Kulturë\Letërsi

Bedri Islami: Për Mitrush Kutelin

Ai është magjepsi më i madh i prozës shqiptare. Ka sjellur një prozë që nuk shterr; të duket sikur është një pus i thellë nën këmbët e tua, kur në të vërtetë është një det i tërë; rrjedha e tregimeve të tij është magjepsëse deri në atë pikë sa të merr me vete në fantazmagorinë e tij; të duket sikur një hyjni e fshehtë vepron ndërkohë dhe prej tyre mund të ëndërrosh gjithë botën shqiptare.

“Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret”. Kjo thënie është e njërit ndër korifejtë e letrave shqipe, që, si një paradoks i habitshëm, ishte edhe njëri ndër bankierët më të shquar të kohës.I shpërndarë në dy emra, njëri nga bota e biznesit , Dhimitër Pasko,dhe tjetri nga madhështia e artit, Mitrush Kuteli, si mbetet ndër më të veçantët që ka pasur kjo tokë , fillimisht në kapërcyellin e viteve ’30, pastaj në mesin e shekullit të shkuar, për të mbetur njëri ndër meteorët e tij.Ishte i jashtëkohshëm, nga ata njerëz që të duket se kanë mbirë në këtë vend sëbashku me lumejtë, ujrat, bjeshkët, rrafshinat dhe rrafshlartat, liqenët, majat, dheun e butë; i pranishëm edhe me mungesën e tij, i dyzuar, me njerën këmbë jashtë të dashurës së botës sonë dhe, me tjetrën, në vitet që do të vijnë; kurrë i dukshëm, por gjithmonë pamor; misterioz në heshtjen e tij dhe fërgëllues në shfaqjen; stilist si pak kush, për të mos thënë ati i stilistikës letrare dhe rrëfimtar i pazakontë; i vrullshëm si erërat e vendlindjes së tij dhe mentar si pleqtë e dikurshëm të një kohe të shkuar; fjalëpak, por i ngrohtë dhe kjo të ngjante me bukën e sapodalë nga magjja; i kursyer në mjedise të mëdha dhe bisedues i shkëlqyer me miqtë e tij. Ai ishte i njëjtë si Migjeni, pra i vrullshëm; i njëjtë si Lazgushi, pra gurgullues; i njëjtë si Çabej, pra i ditur; i njëjtë si Branko Merxhani, pra liberal i lindur; i njëjtë si Petro Marko, pra rrëmbyes; e megithatë ai ishte vetja, më shumë se asgjë tjetër, ishte vetja. I papërsëritshëm dhe në të njëjtën kohë i kudogjendur. Koha kur ai u shfaq ishte ajo e ëndërrimtarëve dhe e përshfaqjes së një elite, fati i së cilës u ndërpre, sepse duhej ndërprerë ëndrra. Burra të shquar, studjues të ndritur, me emrat e lënë në universitetet më të njohur, dendy, kur ishin të rinj dhe patricë në vitet e mëvonshme; në një vend ku katër e pesta ishin analfabetë ata ishin drita; në një truall ku legjendat përziheshin me mjerimin, ata ishin dritëzim; në fakt ata ishin perëndimi i ardhur në një vend që kishte mbetur lindje dhe ku vlerat e Lindjes ishin shkrirë duke u bërë apati, mërzi dhe trishtim. Këta burra , që sot njihen nga të gjithë edhe vetëm me mbiemrat e tyre, ose vetëm me emrat, janë bota e ndërprerë, por sidoqoftë mbetin një botë, që më pas do të magjepsnin Kadarenë, Moikomin, Arapin, Agollin, Xhevahirin, e, bashkë me to, tërë kombin. Plejada e Çabejt, Budës, Demirajt, Poradecit, Fishtës, Tefta Tashkos, Migjenit, Mjedjes, Branko Merxhanit – i munguari i madh, do të ketë në mesin e saj Mitrush Kutelin, që, pasi ngriti Bankën Kombëtare nën emrin e Dimitër Paskos, shkoi të ngrinte godinën e artit të tij, që, përmes aq shumë librave, vjen edhe sot aq modern, kohas, sa që të duket se kemi të bëjmë me një vëlla të Kafkës. Një stil aq brilant, përmes një shqipe aq kumbuese dhe transmetuese nuk kishin parë letrat shqipe dhe vështirë të ndeshet edhe sot e kësaj dite. Ata që i kanë njohur tregimet e Kutelit, apo poemën e tij të famshme, më të bukurën dhe më kumbuese me këtë temë, ” Poemi kosovar”, nuk kanë mundur kurrë t’i harrojnë. Ai është magjepsi më i madh i prozës shqiptare. Ka sjellur një prozë që nuk shterr; të duket sikur është një pus i thellë nën këmbët e tua, kur në të vërtetë është një det i tërë; rrjedha e tregimeve të tij është magjepsëse deri në atë pikë sa të merr me vete në fantazmagorinë e tij; të duket sikur një hyjni e fshehtë vepron ndërkohë dhe prej tyre mund të ëndërrosh gjithë botën shqiptare. Nëse Shopenhauer-i , filozofi i madh gjerman, thonte se ” arti kërkon gjithmonë irealitete të dukshme”, rrëfimtari i madh Mitrush Kuteli e ka bërë këtë. Që nga shkrimi i parë dhe deri tek libri i tij i fundit gjendet ky irealitet i dukshëm, një bashkëfajsi fjalësh që të sjell postimën, se, me njohë do të thotë me rinjohë, e kjo ndodh tek Kuteli. E rëndë ishte mesi i jetës së Dhimitër Paskos dhe, po aq e vështirë vazhdimi i jetës së Mitrush Kutelit. Pasko, ky atdhetar i shkëlqyer, si ishin të gjithë emrat e mëdhenj të kohës së tij, do të jetë i burgosur pas përfundimit të luftës, megjithëse e kishte dashur lirinë si pak kush tjetër dhe e kishte dashur atdheun si askush. Kjo rëndoi edhe tek Mitrush Kuteli, i gjithëdituri, njeriu rezistent përmes heshtjes dhe krijimit, i mistershëm, pasi për të, si për Lazgushin, nuk dihej nëse ishte ende në jetë; i dukshëm, pasi, megjithë perden që kishte rënë mbi jetën e tij, ai ishte; i gjithëpranishëm, në tërë hapësirat shqipfolëse, i venduar në kohë, pasi koha dhe vetëm koha bën diferencimet e mëdha. Njeriu që arriti të shpëtojë përmes rrezikut të vdekjes një pjesë të thesarit të shtetit shqiptar, pikërisht atëherë kur forcat gjermane po largoheshin; bankieri që ishte themeluesi i vërtetë i bankës dhe lëvruesi i qartë dhe i saktë i saj, gjeti strehimin e tij tek Mitrush Kuteli, duke ndërtuar me artitekturën e veprave të tij një madhështi të pazakontë.

