Viktor Malaj: Nga rusi “non grata” dhe Lulzim “perëndimori” tek “mëshira” e Metës dhe “salillarët” e Ramës
Përrallat dhe marifetet e një jave mjeranësh politikë
– 1 –
Mjetet publike të informacionit njoftuan kohët e fundit se Qeveria shqiptare kishte shpallur persona non grata (të padëshirueshëm) sekretarin e dytë të ambasadës ruse në Tiranë. Një fakt i tillë nuk shkakton ndonjë çudi të madhe, pasi gjëra të tilla ndodhin shpesh në marrëdhëniet diplomatike midis vendeve të ndryshme.
Ajo që shkakton çudi dhe, befas sjell një buzëqeshje ironike është motivi i shpalljes së një diplomati të huaj si person i padëshirueshëm: “sepse ka shkelur rregullat anti-kovid?!”.
Në cilindo vend të botës por, veçanërisht, në Shqipëri ku shumica e popullsisë dhe zyrtarëve të shtetit i shkel përditë kufizimet e vëna në kushtet e pandemisë, ky motiv ngjan jo vetëm i pavërtetë, por edhe aspak serioz. Në fund të fundit, nëse diplomati në fjalë është marrë me veprimtari spiunazhi, siç merren shumica e “diplomatëve” të Lindjes dhe Perëndimit, do të kishte qenë më dinjitoze të shpallej non grata pa dhënë shkakun, pasi Konventa e Vienës mbi Marrëdhëniet Diplomatike ia njeh këtë të drejtë çdo shteti, pra të drejtën e dëbimit të diplomatit të huaj pa dhënë shpjegime sqaruese rreth motivit.
Motivi i shqiptuar nga autoritetet tona shtetërore ngjan aspak serioz kur shohim vazhdimisht autoritetet tona politike, të pozitës dhe opozitës, të bëjnë takime me “popullin” pa zbatuar kufizimet e vendosura të pandemisë. Ne kemi parë jo vetëm L. Bashën e M. Kryemadhin të mbledhin apo takojnë njerëzit pa maska dhe pa ruajtur largësinë dy metra, por kemi parë, në një video të shpërndarë nga Kryeministri, një takim të tij në një restorant në Vlorë ku të pranishmit e ulur rreth tryezës, në largësi të vogla, ishin pa maska dhe disa metra më tutje, brenda restorantit, dy “garipë” pinin duhan?!
Një motiv-pretekst si i lartpërmenduri nuk do të ishte serioz as për një diplomat të një vendi shumë të largët dhe shumë pak të njohur dhe jo për diplomatë të vendeve të tilla si Rusia të cilat nuk shquhen si shakatar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe, kjo “shakaja” e qeverisë sonë mund të sjellë kundërpërgjigje që nuk cënojnë politikanët tanë, por rëndojnë, më së paku, mbi atë pjesë të shqiptarëve që udhëtojnë drejt Rusisë për biznes apo qëllime të tjera.
– 2 –
Kryetari formal i opozitës, z. Basha nuk po lë rast pa përmendur kohët e fundit se, me demek, ai na qenka ndryshe nga të gjithë politikanët e këtyre 30 viteve sepse “nuk është arsimuar në komunizëm por është rritur dhe brumosur me një model perëndimor të formimit”.
Duke mos i njohur vetes asnjë meritë reale qeverisëse (“si administrator ai është shumë i dobët”,- njoftonte Ambasada Amerikane qeverinë e vet para disa vitesh), Basha beson se do të bëhet tërheqës për elektoratin me gënjeshtra të tilla që e bëjnë edhe më shumë qesharak nga sa shfaqet e shpërfaqet. Basha harron se shumica e shqiptarëve janë aq të mençur sa të kuptojnë se vlerat intelektuale dhe morale varen nga formimi i veçantë i çdo individi dhe jo nga fakti kur ka lindur, ku ka lindur apo ku ka mbaruar shkollën.
Prandaj, populli gjerman zgjodhi për katër mandate rresht si Kancelare të Gjermanisë znj. Anxhela Merkel, megjithëse ” ishte rritur dhe edukuar në komunizëm ” në Gjermaninë Lindore.
Ai, jo vetëm është rritur dhe edukuar në komunizëm, por është krenar pse “i përket shkollës politike të Sali Berishës”, është i betuar ta vazhdojë këtë shkollë, moralin dhe sjelljen e saj në të ardhmen, ka qenë autor dhe bashkëpunëtor i tij në disa krime gjatë qeverisjeve berishiste dhe ka sot rreth vetes të gjitha figurat e vjetra dhe besnike të berishizmit, tashmë të zvetënuara.
