Zgjedhjet e 14 shkurtit do të jenë shpërfaqje e një lloj zgjimi politik eruptiv; ato do të shpërfaqin Lëvizjen Vetëvendosje si sinonim të një lëvizjeje progresive qytetare. Si e tillë, ajo do të reflektohet edhe si lëvizje nga poshtë-lart, në trajtën e protestës së pastër politike, në modusin e participimit.
Prishtinë,
30 janar – Qytetarët e Kosovës ndjehen, përveç të gënjyer, në masë të madhe, edhe të
mashtruar. Tashmë është fakt notar: qeveritë e olhokratëve i kanë shndërruar
partitë politike de facto në korporata biznesi, ndërkaq sistemin e drejtësisë e
kompromitoi tërësisht.
Populli në Kosovë tashmë po konkludon se establishmenti i vjetër politik i
Republikës ishte dhe mbetet përgjegjës për degradimin e Shtetit dhe vrasjen e
shpresës.
Degradimi i të ashtuquajturit dialog teknik me Serbinë, tashmë është lehtësisht i verifikueshëm, ishte në prag të shndërrimit në tragjedi të mirëfilltë për Republikën, meqë po mos të vepronte Gyjkata Speciale, si një Vis Majoris, me gjasë, do të përfundonte në ndarjen e veiut të Republikës.
Shoqëria jonë është e ndërlidhur me fjalën e dhënë, që në
kodin tonë etnopsikologjik njihet me nocionin Besë. Nëdrkaq duke gjakuar për
shumë kohë Shtetin, si e tillë, ajo, pra shoqëria, besonte thellë se, nëse në
krye të Lëvizjes për Shtet janë iluministët, ata do ta funksionalizojnë
Republikën, dhe rrjedhimisht ajo në bashkudhëtim me Lirinë, do të na shndërrohet në burim të
krenarisë dhe dinjitetit.
PDK-ja duke u thirrë në emër të UÇK-së, të familjes dhe pronës si binom i
shenjtërisë së shpifur, privatizoi Shtetin, degradoi deri në përbuzje idealin e
lirisë dhe moralin publik.
Në parathënien e veprës të tij jetësore “Çeta e profetëve”, Pjetër Bogdani pohon një të dhënë që ndërlidhet me qëndrimin e ngulitur në ndërdijen e sllavëve në raport me Perëndimin. Natyrisht, serbët, duke qenë fqinjë të shqiptarëve, ata i cilësojnë si perëndimorë, ndërkaq “Fesë katolike i thonë Arbanashka vera”.
Në epokën e Bogdanit ishte civilizimi ai që ndante
shqiptarët e serbët; aktualisht këtë ndarje po e bën gjeopolitika dhe tok me të
edhe vaksina kundër COVID-it. Ndërkaq gjeopolitika e munguar e qeverisë Hoti e
ka lënë Republikën si “atom të lirë”: as me Perëndimin e as me
Lindjen, por që de fakto trajtohet më shumë si pjesë e Lindjes!
Qeveritë paraprake të LDK/PDK-së këtë pozicionim gjeopolitik të Shtetit,
pavarësisht se kishin plot gojën Amerikë, e dërguan në prehrin e Erdoganit dhe
Vuçiqit.
Edhe një arsye shtesë përse LDK-ja shpejt duhet të kalojë në histori, me gjasa të mira, në zgjedhjet tjera e përcjellur edhe nga PDK-ja.
Tani, kur rreziku i rrëshqitjes së Republikës në terrenin
e shteteve në dështim, është në horizont; kur një pjesë e atyre që manipuluan
edhe me emrin e UÇK-së janë në burgun e Sheveningenit, duke rrezikuar të
dëmtohet rëndë imazhi i vendit dhe kryevlera jonë politike – UÇK-ja, ndërkaq
vendi ndodhet në kulmin e pandemisë dhe në valën e zgjedhjeve; kur institucionet e drejtësisë, tashmë edhe
pas vendimit të Gjykatës Supreme që dëshmoi qartësisht se vendimi i Gjykatës
Kushtetuese ishte jo vetëm skandaloz, por edhe i rrezikshëm, meqë cënoi rënd
parimin e sigurisë juridike, duke ushtruar krimin sui generis, u cënua rënd edhe
siguria juridike.
Siguria juridike parakupton, përveç tjerash, besueshmërinë e qytetarëve tek
shteti dhe institucionet e tij.
Me këtë veprim të Gjykatës Kushtetuese dhe mekanizmave tjerë të sistemit tonë
të drejtësisë (KQZ-së, PZAP-së, Gjykatës Supreme), në raport plotësisht të
zhdrejtë me kushtetutën dhe ligjet pozitive, u dëshmua katërcipërisht se tutje ky sistem mbetet në shërbim
të kapësve të shtetit. Duke tumirë aktin antikushttues të Gjykatës Kushtetuese
që cenoi rënd të drejtën themelore për të zgjedhur dhe për t’i zgjedhur,
sistemi ynë i drejtësisë, me vendimin e Gjykatës Supreme, definitivisht vetëm
sa legalizoi krimin.
Për rrjedhojë, qytetaria është mobilizuar; ajo po ngritet në këmbë, po rirreshtohet plotësisht, duke paralajmruar se 14 shkurti do të shënojë ndryshimin epokal demokratik të sistemit politik.
Qytetaria shqiptare është në lëvizje. Zgjedhjet e 14 shkurtit do të jenë shpërfaqje e një lloj zgjimi politik eruptiv; ato do ta shpërfaqin Lëvizjen Vetëvendosje si sinonim të një lëvizjeje progresive qytetare. Si e tillë, ajo po reflektohet edhe si lëvizje nga poshtë-lart, në trajtën e protestës së pastër politike, në modusin e participimit.
_____________