kushte për zhvillimin e turizmit, atë ende e mundon gjendja e mjedisit; ndotja e lumit, e plazhit dhe e detit, shpyllëzimi apo prerja e drunjve, gërryerja (erozioni) i bregdetit, betonimi nga ndërtimet pa kriter dhe derdhja e ujërave të zeza në lumë e pastaj në det. Llogaritet se për çdo vit deti, në këtë zonë, përparon drejt tokës nga dy metra në vit, kurse llogaritet se deri tash i ka gllabëruar më shumë se 300 hektarë tokë! Banorët e fshatit tradicionalisht merren me bujqësi e peshkatari, kurse dy dekadave të fundit i japin përparësi zhvillimit të turizmit. Si zonë e peshkimit në lagunë, në lumë e në det, tregohet se çdo shtëpi ka një peshkatar dhe se nuk ka familje të mos ket peshk në shtëpi. Zona fushore e Ishull-Lezhës, e rrethuar nga laguna, deti e Drini, viteve të fundit ka tërhequr shumë turistë të vendit dhe të huaj, të cilët janë mahnitur me natyrën e paprekur dhe interesante, si dhe me ushqimet tradicionale të restoranteve të shumta. Zona apo pellgu i këtij fshati përbën një kompleks të bukur natyror, i përshtatshëm për pushim, për gjueti, për peshkim. Vizitorët, kryesisht turistë ditor, janë adhurues të natyrës së bukur e interesante dhe të gatimeve të peshkut dhe të gatimeve tradicionale. Në këtë fshat shkrimtari Kolë Jakova, në vitin 1986, shkroi romanin satirik trevëllimësh “Fshati midis ujërave”, ku trajton jetën e fshatit në vitet para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.