Ditët e fundit Basha pohoi se Rama, as për tetëdhjetë vjet nuk i realizon arritjet e tij, ku përmendi Rrugën e Kombit, në të cilën Basha iu “përlau” shqiptarëve 240 milion euro, pranimin e Shqipërisë në NATO dhe lëvizjen pa viza në Evropë. Të krenohesh me veprat e tua korruptive dhe me ngjarje si pranimi i Shqipërisë në NATO, që s’ka asnjë lidhje me aftësitë apo paaftësitë e qeverisë, por është një akt tërësisht strategjik i Aleancës Politiko-Ushtarake që synon dominimin dhe kontrollin mbi glob, do të thotë se mjerimi intelektual të shtynë ta marrësh për budalla popullin tënd.
Po ashtu, të besosh se populli yt duhet të të votojë po për ato “arritje” për të cilat të ka dëbuar me votë masive përpara tetë viteve, është iluzion, dëshpërim dhe mosrespekt për votuesit.
– 3 –
Presidenti i vendit, z. Ilir Meta deklaroi gjatë ditëve që ndodhën përmbytjet në zonën veriperëndimore të vendit, rezultat i reshjeve të mëdha, se “Qeveria e la popullin në mëshirë të fatit”.
Kur e lexuam përrallën presidenciale na u kujtuan vitet 2009-2010 kur e njëjta zonë u përmbyt shumë herë më keq se sivjet dhe qëndroi e përmbytur për gati një muaj. Aq e rëndë u bë gjendja sa znj. Topalli tha se “duket Shkodra si Venecia”. Të magjepsesh nga përmbytja është se ç’është.
Në atë kohë z. Meta ishte zv. Kryeministër dhe populli ishte “në mëshirën e tij”. Krahasimet midis dy ngjarjeve të ngjashme e nxjerrin politikanin Meta “lakuriq” ndërsa fakti që Presidenti Meta, në kundërshtim me Kushtetutën, për të 100-n herë paraqitet si drejtues opozite dhe jo “simbol i unitetit kombëtar”, e ka bërë atë nga qesharak në të neveritshëm.
Prononcimet e tij të vazhdueshme, për gjithçka dhe, më së shumti, gabim e kanë ulur dinjitetin e institucionit të Presidentit në nivele të mjera. Unë çuditem se si është e mundur që nuk ka përreth asnjë dashamirës të mençur e dinjitoz që t’i tregojë se me shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës është shndërruar në një lolo politik.
– 4 –
Pasi media bëri të njohur faktin se në jug të Shqipërisë shirat e dendur kishin dëmtuar një pjesë të një rruge të ndërtuar vjet nga kompania e njëfarë Salillari, Kryeministri i vendit mori në mbrojtje kompaninë e ndërtimit dhe biznesmenin me “argumentin” se “këta janë njerëz që punësojnë qindra shqiptarë” dhe prandaj qëndrimet kritike ndaj biznesmenit Kryeministrit i ngjajnë si gjobëvënie.
Një qëndrim i tillë i z. Rama nuk është aspak dinjitoz për shumë arsye. Nëse rrugët prishen nga agjentët atmosferikë sapo ndërtohen kjo do të thotë se projekti i rrugës ka qenë teknikisht i gabuar ose ndërtuesi i saj nuk iu është përmbajtur projektit dhe kontratës së ndërtimit.
Në Perëndim fenomene të tillë ndodhin shumë rrallë, por kur ndodhin është kompania ndërtuese ajo që gjobitet dhe bën riparimet e nevojshme pa pagesë nga qeveria. Të shpenzosh miliona euro për ndërtime pa siguritë e nevojshme teknike dhe financiare do të thotë brirët e papërgjegjshmërisë të kanë dalë në ballë.
Një makinë e re, që kushton 20-30 mijë euro shitet me garanci minimale tre vjet. Po një rrugë apo urë që kushton dhjetëra apo qindra milion euro, a duhet të ketë garanci teknike dhe afate që sigurojnë riparimet e tyre nga ndërtuesi pa shpërblim nga “blerësi” shtet?!!!
Në çdo vend normal ngjarja e ndodhur me rrugën do të ishte bërë objekt hetimi i prokurorisë e cila, pas verifikimeve dhe ekspertizave përkatëse, do të konkludonte lidhur me fajësinë apo pafajësinë e biznesmenëve tanë “bamirës”.
Është mirë që z. Rama të mos përpiqet që dashurinë e tij të pakushtëzuar për të pasurit të na e shesë si parim moral. Se kush janë dhe çfarë përfaqsojnë shumica e të pasurve në Shqipëri dhe në botë, si i kanë vënë e shtuar ata pasuritë dhe si i trajtojnë të punësuarit, një pjesë e shqiptarëve e dinë mirë.