Disa fate njerëzore, si duket, janë të përcaktuara nga Hyjnitë për të qenë të tillë. Githçka që zhvillohet rreth tyre, që ndërfutet në jetën e mundimshme, mjedisi, arti, miqtë, ujrat që ndahen dhe pluhuri i tokës që ngrihet, rruga e lodhshme dhe mendja e tyre rrënqethëse për nga hijeshia, janë krijuar si në një teatër ngrihen skenat për të përgatitur ngjarjet e mëpasme.Nuk ka ndodhur kështu vetëm me Kutelin. Ai është njëri nga autorët e brezit të tij, të cilët natyrshëm mund t’i quajmë edhe sot e kësaj dite si prijës të letërsisë sonë. E jo vetëm kaq: edhe të mendimit shoqëror. Gjithçka që u ngrit rreth e rreth botës së Dhimitër Paskos përgatiti Mitrush Kutelin. Një jetë e pazakontë, që zë fill në Rumani, shkrihet në viset e tjera shqiptare, shkon në stepat ruse, ushtar i detyruar, skenën e luftës e të cilës e braktis gëzueshëm, sepse lufta nuk është e tij, ai do të ketë një moto të habitshme që të ngjan me një thënie të Gjonit ( 10:18), ” Askush s’më heq jetën, unë e jap jetën”. I dyzuar në emrin e tij, ishte e lehtë të burgosësh Dhimitër Paskon, autorin e Poemit kosovar, pikërisht në vitet e para të pas luftës , ku një Mugosh do të ishte më shumë se sa një sundimtar dhe ku verbëria ishte shndrruar në bindje e, bindja në verbëri, në një kohë kur vendi po përgatiste ekzekutimin e vetvetes, do të duhej më parë të dënonte dishepujt e lirisë, trumbetarët, të bënte harrimin e tyre dhe harresa është guri më i madh që mund të vihet në qafën e artit. Ky brez poetësh e mendmtarësh të dukeshin natyrshëm si fisnikë vjenezë; të kujtosh sot emrat e tyre është njëjtë si të thërrasësh në kujtesë imazhet e xhentelmenëve të shquar, që, më shumë se sa me kostumet e tyre parisianë, do e habisnin botën me metaforat, studimet ilire, guhën e lashtë, gdhendjen e kujtesës së kombit, si të ishin shkruesit e lashtë egjiptianë, duke ngritur piramidën e një populli që kishte filluar të harrohej.Kuteli është simbolisti i kësaj epoke. Pak kush është aq i kapshëm, stili i tij është i vetvetishëm dhe modern, pa u dukur si i tillë, por i ndjeshëm deri në palcën e tij; vepra e tij nuk përmban asnjë lajthitje dhe ai vetë, në librat e tij nuk dremit asnjëherë. “Në një cep të Ilirisë së Poshtme” është njëri ndër librat e fundit të tij dhe ende sot nuk e kam shqitur nga vetja mahnitjen. Ishte një kënaqësi e papërballueshme dhe e mahnitshme nga e gjithë ajo që shfaqej para meje. Një pafajsi e pathyeshme. Ky njeri, i patundshëm në bindjen e tij se “Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret”, që solli në letërsinë shqipe veprën ndër më harmoniket, që erdhi tek ne i dyzuar në emrin e tij, ku koha dhe fati kanë bërë të dijmë për njërin e tjetrin, si për një njeri të vetëm, edhe kur po vdiste, pasi kishte bërë të pamundshmen dhe kishte përkthyer kolosë të letërsisë së botës, mbylli sytë, pa lënë pas vetes asnjë pasuri, veç mundimeve dhe vuajtjeve dhe moton e jetës së tij që mishërohej tek atdheu.Sa herë që përkulem para tij, e ndjej veten më të mirë!

28Ismajl Kuçi, Namik Dokle and 26 others2 Comments2 SharesLikeCommentShare