Të pasurit nuk punësojnë për bamirësi, por për nevojat që kanë për krahë punë dhe për etjen për të nxjerrë fitime marramendëse nga puna e keqpaguar apo edhe e papaguar.
– 5 –
Dy lajme që përcolli media kohët e fundit ma çuan buzën në gaz nga halli. I pari ishte “sihariqi” i njoftuar nga z. Taulant Balla se “së shpejti do të kemi xhevahire nga Amerika për financimet e PD-së dhe të z. Basha”. Ndërsa tjetri ishte njoftimi (të cilin unë e përbuz) se policia e Tiranës i paska kërkuar prokurorisë rihetime e riekspertime lidhur me disa nga vrasjet e 21 janarit 2011.
Këto dy marifete politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme janë po aq të besueshme dhe po aq serioze sa propaganda e mjerë e opozitës dhe disa analistëve që sillen në orbitën e saj se bisedat dhe mendimet e nja 2-3 halabakëve në Kalabri për korrupsionin në Shqipëri përbëjnë prova të situatës korruptive në vendin tonë.
O politikanë të mjerë të pozitës dhe opozitës!
Lulzim Basha nuk duhet të bëhet kryeministër i Shqipërisë, jo pse ka shpenzuar paratë e huaja për lobime në Amerikë, por sepse iu ka borxh shqiptarëve 240 milion euro në ndërtimin e Rrugës së Kombit, sepse ka qenë Ministër i Brendshëm dhe drejtues në terren i Gardës kur janë vrarë nga Garda katër protestues të pafajshëm dhe ka fshehur pamjet filmike të ngjarjes, sepse ka nënshkruar një marrëveshje antikushtetuese dhe antikombëtare me Greqinë kur ka qenë Ministër i Jashtëm, sepse ka qenë bashkautor në falsifikimet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe ato lokale të 2011, sepse është vazhduesi besnik moral, politik dhe antidemokratik i Sali Berishës dhe gjithçka përfaqson berishizmi në politikë.
Ku keni qenë ju pushtetarë tetë vjet që u kujtuat për “rihetime” të 21 janarit vetëm tani?! Ç’punë ka policia me rifillimin e hetimeve kur legjislacioni shqiptar ka përcaktuar procedura të tjera për rihapje hetimesh?! Po të kishit qenë më të aftë dhe më të denjë në qeverisje, nuk do të vinte puna deri aty sa sot shqiptarët të kishin si alternativë të pushtetit riciklimin e disa politikanëve të inkriminuar në të shkuarën dhe që, në ved që të ishin me kohë në qeli për krimet e kryer, janë sot ” pastorë ” të moralit, drejtësisë e demokracisë dhe kandidatë për risundim.
Mirë opozita, e cila ndodhet brenda guaskës së moralit dhe intelektit të saj varfanjak, po si ka mundësi që disa analistë “të gjithëditur” dalin e na thonë se bisedat dhe konsideratat e disa halabakëve, anëtarë të Ndragetas, me njëri-tjetrin apo me ndonjë zyrtar italian në Itali lidhur me investimet dhe korrupsionin në Shqipëri na “vërtetokan” situatën tonë “të pashpresë” ose me “shpresë” tek opozita?! Pra, sipas këtyre kokave të mëdha dhe të nxehta, ne shqiptarët duhet të mësojmë çfarë ndodh në Shqipëri nga bisedat ordinere që bëjnë disa shtetas italianë, shumica e të cilëve s’kanë qenë kurrë këtu.
Ne kemi qenë dhe jemi këtu përditë dhe jemi të sigurt pa kurrfarë dyshimesh se në Shqipëri ka pasur dhe ka ende shumë korrupsion dhe pastrim parashë. Dhe do të ketë edhe në të ardhmen, ashtu siç ka pasur dhe ka në shtetet perëndimore më të zhvilluara.
Qindra miliarda, në mos disa trilion dollarë me burim veprimtaritë e paligjshme, pastrohen çdo vit në Itali, Angli, SHBA, Francë, Holandë etj. Lexoni studimet dhe konkluzionet e institucioneve ndërkombëtare kundër drogës dhe krimit të organizuar që të bindeni. Ne po ecim drejt tyre dhe nën shembullin e tyre. E keqja është se, kryesisht, po marrim vetëm shembujt e këqij.
Po, pse me çfarë janë ndërtuar qindra dhe mijëra hotele, supervila, restorante dhe gradaçiela gjatë 30 viteve të fundit në Shqipëri?! Me frymën e shenjtë dhe me të ardhurat nga produkti “gjigant” vendas? Lërini përrallat vetëdiskredituese sepse ju kanë zhvlerësuar shumë! (Gazeta “Dita”)